Çaush Kullafi: Si e njoh unë Edmond Ibrahimin – Baba Mondin

Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj

Nga Çaush Kullafi

NOA

Një kujtim i gjallë, që mbetet përjetë në zemrën time

Viti 1985. Një vit që do të mbetet gjithmonë i skalitur në kujtesën time, jo vetëm për të ftohtin e madh e borën mbi dy metra, që mbuloi gjithë malësinë e Librazhdit, por edhe për një takim që do të linte gjurmë të thella në jetën time – njohjen me Edmond Ibrahimin, atëherë thjesht Mondi.

Ishte një dimër i ashpër, i bardhë e i qetë si heshtja. Fshatrat Fushë-Studën dhe Steblevë dukej sikur ishin zhytur në një bardhësi të pafundme, ku rruga mes për mes fushës ndante dy brigje dëbore që ngriheshin si mure të heshtura. Njerëzit zhdukeshin nën borë, dhe kur ecnin, dukeshin si hije që dilnin e zhyteshin në bardhësinë pa fund.

Në këtë realitet të acartë, mes zbrazëtisë dhe vetmisë që e sjell dimri, njoha Mondin. Ishte një djalë që binte menjëherë në sy – fisnik në sjellje, i pastër në fjalë, e me një kujdes për pamjen që nuk mund të mos e vëreje. Çizmet e tij të zeza shkëlqenin nga boja, lëvizte me elegancë dhe kishte një qëndrim që fliste më shumë se fjalët.

Mondin e karakterizonte një etikë komunikimi, që nuk e hasje shpesh – i matur, i drejtë, i respektueshëm, i qartë e korrekt. Nuk fliste shumë, por çdo fjalë e tij kishte peshë. E kishte zërin e fortë, të qëndrueshëm, diksion i vërtetë për t’u admiruar – një zë që linte mbresë dhe që të imponohej me vetë qetësinë e tij. Bashkëpunimi me të ishte gjithmonë i qetë, i ndershëm dhe i përkryer. Bashkë me Kujtim Boriçin, ishim një treshe që gjenim harmoni natyrshëm, si të ishim rritur bashkë. Por ajo që e bënte Mondin të veçantë ishte ndershmëria. Urrejtja e tij për gënjeshtrën dhe mashtrimin nuk ishte vetëm një parim, por një mënyrë jetese. E ndjeje se për të, fjala kishte vlerën e nderit. Kishte gjithashtu një ndjeshmëri të thellë për njerëzit – një lloj dhimbjeje të heshtur për hallet e tjetrit, që shfaqej më shumë në sytë e tij sesa në fjalë.

Koha kaloi. Rrugët tona ndahen. Ai largohet nga Librazhdi dhe jeta na shpërndan siç bën me shumë miqësi të bukura. Për një kohë të gjatë nuk u lidhëm më. Por vitet ’90 sollën mundësi të reja. Teknologjia, rrjetet virtuale – e gjeta sërish Mondin, por tashmë me një emër tjetër: Baba Mondi.

Nuk ishte më vetëm Mondi që njihja atëherë në dëborën e Librazhdit. Ishte tashmë udhëheqësi shpirtëror i bektashinjve, drejtuesi me dinjitet i Kryegjyshatës Botërore në Tiranë. Dhe sërish, ashtu si dikur, ai qëndron me përulësi, por me krenari. Me të njëjtën korrektësi, me të njëjtin zë të qetë që udhëzon pa imponuar, që prek pa zhurmë, që frymëzon pa fjalë të tepërta.

Sot, kur e shoh në atë rol të madh, ndiej një krenari të thellë. Jo vetëm pse njoh njeriun që fshihet pas titullit, por sepse e di që ai njeri është i njëjti që eci dikur nëpër dëborë, me çizmet që shkëlqenin dhe me mendjen që ndriçonte më shumë se bora.

Baba Mondi është sot simbol i qetësisë, i paqes, i dashurisë për njerëzimin – dhe mbi të gjitha, i vërtetës.

Bektashizmi që ai udhëheq është më shumë se fe – është një filozofi, një dashuri që ngrihet mbi ndershmërinë, mbi respektin për tjetrin dhe mbi drejtësinë njerëzore. Dhe ai, me figurën e tij, i jep jetë kësaj filozofie. Ai është dëshmi e gjallë se shpirti nuk ka nevojë për fjalë të mëdha, mjafton të jetë i pastër.

Në botën time, në kujtimet e mia dhe në respektin tim, Edmond Ibrahimi, Baba Mondi, do të mbetet gjithmonë një mik i rrallë, një shok i kujtimeve të bardha, dhe një njeri që e ka shkruar emrin e vet me ndershmëri në zemrat e njerëzve.