Flasin Ing. NakoPetro dhe Ing. Nikollaq Gjergji / Demokracia nuk matet nga luksi i deputetëve, matet nga mënyra se si trajtohen mësuesit, mjekët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët dhe pensionistët. Pensionisti i sotëm, qëndërtoi Shqipërinë e djeshme, nuk gëzon asnjë privilegj që i ka siguruar vetes klasa politike në profesionin më fitimprurës, me paga, privilegje dhe pensione luksi. Fatkeqësisht, pushtetet që marrin nën kontroll shtetin, gjoja përmes zgjedhjeve të lira, sapo marrin pushtetin, diskriminojnë popullin, shtetin ligjor dhe grabisin pasuritë kombëtare.
Forum/ Flasin Ing. Nako Petro dhe Ing. Nikollaq Gjergji :
Shqipëria e privilegjeve marramendëse për politikanët dhe Shqipëria e punës dhe rraskapitjes për qytetarët
- – Demokracia nuk matet nga luksi i deputetëve, demokracia matet nga mënyra se si trajtohen mësuesit, mjekët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët dhe pensionistët
- Qytetarët punojnë 30 ditë në muaj dhe nuk hanë një darkë jashtë, politikanët punojnë nga avioni dhe hanë në hotele me 5 yje
- -Politika është kthyer në profesionin më fitimprurës, me paga, privilegje dhe pensione që nuk i gëzon asnjë kategori tjetër e shoqërisë
- – Sot paga bazë e një deputeti është rreth 310 mijë lekë në muaj, kur kësaj i shtohen dietat, karburanti, telefonia, komisionet parlamentare dhe përfitime të tjera
- – Të krahasosh trajtimin ekonomik të deputetëve me atë të mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ushtarakëve, policëve, minatorëve, naftëtarëve apo pensionistëve të zakonshëm të zë koka
- – Pensionisti i sotëm është njeriu që ndërtoi Shqipërinë e djeshme, megjithatë, asnjë prej tyre nuk gëzon privilegjet që i ka siguruar vetes klasa politike

Nako Petro-ish drejtor i UPTHNB
Në çdo shoqëri normale, politika duhet të jetë një shërbim ndaj qytetarëve. Në Shqipëri, prej vitesh po krijohet përshtypja se politika është kthyer në profesionin më fitimprurës, me paga, privilegje dhe pensione që nuk i gëzon asnjë kategori tjetër e shoqërisë. Mjafton të krahasosh trajtimin ekonomik të deputetëve me atë të mësuesve, mjekëve, inxhinierëve, ushtarakëve, policëve, minatorëve, naftëtarëve apo pensionistëve të zakonshëm për të kuptuar se sa i madh është hendeku mes klasës politike dhe qytetarëve që e mbajnë në këmbë këtë vend. Sot paga bazë e një deputeti është rreth 310 mijë lekë në muaj, kur kësaj i shtohen dietat, karburanti, telefonia, komisionet parlamentare dhe përfitime të tjera, të ardhurat mujore kalojnë lehtësisht 450 mijë lekët. Në raste të caktuara, me përfitimet e qirasë së banesës dhe pagesa të tjera, të ardhurat mund t’i afrohen edhe 600 mijë lekëve në muaj. Ndërkohë, një mësues dhe mjek specialist shpesh merr disa herë më pak se një deputet, një inxhinier me përgjegjësi të larta në sektorin publik paguhet ndjeshëm më pak, një polic, ushtarak apo zjarrfikës, që rrezikon jetën çdo ditë, mbetet larg trajtimit financiar të klasës politike.Po pensionistët, aty pabarazia bëhet edhe më e dhimbshme, mijëra pensionistë që kanë punuar 35 apo 40 vjet në arsim, shëndetësi, industri, bujqësi, transport apo administratë marrin pensione që shpesh lëvizin nga 200 deri në 500 euro në muaj. Shumë prej tyre mezi përballojnë ilaçet, energjinë elektrike dhe ushqimet bazë. Ndërkohë, ish-deputetët përfitojnë jo vetëm pensionin e zakonshëm, por edhe trajtime suplementare të veçanta, të krijuara me ligje të miratuara nga vetë klasa politike. Pra, ndërsa qytetari i zakonshëm jeton me një pension modest pas dekadash pune, politikani vazhdon të gëzojë privilegje financiare të garantuara nga buxheti i shtetit.Kjo ngre një pyetje themelore, çfarë ka bërë një deputet më shumë se një mësues, një mjek, një ushtarak, një minator apo një naftëtar që të përfitojë disa herë më shumë? A ka punuar më shumë, sakrifikuar më shumë, ka kontribuar më shumë për vendin? Është e vështirë të gjesh një përgjigje bindëse, mësuesi formon brezat e ardhshëm, mjeku shpëton jetë, inxhinieri ndërton veprat publike, ushtaraku dhe polici garantojnë sigurinë, minatori dhe naftëtari kanë punuar për dekada në kushte të vështira, shpesh duke dëmtuar shëndetin e tyre. Pensionisti i sotëm është njeriu që ndërtoi Shqipërinë e djeshme, megjithatë, asnjë prej tyre nuk gëzon privilegjet që i ka siguruar vetes klasa politike.Paradoksi bëhet edhe më i madh kur Shqipëria krahasohet me vende shumë më të pasura. Në demokracitë e zhvilluara , me një ekonomi shumë herë më të madhe se ajo shqiptare dhe me një buxhet dhjetëra herë më të lartë, diferenca mes pagës së deputetit dhe mësuesit është minimale. Atje politika konsiderohet një shërbim i përkohshëm ndaj publikut, jo një rrugë për privilegje të përjetshme. Ndërsa në Shqipëri, një nga vendet më të varfra të Europës, klasa politike vazhdon të sigurojë për veten paga të larta, përfitime shtesë, pensione speciale dhe trajtime të veçanta, ndërkohë që pensionistëve u thuhet se nuk ka fonde të mjaftueshme për rritje dinjitoze të pensioneve.Kjo nuk është vetëm çështje financiare, kjo është çështje morali, kur pensionisti numëron lekët për ilaçet dhe shpenzimet e tjera te shtëpisë, kur mësuesi përpiqet të mbajë familjen me një pagë modeste, kur mjekët largohen jashtë vendit për paga më të mira, ndërsa politika vazhdon të rrisë përfitimet e veta, atëherë krijohet bindja se shteti nuk po funksionon për shumicën e qytetarëve. Demokracia nuk matet nga luksi i deputetëve, demokracia matet nga mënyra se si trajtohen mësuesit, mjekët, ushtarakët, policët, minatorët, naftëtarët dhe pensionistët.

