Pranë senatoriumit, në një lëndinë me lisa, pisha e blire, u ndërtuan disa vila me dy kate. Ato u quajtën “Vilat Gjermane”. Meqë ato ndodheshin jo larg Pallatit të Brigadave, e për më tepër që aty shkonin shpesh udhëheqësit e vendit si dhe delegacione të ndryshme, për ruajtjen e ndërtesës dhe mjediseve rreth saj, ishte vendosur edhe një repart ushtarak. Përveç detyrave të zakonshme, ushtarëve të shërbimit u ishte dhënë urdhër që pasi të kishin kuntrolluar territorin e Pallatit, kur të ktheheshin, të kalonin edhe nga vilat gjermane, më shumë për t’u siguruar nga ndonjë keqbërës. Një ditë të nxehtë gushti, ushtarët Prel dhe Bamir, pasi kaluan një kanal që zbriste poshtë udhës automobilistike, u futën në pyllishte, dhe midis disa pemëve, panë një bjondinë shtrirë mbi një batanie pambuku. Ajo qëndronte para tyre ashtu sikundër e kishte lindur e ëma, tërësisht lakuriq. Qëndronte në shpinë, me gjoksin, barkun e këmbët, të drejtuara nga dielli përvëlues. Mbi fytyrë kishte hedhur një peshqir, ndërsa teshat e trupit i kishte hedhur nga ana e majtë e saj. Të dy ushtarët mbajtën frymën dhe një ngërç u kaloi në fyt.- Prel, ikim! – O Zot! Bamir, shikoje gjermankën, e bardha si bora, këmbët e mbushura e të drejta dhe mes tyre – Ikim sa nuk na kanë parë. Do të na fusësh në telashe. Gjermanka e bukur largoi peshqirin nga fytyra, u çua ndenjur, dhe pasi tha komen sie hier, që ata nuk e dinin kuptimin e atyre fjalëve, ja bëri me dorë që ata të shkonin tek ajo. Prela hodhi një hap, ndërsa Bamiri e tërhoqi nga krahu dhe i tha: – Hajvan, ajo mund të jetë spiune. – Çfarë spiune? Ajo po na e bën me dorë që të shkojmë, e ti… Ç’të bënte Prela i varfër. Me zemër të thyer ndoqi shokun e tij. Pas dy ditësh ata u ndodhën përsëri para një tabloje të njëjtë. Ajo, sikur ta dinte që ata do të kalonin po në atë orë, sapo i pa, me zë të lartë tha: – Komen sie hier! Prelës nuk iu durua e tha: – Bamir, unë do të shkoj! Do të raportoj në komandë. – Jemi shokë! E di që nuk do të tregosh. – Eja me të mirë. – Ik! Gjermanka e priti Prelën me krahë hapur dhe ai, ju dha pasioneve të shfrenuara të saj, si një djalë i etur për seks, pa menduar se mund ta shikonte ndonjë njeri që rastësisht mund të kalonte andej për të shkuar në Sanatorium. Ndërkohë, Bamiri sapo mbërriti në repart, shkoi e takoi shefin e sigurimit dhe i tregoi fije për pe se çfarë kishte ndodhur. Prela i lumturuar, pa futur mirë këmbët në repart, u gjend para komandantit, komisarit dhe shefit të sigurimit. – Eja bukurosh, eja, – i tha komandanti i repartit. – Urdhëro shoku komandant! – Ku ishe? – Asgjëkundi!- Si t’u duk gjermanka?- e pyeti komisari. – Ç’gjermankë!- bëri ai të paditurin. – Fol! Trego gjithçka. – Çfarë të tha, – pasoi shefi i sigurimit Prela e mori me mend se shoku i tij kishte treguar se çfarë kishte ndodhur dhe pa pasur rrugëdalje tha: – Ku e di unë. Nuk kuptoj gjermanisht. Mbaj mend që më tha gut, gut, shein…kaq. – Nuk të dha ndonjë porosi? – Ç’porosi të më jepte, kur ajo e kishte mendjen në tjetër vend, dhe për më tepër, kur unë nuk kuptoj asnjë fjalë gjermanisht. – E di që të pret burgu? Mos harro që ke bërë betimin. Këtu vijnë shokët e udhëheqies së tij, si do t’i mbrosh ata, kur shkon e lëpihesh me një armike, me një gjermankë? – Ç’armike shef? – Ke dhe gojë të flasësh! – Komandant, jam lindur në një fshat të humbur andej nga Puka, dhe që ta dini ju, u bëra 19 vjeç dhe vetëm një herë më ka puthur nëna, dhe ku thoni ju, në ballë. M’u errën sytë. Po menduat keq për mua, bëni çfarë të doni. – Komandant, ta arrestojmë. – Jo, jo komisar. Çojeni djalin në izolim e më pas, shohim se çfarë vendimi do të marrim. Sapo ushtar Prela u largua, komisari dhe shefi i sigurimit propozuan që ai të arrestohej. – Shokë! Mos ta marrim me të përpjetë. Prela është djalë i ri. Ju e dini që te ne, jo një trup lakuriq, por as kofshët ose gjoksin një gruaje nuk mund t’i shikosh, e jo më, trupin e një vajze lakuriq, pavarësisht se ajo është e huaj. Janë shpërthimet hormonale që veprojnë. Ai djalë nuk duhet arrestuar, sepse do të kemi thashetheme që nuk do të na nderojnë si edukatorë të repartit që përfaqësojmë. Atë djalë ta transferojmë në një repart tjetër, aty ku nuk ka objekte të rëndësisë së veçantë e për më tepër, zonë kufitare. Më e mira, ta transferojmë në një repart pune. Ky është mendimi im. – Komandant! – Kështu do të bëhet. Përgjegjësia të bjerë mbi mua!



















