Shtratin ua ndante një përrua.
Trupat nën instikt bashkuar,
lagur janë prej stërkalash.
Rrëqethur, bashkuar, ndarë
si dy peshq të mbetur mbi zall.
Kur ajo dëneste zemërthyer
përroi, vinte vrullshëm, rrëmbyer.
Kur qeshnin të dy nga puthjet bashkuar
përroi thahej nga ujët harruar.
E kur fjala në buzë iu bëhej vetëtimë
përroi, fryhej, gjëmonte, derdhej
lumit të rrëmbyer, i kërkonte ndihmë.
Përroi i tyre ishte i pastinë
një përrua që veç ata derdhjen ia dinë.
Të kam falur Hënë
E zbrazur, ndihem e zbrazur,
si një shishe tapëhequr lënë në breg.
Edhe mendimin e fundit ma mori zbatica
t’ua rrëfejë sirenave,
kur mbi shkëmb të ulen për të kënduar magjishëm.
E në mesditë, uji do ta mbushë prapë
shishen e zbrazur të mendjes sime,
me ujë të ngrohtë e të turbullt
që bregun përmbyt.
Të kam falur Hënë për sa herë
ke tërhequr dhe lëshuar ujin,
ke tharë e mbytur bregun.
Të kam falur, se aq herë
kam pushuar së jetuari
dhe përsëri, kam rilindur unë.