Prof. Dr. Afrim Krasniqi: Duket se ende jemi më shumë turmë sesa shoqëri

Afrim Krasniqi

Retrospektivë, 2018-19: një rrjet studiuesish në BP analizuan rastet e bojkotit parlamentar, impaktin për cilësinë e demokracisë, institucioneve dhe sjelljen elektorale. Përgjegjësia ime kërkimore ishte rasti shqiptar. Studimi u publikua në kohën kur në Tiranë në mënyrë euforike dhe tërësisht të gabuar opozita dorëzoi kolektivisht mandatet parlamentare dhe pas disa muajsh edhe bojkotoi zgjedhjet vendore. Profesionalisht mendoj se është sukses kur parashikon pasojat afatshkurtra dhe afatgjata të bojkotit dhe kur lexon studimin e publikuar në Londër më 2019, të gjitha gjetjet/tezat/paralajmërimet lidhur me rastin e Shqipërisë janë provuar në ditët, muajt dhe vitet në vijim. Vetëm profesionalisht.

E kam të freskët kohën e publikimit. Reagimi? Një fushatë denigruese në mediat sociale, portale dhe deri në studiot televizive. Në panelin e një prej emisioneve kryesore televizive në një TV kombëtar kolegë në panel më bënë gjyq kur thashë se si studiues nuk e pranoj konceptin e bojkotit permament dhe sidomos dorëzimin kolektiv të mandateve apo se teza se përmes bojkotit do të përmbyset qeveria do rezultojë e gabuar dhe me kosto afatgjata. Ishte kohë turme, kohë kur vlerë kishte qasja mititante, radikalizimi dhe populizmi. Nuk ishte kohë për ide dhe debat. Në turma dhe përballë tyre nuk ka vend për mendje, dije dhe as sjellje normale. Ashtu ishim, gabimisht mendova se ishte e përkohshme. Kam frikë se ende ashtu jemi. Ata në panel ndërruan mëndje më vonë, por kultura jonë e kujtesës është maksimumi 72 orë.

Sigal

Mesazhi për sot? Kur lexon lajmet ditore politike, çfarë flitet, çfarë alibish e tezash shpiken apo cilët individë/lajme dominojnë ligjërimin publik të pushtetit/opozitës, – të duket se ende jemi më shumë turmë sesa shoqëri dhe se elita politike bashkë me militantët e tyre fanatikë janë ende aty, të uritur dhe këmbëngulës për gabimin e radhës, krejtësisht të paaftë të mendojnë, të dëgjojnë, të lexojnë, të kuptojnë, të reflektojnë dhe natyrisht edhe të ndryshojnë.