Ing. Nikollaq Gjergji
Pushteti, korrupsioni dhe gjendja sociale në Shqipëri
Pushtetet shqiptare të 40 viteve të fundit janë “projektuar” jo vetëm për të diskriminuar popullin punëtor, fshatarësinë dhe inteligjencën e vendit. Fatkeqësisht, pushtetet që marrin nën kontroll shtetin, gjoja përmes zgjedhjeve të lira, propagandën e tyre e paraqesin si sociale dhe në shërbim të popullit, por sapo marrin pushtetin, jo vetëm që e diskriminojnë popullin dhe inteligjencën, por i përdorin ato për t’i grabitur dhe skllavëruar edhe më shumë. Objektivi i tyre bëhet shkatërrimi i vendit dhe shitja e pasurive kombëtare tek aleatët e partnerët e tyre strategjikë.Këto politika janë thelluar edhe më shumë gjatë katër dekadave të fundit dhe, si rezultat, Shqipëria vazhdon të mbetet ndër vendet më të prapambetura të Europës. Ndërkohë, pushtetarët shqiptarë renditen ndër më të korruptuarit. Korrupsioni i tyre nuk kufizohet vetëm në hartimin dhe miratimin e ligjeve për rritjen e pagave, pensioneve apo privilegjeve personale, por shtrihet në grabitjen masive të pronave publike dhe dhënien me koncesion të pasurive kombëtare tek partnerët e tyre strategjikë.Qytetarët shqiptarë rrallëherë kanë pasur besim tek pushtetarët e këtyre 40 viteve. Vetëm militantët partiakë dhe administrata e korruptuar duket se mbështesin njëri-tjetrin, ndërsa në unitet vazhdojnë të ushtrojnë presion ekonomik mbi popullin.Mjerimi në Shqipëri është masiv, por më të diskriminuarit janë pensionistët, të cilët nuk kanë rrugë tjetër veçse të jetojnë në vend dhe të mbajnë gjallë tregun e konsumit. Ndërkohë, tregu kontrollohet nga pushtetarët dhe klientela e tyre, të cilët rrisin vazhdimisht çmimet e mallrave më të domosdoshme për jetesë: bukës, ushqimeve bazë, energjisë, detergjentëve dhe deri te medikamentet. Kështu, pensionistët shqiptarë jo vetëm që janë të diskriminuar, por shpesh ndihen të shfrytëzuar deri në kufijtë e mbijetesës. Për më tepër, shërbimi shëndetësor publik për ta mbetet shpesh i pamjaftueshëm nëse nuk paguajnë nga xhepi.Por problemet nuk mbarojnë këtu. Edhe rinia shqiptare përballet me vështirësi serioze punësimi dhe një pjesë e madhe mbetet e papunë. Punësimet shpesh bëhen mbi baza nepotike, sipas lidhjeve familjare e politike, dhe jo sipas meritokracisë. Këto politika kanë nxitur largimin e shumë të rinjve të arsimuar dhe profesionistëve drejt emigracionit, ndërsa në administratë e institucione mbizotërojnë shpesh interesat klienteliste.Bilanci i arritjeve të këtij pushteti korruptiv dhe grabitqar mund të ilustrohet edhe me një krahasim të thjeshtë. Nëse një pensionist shqiptar merr rreth 20 mijë lekë në muaj, në Shqipërinë turistike të sotme ai mund të përballojë vetëm tre ditë pushimi në bregdet. Ndërkohë, sipas autorit të këtij krahasimi, në periudhën para viteve ’90 një pension prej 350 lekësh dhe një çmim hoteli prej 5 lekësh nata mundësonin një qëndrim shumë më të gjatë pushimi.Në përfundim, sipas këtij këndvështrimi, demokracia shqiptare e këtyre 40 viteve nuk ka arritur të prodhojë zhvillimin e pritur. Varfëria mbetet e dukshme, ndërsa shpresat për një shtet më demokratik dhe më funksional konsiderohen të zbehta. Për këtë arsye, kërkohet ndërtimi i një shteti ligjor, me meritokraci, institucione të forta dhe një pushtet kushtetues që t’i shërbejë interesit publik, e jo interesave partiake apo autokratike.



















