Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Shkrimtaria e vërtetë dhe ajo e sajuar

120
Sigal

Ka disa kohë që, për të mbuluar mosshitjen e librave, mungesën e gjetjeve, humbjen e kontaktit me publikun – më mirë, braktisjen nga ai, mes të tjerave edhe për shkak të dukurive internetike – një sërë shkrues merren gjoja me anët ‘mistike’ të këtij arti, me të ‘fshehtat dhe të panjohurat, që shpesh janë vetëm në mendjet e tyre; ata përpiqen ta sjellin bisedën në mënyrë të tillë, që të duket sikur letërsia është vetëm përzgjedhje apo tekë… Këta snobë e kanë larguar lexuesin nga letërsia duke e servirur këtë të fundit si një kapriçio të njërit e të tjetrit, si një pistë ku sundon vetëm absurdi, a thua është pothuaj një ‘planet’ tjetër, që s’ka lidhje me Tokën dhe njerëzit e saj, qëndron (vetëm) diku në skaje të vetëdijes e të rruzullit (!) Dhe kështu, për t’u dukur ashtu apo kështu, shumë ‘shkrimtarë’ sillen sikur edhe ata vetë janë të ardhur nga kushedi ç’yll, si zëdhënës të asaj gjësë më të fshehtë dhe më të pakuptueshme, që as vetë s’ia dinë emrin… Asnjëlloj teprimi nuk do t’i shpëtojë dot snobët dhe ndjekësit e tyre mediokër nga e vërteta që përpiqen ta ngallosin. Po, ajo që artisti shkruan a krijon, nuk është diçka e rëndomtë dhe, njëherësh, ka një ngarkesë të madhe vetjake që, fundja, i jep veprës origjinalitetin dhe veçanësinë, (pa të cilën as që mund të shkëputej nga gjithë produkti i pamatë në këtë lëmë). Por në të njëjtën kohë, sado e sofistikuar apo ‘e shpërndarë në yje’, ajo që shkruhet, mëton t’u tregojë njerëzve një jetë a një eksperiencë, asaj i duhet të sillet e afërt për lexuesit, të kuptohet dhe të ndjehet prej tyre, duke e bërë autorin (po, tani po) të imponohet apo më mirë të jetë bindës në përcjelljen e asaj që ai vetë ka ndjerë a menduar më parë, e tash e ndan me publikun e gjerë, për ta inspiruar atë. Veprat më të mira të letërsisë botërore, që nga Iliada dhe Eneida, te Komedia Hyjnore dhe Don Kishoti i Mançës, Romeo e Zhulieta, Ana Karenina, Letër nënës, Rrobat e reja të mbretit, Princi i vogël, Korbi, Xhaxha Vanja, Kolonelit s’ka kush t’i shkruajë, Në pritje të Godosë, Shpirtëra të vdekura, Shkëlqimi dhe mjerimi i kurtizaneve, David Koperfild, Tre shokët, Tom Sojeri, Plaku dhe deti, Ulisi, Shakaja, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Fëmija i pestë, etj. etj. kanë qenë dhe mbeten te publiku jo me pabesinë e tyre, jo me motivet e fshehta a të ‘pakuptueshme’, jo me sofizmin e qasjes sikur nga qielli, por me forcën imponuese të gjetjes artistike, me thjeshtësinë dhe naivitetin e rrëfimit, me shtjellimin bindës e gjuhën e përsosur; dhe të gjitha këto nuk shpjegohen gjer në detaj, nuk analizohen apo ‘shiten’ duke fluturuar me fshesë; ato janë të tilla që e pushtojnë dhe e mbajnë vetiu lexuesin, shikuesin, pa ia bërë atij kokën tym me gjithfarë teorish e shtirjesh…