Suplementi Pena Shqiptare/ Vangjush Saro: Miqtë e mi të kinemasë shqiptare

31
Sigal

(Nga cikli ‘Miqtë e mi’)

Kineasti Kristaq Mitro ishte një nga miqtë e pakët që pata gjatë kohës që punova në Kinostudio; (i tillë mbeti edhe më pas). Në çdo takim me të, në çdo bisedë, ai shfaqej çiltër, i vërtetë dhe, sidomos, inkurajues. Nuk e pata fatin të punoja me të nga afër; ai dhe kolegu i tij Ibrahim Muçaj, sikundër edhe kinoregjisorë të tjerë, përzgjidhnin në një tension të rreptë (nëse mund ta them kështu) e në një klimë të trazuar, çka nuk mund të kuptohet dhe as që besohet në ditët tona.

 

Kinoregjisor nga ata më kërkuesit, Kristaqi hyri në art me një dashuri të madhe për ekranin, sa edhe për bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij. Sheshi i xhirimit ishte hobi i tij, filmi ishte jeta e tij. Përtej veprave që mund t’i quaja disi të angazhuara dhe me sfond të theksuar historik (‘Liri a vdekje’, ‘Dimri i fundit’, etj.) gjatë viteve ‘80, bashkë me kinoregjisorin tjetër të talentuar Ibrahim Muçaj, risollën në kinemanë shqiptare problematikën sociale, temën delikate të dashurisë, lirikën, nëse mund të ketë vend këtu ky term; dhe ato, me përjashtime të rralla, me episode të rralla, kishin munguar për një kohë të gjatë në kinema, mbase që nga filmi ‘Tana’ i Kristaq Dhamos.  Le të jemi realistë. Ashtu siç kam nënvizuar në një shënim tjetër për kinemanë, në atë me titull ‘Dashuria – pengu i Kinemasë Shqiptare’, nuk mund të mos ndalemi tek efektet e autocensurës; në një kuptim, ftohtësia e vetë autorëve ndaj kësaj teme. Nuk besoj se gaboj shumë nëse them që, duke e ditur se mund të kishin telashe e, fundja, nuk lejohej puthja e intimiteti, autorët vetë i shmangeshin këtij dimensioni, jo thesht temës së dashurisë, por sidomos skenave intime, duke mos kërkuar shumë nga aktorët, duke mos guxuar për mizansena e vizatime të përafërta; me pak fjalë, duke i rënë shkurt në këso episodesh… Po ashtu, pak mund të flitet në lidhje me atë se sa e përgatitur ishte për këtë ‘sakrilegj’ vetë familja shqiptare, si palë shikuese, por edhe ajo e vetë interpretuesve (!) Megjithatë, përpjekjet për ta zbuluar jetën në të gjitha ngjyrat e saj, në filma të veçantë apo në fragmente të tyre, nuk munguan asnjëherë në kinemanë shqiptare, pavarësisht vështirësive dhe pengesave të kohës: ‘Në shtëpinë tonë’ (Dhimitraq Anagnosti/ Kiço Blushi), ‘Në çdo stinë’ e ‘Rrugë të bardha’ (Viktor Gjika dhe Bashkim Hoxha e Vath Koreshi), ‘Dora e ngrohtë’ (Kujtim Çashku/ Neshat Tozaj), ‘Fillim i vështirë’ (Albert Zholi/ Shpresa Vreto), ‘Në prag të jetës’ (Piro Milkani/ Vath Koreshi), “Dhe vjen një ditë” e “Flutura në kabinën time” (Teodor Laço/ Vladimir Prifti), “Hije që mbeten pas” (Diana Çuli/ Esat Musliu), “Shirat e vjeshtës” (Nexhati Tafa/ Spartak Pecani), “Unë e dua Erën” (Besa Myftiu/ Albert Minga), “Të shoh në sy” (Nasi Lera/ Mevlan Shanaj), ‘Shpresa’ (Eduart Makri/ Dhimitër Xhuvani), etj. Por ani, pas kaq kohe që filmat vazhdojnë të shfaqen – ndërsa përcillen nga publiku në mënyra të ndryshme dhe formulohen për ta opinione gjithaq – punët më të mirA të Kristaqit dhe Ibrahimit, i shoh si një episod më vete në këtë histori të trazuar. ‘Duaje emrin tënd’, ‘Telefoni i një mëngjesi’ (sipas tregimeve të shkrimtarit Nasi Lera) dhe ‘Apasionata’ e ‘Njeriu i mirë’ (sipas novelave të shkrimtarit Dritëro Agolli) në vështrimin tim, janë ndër filmat më tipikë të kohës kur edhe në Shqipëri lindi një shpresë se gjërat mund të ndryshonin. Tjetërsimi i njeriut, përpjekja për të mbajtur për vete sadopak dinjitet, vënia në dyshim e lidhjeve për interes, përballja me dukuritë e rënduara të kohës, kjo është ajo çfarë sollën filmat në fjalë për nga brendia; kurse shprehitë lirike dhe të tjera këso ishin një hap edhe më përpara se vetë brendia.

