Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Pajtim Xhelo

724
Sigal

Një ditëlindje

Fryn e bie jashtë,
Fundvjeshta çjerr dimrin e këlthet,
Gjumin ma largoi kjo natë,
Që më çoi në moshën pesëdhjetë.
Ti nuk je më, e di fare mirë,
Po këto çaste këtu po të ndjej,
Flaka e qiririt fërgëllon e dridhet,
Në dhomë shpirtin tënd ka sjellë.
Ti ke merak, mos, kushedi, unë
I braktisur, kësisoj, përfundoj si im atë?
Ke të drejtë, jam si ai, i papunë
Dhe moshën e tij kam unë këtë natë.
Pa dhe djali është aq sa isha unë,
Atë ditë që vrau veten im atë.
I harruar, dhe pse fëmijë kish shumë,
Veç nuk e deshi jeta e gjatë.
E shtrenjta ime, ty s’të la dyshimi,
Mos nga kjo botë unë ikja i ri!
Kuptove që tët bir e kish mbytur trishtimi
Dhe erdhe të më bësh shoqëri.
Të ndjeva ty, dhe pse dera s’trokiti…
Nuk bën më ftohtë, më shumë qiriri ndrit.
Përmallimi vrasës u largua, zbriti,
U ndez zjarr në vatër, jashtë u bë ditë.
Nënëza ime, mos ki ti merak,
Ikjen nuk e kam fort dëshirë,
Unë jam pak rebel, pak fluturak,
Po në shpirt kam dashuri dhe mëshirë.
Erdhe të më zgjosh nënëza ime,
Që të shkoj në punë, si atëherë…
I papunë isha unë, ti s’e dije
Dhe më gjete zgjuar këtë herë.
Eh, më njeh, se më bëre vet shpirt trazuar
Dhe sa herë ndien tek unë stuhinë,
Vrapon mbi merakun shaluar,
Të më sjellësh në agim qetësinë.

Po të pres

Seç më vjen ngadalë, me naze ngarkuar,
Pa unë, si lum i gurgulluar po të pres,
Si një mbrëmje prilli, botën e harruar
Vjen të ma lëndosh. Pse në sy pendesë?

Pse zëri të dridhet, si valëz në të shuar
Dhe lotët e mallit të mbyten në dënesë?
Duart të ftohta, si dimri në të shkuar,
Qerpikët rënduar, si petale me vesë:

Mbi supin e brishtë, kryet ke rrëzuar,
Buzët shtrënguar, si nga një rëndesë,
Me flokët e dendur, gjoksin ke mbuluar,
Lërmë faqen time aty ta mbështes.

Sytë e tu të butë, si dy rreze hënore,
Si era liqenin e trazuan shpirtin tim.
Ku ta kërkoj qetësinë që më more?
Nata memece s’më jep asnjë premtim.

Kush humb një dashuri, një tjetër gjen,
Se jeta qenka për të gjithë ngushëllim.
Paçka, dashuria që vdes,më nuk vjen,
Shkretëtirë ta lë jetën, pa gëzim.

Brengosem, inatosem, pastaj harroj,
Kujtesë-rrëmbyer, vrapoj të të pres,
Braktisur harresën, medet, si guxoj,
Nga mjegulla dashurinë ta zbres?

Gonxhe që u largove akoma pa çelur,
O Zanë, o borë, o qiell, o dritë,
Veç një letre, asgjë nga ti s’ka ngelur,
Po unë të kujtoj dhe të pres çdo ditë.