Suplement Pena Shqiptare/ “General & Playboy”, komedia bazuar në një ngjarje reale

895
“General & Playboy” është komedia më e re që vjen në bashkëpunim me Qendrën Kulturore Tirana (Teatri Metropol) vënë në skenë nga autori dhe regjisori Bujar Kapexhiu, në datë 30 mars ora 19:00. 

Titull: “General & Playboy” 
Autor & regji: Bujar Kapexhiu 

Intepretojnë: Bujar Asqeriu, Natasha Sela, Suela Konjari, Xhevair Zeneli, Muharrem Hoxha, Edvin Mustafa, Ramela Koleci, Serxho Harizaj, Devin Koçeku, Elio Kapxhiu 

Skena: Denis Jorgo 
Kostumet: Aurela Duriçi 
As.regji: Bruna Borova 
Premiera: 30 mars
Datat: 31 mars 1, 2 prill. 
Ora 19:00

“General & Playboy” është një shfaqje aktuale ku flitet për piskologjinë, mentalitetin, pasionet, marrëdhëniet e njerëzve në kohët e sotme. Subjekti i saj, vërtitet rreth një gjenerali, të viteve para ardhjes së demokracisë; një kapteri dhe ky nga koha e diktaturës; dhe një biznesmeni, i ardhur nga provinca në kryeqytet. Midis dy ushtarakëve ndihet diferenca arsimore, sidomos me futjen në NATO, që e detyron gjeneralin në moshë, të nisë mësimet për gjuhën angleze, me mësuese private në shtëpi. 

“Ideja për shkrimin e kësaj vepre ka lindur nga një ngjarje reale e fillimit të viteve ’90 kur dy vëllezër filluan të botojnë gazetën në atë kohë “Playboy”. Në të vërtetë babai i tyre ishte një ushtarak i rreptë, kolonel dhe kjo e vinte në kontradiktë me parimet. Por duke parë fitimet që vinin nga shitja e saj, i lind dëshira të kontribuoj edhe më shumë në këtë biznes. Unë kam kënaqësinë të rikthehem në Teatrin Metropol, pasi në këtë mjedis e kam nisur karrierën time artistike sapo kam mbaruar studimet e larta në Akademinë e Arteve për regji, u emërova regjisor i Estradës së Tiranës. Në këto ambiente kam nisur aktivitetin në vitin 1968 – 1973. Në përgjithësi njeriu ka një cikël në jetë, për ta mbyllur i rikthehet edhe njëherë fillimit. Kështu po ndodh edhe mua, po i rikthehem edhe njëherë skenës ku e nisa”, thotë regjisori Kapexhiu. “General & Playboy” vjen si teatër realist, ku regjisori i është përmbajtur i jam përmbajtur strukturës së shkrimit, duke u munduar që të ketë karaktere dhe situata, marrëdhënie midis personazheve. 

Kontradikta kryesore në vepër dhe ajo që e bën më komike ngjarjen, është ballafaqimi dhe konflikti parimor për konceptin e moralit ndërmjet gjeneralit me konceptet e vjetruara dhe nipit të tij me lirinë e shprehjes në demokraci, të cilën e konkretizon nëpërmjet një biznesi fitimprurës, botimin dhe shpërndarjen e një reviste erotike. 

Në këtë sfond familjar është edhe ballafaqimi dhe paralelizmi midis gjeneralit që e largojnë nga detyra për motive qesharake dhe nga ana tjetër krushqia dhe miqësia familjare, që komshiun kapter e gradon në një post të rëndësishëm. 

Komshiu quhet Xhemal. Shkurt e thërrasin Xhemo. Ai emrin e tij e shkruan Emal se nuk e mban mend germën Xh dhe me ngritjen në përgjegjësi, si ushtarak i NATO-s vetëquhet Xhejms.“Metamorfozë shumë komike kjo, që përshkon fillin e subjektit nga fillimi në fund të ngjarjes. Papunësia, mungesa e të ardhurave, pensioni qesharak, goditjet dhe presioni i moralit të ri dhe liberal e transformojnë gjeneralin demodé dhe e detyrojnë të hyjë në rrjedhën e kohës, tashmë i ambalazhuar me koncepte të reja që i përshtaten më së miri ekonomisë së tregut. Nga kundërshtar i ashpër e kategorik i kësaj reviste, ai në fund të komedisë merr përsipër shpërndarjen e kësaj reviste. Në ekonominë e tregut triumfon e reja” thotë regjisori. Vepra vjen si bazhkëpunim i Qendrës Kulturore Tirana (Teatri Metropol), Bashkinw e Tiranës, Ministrinë e Kulturws dhe Yildiz Films & Theatër dhe do të jetë në skenë në datat 30, 31 mars si dhe 1 e 2 prill.

Personazhet
Bujar Asqeriu, interpreton në rolin e gjeneralit, i cili në pamje të parë duket sa patriarkal, nga ana tjetër është po aq babaxhan dhe i ngrohtë në momente të ndryshme edhe me personazhe të tjerë. 

Natasha Sela, interpreton Sofikën rreth të ’60-ve, gruaja e gjeneralit. Është me arsim të mesëm, e cila gjithmonë ka pasur ëndërr gjithë jetën të udhëtoj jashtë shtetit. Është një bashkëshorte e mirë, e bindur, punëtore dhe pasionante pas arredimit të shtëpisë së saj. Ka një fiksim që çdo gjë që blejnë komshinjtë e saj dhe ajo duhet ta ketë.

Suela Konjari interpreton në rolin e komshijes së Sofikës, Qefserit. Është gruaja e një kapteri, e cila komandon në shtëpi. Ajo e shtyn të shoqin të ndërmarrë veprime, të cilat i japin mundësi që të ngrihet në pozitën ushtarake. Ndërkohë familja e gjeneralit e mban si zëdhënëse shtypi për ccdo lajm qoftë edhe banal.

Xhevair Zeneli, interpreton rolin e një hamalli, cili mendon të shkoj drejt Evropës. Punon për familjet dhe ambasadat e huaja. 

Muharrem Hoxha, interpreton rolin e Xhemalit, burri i Qefserit, me arsim të ulët, pasionant pas plotësimit të fjalëkryqeve në gazeta. 

Edvin Mustafa, interpreton në rolin e nipit të Sofikës. Jeton me hallën e tij dhe merret me printimin dhe shitjen e Playboy.

Ramela Koleci, në rolin e mësueses së gjuhëve të huaja. Mësuese private e gjeneralit, njëkohësisht modele që pozon për Playboy.

Serxho Harizaj, nipi tjetër i Sofikës.

Devin Koçeku, Elio Kapxhiu: në rolin e djalit të Qefserit dhe Xhemalit
Sigal