Po qëndroj pak në këtë argument. Pas vitit ‘90 u bë e thjeshtë, madje njëlloj loje, që në letërsi e në kinema të vërshonin skenat e ndaluara më parë dhe sjelljet e shërbimet-tabu. Në po këtë ndërkohë, shumë shkrues mendjeshkurtër u nxituan dhe vazhdojnë të nxitohen teksa përpiqen të mohojnë arritjet e kinemasë shqiptare në dekada. Këta ‘trima pas lufte’ bëjnë sikur nuk e dinë cila ishte situata, çfarë ndodhte realisht me letërsinë dhe artet, me jetën vetë. Siç edhe citoj në librin tim ‘Shqipëria në dy kohë’, “Ka qenë një situatë e ndërlikuar: ëndrra, pasioni, diktati, vullneti, mosbërja; duhej të vendosje çfarë do të bëje. Ne, një pjesë të energjisë, e shpenzonim duke luajtur shah. Pra, t’i shpëtonim diktatit. Që të mos na pengonte rrugën. Ishim të detyruar.” (Nga një intervistë e kinoregjisorit Kristaq Mitro.) Dikush që ka punuar atje (në Kinostudio) e di edhe më mirë kuptimin në të cilin është përdorur fjala ‘shah’. Vërejtjet fillonin që në redaksinë e Filmit. Të tjera në Këshillin Artistik. Pastaj në Ministri e më tutje. Në të gjitha hallkat, bëhej nga pak ‘luftë’, pas së cilës duhej mbrojtur (apo duhej ribërë me sa më pak lëshime) dialogu, mizanskena, batuda, gjesti…Në filmin ‘Apasionata’ shoqëria e molepsur paragjykimesh dhe klani i atyre që ishin në pushtet, (pothuaj) e shkatërrojnë jetën dhe dashurinë e një vajze të brishtë e plot talent; ndërsa babai i saj vjen të zbulojë çfarë ka ndodhur dhe, çuditërisht, përballet me ish-shokun e tij të luftës, që tash ‘i ka hipur kalit mbrapsht’. A nuk ishte ky thelbi i shumë prej pakënaqësive dhe konflikteve të kohës dhe që, bashkë me përndjekjen dhe varfërinë, përcollën më tej sherrnajën e ‘90-ës? (Bravo Kristaq e Ibrahim! Njëmijë herë bravo, duke pasur parasysh në ç’kohë e bëtë atë film.) ‘Duaje emrin tënd’ dhe ‘Telefoni i një mëngjesi’ gjithashtu trokitën në ndërgjegjen e kohës – absolutisht me rezerva dhe duke u mbrojtur nga kritikat, në mos sulmet e mundshme – por njëfarësoj po u bihej këmbanave që duhej të kishin tingëlluar edhe më parë. Gjer ku ‘ngjitej’ kritika, stigmatizimi, shkrehja e pakënaqësive, kjo është një çështje tjetër ku sigurisht argumentet mund të variojnë. Në këto sjellje kërkuese ndaj filmit, në këto qasje sa korrekte aq edhe të vlerësueshme të kinemasë për kohën, Kristaq Mitro ka një vend që nga pakkush mund të dublohej. Jo të gjithë luanin ‘shah’ me institucionet, pavarësisht fatit e bindjeve të tyre, ndërkohë që për asgjë nuk mund t’i gjykosh. Kristaq Mitro është një nga figurat e spikatura të kulturës shqiptare; kurse kinemaja e ka dhe do ta mbajë atë ndër emblemat e saj më të çmuara.

…………………………………………………………………………………..

Në foto: Ibrahim Muçaj e Kristaq Mitro në xhirime dhe një nga posterat e filmit ‘Apasionata.