Suplementi Pena Shqiptare/ Sokrat Ndreçka: Statusi i Deanës

759
Sigal

Erdhi si një xixë dashurie në jetën tonë. Erdhi si një mirësi, si një ëndërr e bukur, si Perëndeshë. Kisha dëgjuar shpesh se fëmija i fëmijës është mjaltë i mjaltit. Vetëm e kisha dëgjuar. Kështu kanë thënë e thonë të moshuarit, njerëzit që e kanë shijuar këtë realitet. Në ndjesitë e mija nuk kishte hyrë aq thellë. Jam munduar shpesh të kuptoj ku është ëmbëlsia e kësaj krijese, për të cilën njerëz të mençur, të ardhur në breza theksojnë me forcë se ky mjaltë të bënë me krahë gëzimi, të lumturon deri në dehje.

Deana, mbesa, vajza e vajzës, hyri si dhurata më e bukur që kam provuar ndonjëherë. Një krijesë me konturet e një njeriu në miniaturë, erdhi në jetën e familjes duke na dhuruar statusin e gjyshërve. Ishte ndjesia më e bukur në botë. Nuk e kisha menduar ndonjëherë se si ndryshon marrëdhënia njerëzore dhe ti kupton se ke marrë një status special në jetë. Dikush të thërret gjysh, një tjetër të uron: “Të të rrojë mbesa!”, ndërsa një pak më tej sheh realisht se si i gëzohesh një njeriu që akoma nuk e ka njohur veten njeri në këtë botë.

– Shiko sa e bukur është! – thotë me emocion gruaja duke i prekur gishtërinjtë e dorës. Ta kemi me jetë, burrë! -vjen urimi i saj si një dridhje zëri, si ndjenjë që ka dalë nga thellësia e zemrës së një nënë, së një gruaje.

E pashë në sy dhe nuk fola. Nuk mund t`ia ndërprisja fjalët e zemrës. Në çaste të tilla, për djall, nuk gjen dot as fjalët e duhura për të shprehur entuziazmin e shpirtit. Përballë asaj krijese të magjishme mendoja se tani e tutje miqtë, shokët, të njohurit do më thërrasin gjysh. Unë do kem mirësinë dhe nderin të përgjigjem me kënaqësi: po jam gjysh, jam i nderuar që kam fituar këtë status shumë të çmuar. Jeta është shumë e çuditshme. Të ballafaqon me ndryshime, të cilat mund edhe të mungojnë, mund edhe të mos i përjetosh dhe kjo është më shumë se fatkeqësi. Jeta është e trazuar dhe çdo gjë mund të ndodhë.

Teksa qëndrojmë në një botë ndryshe një i njohur na uron:

-T`ju rrojë mbesa, me jetë të gjatë! Urimet nuk na ndahen, ndërsa përjetimi nuk mund të imagjinohet. Urimet nuk kanë fund. Na duket sikur na shoqëronin mijëra urime dhe gëzimi, pse jo, na përlot. Kjo është e natyrshme.

-Nuk kemi gëzuar as për fëmijët tanë sa për mbesën, moj grua, -shpreha një ndjenjë të thjeshtë timen, duke ia lënë radhën gruas të përgëzonte Deanën, që e mbante në duar si thesar të çmuar.

Gruaja ndihej e lumturuar pa masë dhe shijonte atë perlë, që vinte si fllad pranvere, pas një zhegu përvëlues.

-U bëmë edhe ne gjyshër, -tha gruaja duke më parë me buzëqeshje që i lexohej në cepin e buzës. Na pa Zoti edhe ne! Na dha këtë mrekulli. Sa herë jam lutur të na shohë dhe të na bëjë gjyshër. Dhe ja ku erdhi bukuroshja e nënës!

Sa njerëz ka që nuk arrijnë dot të provojnë kënaqësinë që të japin krijesa të tilla. Veçanërisht kur të falin statusin më të vjetër në botë! Gjysh, gjyshe- janë fjalë magjike, lum kush bëhet pjesë e kësaj marrëdhënieje njerëzore, që merr ndër duar e ledhaton me gjithë fuqinë e zemrës atë mjaltë aq shumë të pritur. Ka njerëz që nuk arrijnë për arsye të ndryshme të hedhin rrënjët e jetës familjare duke lënë trashëgimtarë. Nuk ka penalitet më të madh në jetën e një lidhjeje martesore. Dëgjojmë të thuhet, se lindja e fëmijëve është rralluar për arsye që lidhen me kushtet ekonomike. Plaket kombi, kur mungojnë zërat përrallorë të krijesave njerëzore, pa të cilat askush nuk ndihet i qetë, askush nuk shijon asgjë nga kjo jetë.

Deana është e vogël dhe nuk mund t’i kuptojë emocionet, ndjenjat që përjetojmë si gjysh e gjyshe. Jemi me shumë fat që përkëdhelim e ledhatojmë pafundësish këtë mrekulli dhe lutemi, të mos mbesë njeri pa trashëgimtarë dhe pa shijuar në këtë rrugëtim të shkurtër, mjaltin e mjaltit! Këtij statusi nuk do i afroheshin, në asnjë rrethanë, asnjë mrekulli në tokë e në qiell!