Suplementi Pena Shqiptare/ Shefik Arifi: Analizë e poezisë “Atdheut”

Ka poezi që nuk kërkojnë të duken të mëdha.

Por kur i lexon, ndjen që të përplasen në shpirt me zëra që s’kanë nevojë të bërtasin.

Sigal

“Atdheut” nga Shefik Arifi është një poezi e shkurtër, por me peshën e një kombi në kurriz.

Një varg që rrëfen largimin, një lot që rrëfen boshllëkun, një vend që dikur mburrej me rininë dhe tani pleqëron në heshtje.

Nga krenaria në brengë një rënie pa zhurmë

“Krenoheshin dikur si askush tjetër.

Se kishim popullsinë më të re të botës.”

Fjalët “krenoheshin” dhe “dikur” thërrasin nostalgjinë e një kohe kur shpresa ishte pasuri kombëtare.

Atdheu ynë, dikur i ri, i gjallë, i mbushur me jetë, sot është kthyer në një plak të heshtur, që mbart kujtime dhe boshllëk.

Poeti nuk ankohet.

Ai dëshmon.

Sepse ndonjëherë, mjafton një varg për të kuptuar sa ka ndryshuar gjithçka.

Rinia e ikur plagë e hapur e kombit.

“Tani, me popullsinë më të vjetër.

Nënat, oh nënat!, Të lagura prej lotësh.”

Nuk ka britmë më të thellë se “oh nënat!” një thirrje që bart gjithë dhimbjen e botës shqiptare.

Të gjithë e njohim një nënë që pret, që qan, që mban foton e të birit që nuk kthehet.

Ajo nuk është thjesht një figurë familjare është simboli i një kombi që zbrazet nga e ardhmja.

Gjyshet e gjyshërit harruar nga nipërit dhe shteti.

“Tek gjyshërit s’ka më buzëqeshje”.

“Larg nipërve e mbesave, në sy u lexon frikën”!

Ky është një nga vargjet më therës të poezisë.

Poeti nuk flet vetëm për mërgimin fizik, por edhe për plakjen shpirtërore.

Një gjysh pa nipër është një pemë pa degë.

Një gjyshe pa mbesa është një stinë pa pasardhës.

A ka dhimbje më të madhe se një pleqëri pa zëra fëmijësh?

Komb i ndarë nga vetvetja.

“U ndanë, siç ndahen erërat nëpër sheshe.”

Metafora është e thjeshtë, por tronditëse.

Erërat ndahen, por askush s’mund t’i kthejë pas.

Ashtu siç jeta ndahet, siç familjet copëtohen, siç atdheu zbrazet pa krisma, por me heshtje që vret.

“Atdheut” nuk është një poezi politike, por shumë më e thellë se kaq.

Ajo është pasqyra e një vendi që plakët pa rini,

që mbetet i vetmuar në ditë festash,

që ka më shumë përkujtimore sesa përqafime.

Poezia nuk bërtet.

Por zëri i saj dëgjohet në çdo shtëpi ku mungon dikush.

Në çdo nënë që mban valixhen e djalit si kujtim.

Në çdo pleq që pyesin telefonin, jo për orën

por a do të vijë ndonjë lajm nga ai që iku…?

Dikur krenar për rininë…

Sot, një atdhe i heshtur, që e masim jo me zhvillim, por me ikje. Merita Pllana Behrami

 

STAFI VARGU I SHPIRTIT

LEXIM TË KËNDSHËM

 

ATDHEUT

Krenoheshin dikur si askush tjetër

Se kishim popullsinë më të re të botës.

Tani, tani me popullsinë më të vjetër.

Nënat, oh nënat!, të lagura prej lotësh!

 

Ikën të rinjtë drejtë botës ikën.

Tek gjyshërit s’ka më buzëqeshje.

Larg nipërve e mbesave në sy u lexon frikën.

U ndanë, siç ndahen erërat nëpër sheshe.