Suplementi Pena Shqiptare/ Sami Milloshi: Fitorja e fundit e humbësit

158
Sigal

Shtëpia e zotit Warthen ishte më e vogla në lagjen tonë. I kishte a nuk i kishte gjithë gjithë nja gjashtqind square feet. Një dhome gjumi, një koridor të ngushtë sa shpatullat e zotit Warthen, një kuzhinë me tavolinë për dy vetë, banjën me dush dhe kaq. Por, brenda kishte aq shumë ngrohtësi sa nuk ta merrte mendja. Dialogjet e Alicias me Zimermanin, ishin po ato të dyzetë viteve më parë.– Zemër të ta qëroj një mollë? -Rrofsh shpirt, po gjysmën, mbaje për vete se jam pak e rënduar nga dreka.– A ma fërko pak këtë shpatullën e majtë, se sikur më ka ngrirë fare?-Yes sweety, mos do një çaj me ginger?– Çajin bëje për vete, se ke një kollë të thatë që sikur më therr mua më tepër se ty në gjoks. Në atë shtëpi të vogël u lindën tre djemtë e Warthens. U lindën e u rritën jo si princa. Po, ama patën fatin të dëgjojnë se si merreshin vesh mama Alicia me baba Zimermanin. Të tre djemtë, Brian, Scott dhe Alex, kishin dalë nga shtëpia vite më parë. Sekush ishte në punë të vet dhe rrallë takoheshin, e shumta për Thanksgiving ose për Krishtlindje. Por,ndonëse  rrallë, shtëpia e tyre e vogël gumëzhinte nga të qeshurat gjer kur, një dite, Alex, më i vogli prej tyre ndërroi jetë prej një ataku në zemër. Ikja e Alexit i kishte pikëlluar të gjithë, por Warthens e kishin ruajtur një rreze optimizmi në dritë të syve, dhe, sa herë e ndjenin të nevojshme, e merrnin kutinë me hirin e Alexit dhe luteshin për dy djemtë e mbetur dhe për veten. Të tre djemtë ishin bij të borës, e donin borën kaq shumë dhe e përkëdhelnin sikur ta kishin jastëkun e gjumit. Për shkak të kësaj dashurie të pafundme për borën, ata u bënë të njohur si skiatore të famshëm në gjithë Coloradon. Në lojërat olimpike të Soçit kishin konkuruar të shkonin të tre, por vetëm Scott ia doli të futej në përbërjen e ekipit amerikan. Në lojërat olimpike të Soçit Scott kishte shkëlqyer. Ai kishte marrë tre medalje të arta dhe ishte pritur si hero kur qe kthyer në aeroport. Të tre medaljet e tij i kishin dhënë me shumë drite shtëpisë së Warthen, edhe pse, tashmë, më i vogli i djemve, Alexi, i kishte shkuar parajsës, si thoshte mama Alicia… Kur u nis për në lojërat olimpike me të fundit, në Kore të Jugut, baba Zimermani shtroi një drekë për Scottin, sepse donte ta bekonte me lutjen e tij për suksese. E mori kutinë e hirit të Alexit, e vuri mbi tavolinën ku qe shtruar ushqimi, bëri kryqin, dhe filloi lutjen e tij: – O zot, bekoje Scottin për sukses. Le të fluturojë si pëllumb, të nderojë veten dhe tokën ku u lind, malet e Colorados. – Zoti të bekoftë ty baba, dhe ty mama,- tha Scott me dorë në zemër. Pastaj shtoi diçka tjetër, krejt të papritur që u duk sikur tronditi jo vetëm zemrën e plakut Zimerman, por edhe muret e shtëpisë. -Baba- tha Scott- Unë dua të marr pak pluhur nga hiri i Alexit, ta mbaj në qafë si medalion kur të garoj kësaj here në Kore…Dua të ma plotësosh këtë dëshirë. Zonjës Warthen i shpërthyen lotët dhe gati sa nuk e mbajtën gjunjët. Qe Briani ai që i futi krahët poshtë sqetullave dhe nuk e la të shembej përdhe. -Po,- tha zoti Zimerman. Pas përgjigjes së babait, Scott fluturoi drejt dëborës së Koresë, si askush tjetër, me medalionin me të çuditshëm që kishte mbajtur dikush që donte fat. Mbrëmjeve Warthens uleshin përballë televizorit dhe shihnin garat olimpike. – Të të qëroj një avocado, zemër. – Po, por qëroje edhe një për vete se të bën mirë të ulësh kolesterolin. – Rrofsh shpirt, hajde të ta mas një çikë tensionin sa pa filluar gara e Scottit. Garat e Scottit filluan dhe mbaruan. Scott i medaljeve të arit, e shumta u ngjit në vendin e dytë.. – I rëndon medaljoni i hirit të vëllait- tha zoti Zimerman. Dhe shtoi” Prandaj nuk po i ecën fati. Nuk desha t’ia thyej zemrën, e t’i thosha “JO” kur m’u lut për hirin e Alexit ta merrte me vehte. Por, nuk jam pishman që i thashe “PO”. Zonjës Alicia gati sa nuk po i binte të fikët dhe iu lut Zimermanit për një gotë ujë. Ai i dha ujë me limon dhe një tablet tylenol…Tre javë më vonë, Scott u kthye nga Korea e Jugut. Në aeroport nuk ishte ajo atmosferë e hareshme si dikur kur qe kthyer nga lojërat e Soçit. Asgjëkundi nuk dukeshin shenjat e gjurmëve të heroizmit. Por, kishte dalë ta priste mama Alicia, baba Zimermani dhe vëllai Brian. Secili me nga një tufe lulesh në dorë. Të parën, Scott përqafoi mamanë, pastaj të atin dhe, më në fund të vëllanë. Kur i hodhi duart në qafë babait, Scott, gati gati i pëshpëriti në vesh” Më fal Baba!” Por, zoti Zimerman, e puthi në ballë dhe me qetësi olimpike i dha të kuptojë se nuk kishte ndodhur asgjë për t’u shqetësuar e, ca më pak, për të thënë “Më fal! ” -Ti humbe se fluturove për dy vetë, për veten tënde dhe për tët vëll. I ndrittë shpirti. Unë shoh një medalje ari në gjoksin tënd që të tjerët nuk e shohin… -Thank you sweetie- tha zonja Alicia, ndërsa sytë i ndritën si perla në gropëzat e lodhura në ngjyrë të verdhë…