Suplementi Pena Shqiptare/ Xhevahir Spahiu: Të jesh me ty

Të prekësh heshtjen tënde siç prek një send,
të shohësh thellë në ata sy,
ku dashuria hepohet si anije
e të mos duash të jesh përherë me ty?
Të ecësh me krahun mbi supet e tua
e të harrosh oshtimën e kaltër,
limonat mbi krye,
peshkarexhat si zjarre të natës?
Të jesh me ty,
tok me ty të qeshësh
e mos kuptosh se si perpiqet deti
të dalë jashtë guaskës së vetvetes?
Të jesh me ty?
Të jesh me ty!

 

Sigal

Eja të vdesim e dashur

 

Eja të vdesim, e dashur,
shpenzimet e varrimit i merr përsipër shteti,
a s’e dëgjove në TV si kryelajm?
Eja të vdesim, e dashur,
s’ka rëndësi në rron si rob a zot,
arkivoli është gati,
dy metra vend gjithashtu,
makinë e funeralit,
kurora me lule artificiale: të kuqe, të bardha, blu.
Eja të vdesim, e dashur,
ç’na duhet kjo jetë,
e rëndësishme është të vdesësh si zotni;
mbylle TV-në,
të vdesim qysh tani