Suplementi Pena Shqiptare/ Visar Zhiti: Antologji e poezisë shqipe në Rumani me autor dr. Luan Topçiu.

62
Sigal

Kështjellë dhe urë modern…

Doli në Rumani Antologjia e madhe e poezisë shqipe, përgatitur nga dr. Luan Topçiu: ngjarje e bukur dhe me rëndësi në truallin e kulturës europiane.

Rreth 700 faqe, që përfshijnë të gjitha kohërat, që nga zanafilla deri në ditët tona të poezisë shqipe, të përkthyera në rumanisht nga vetë dr. Luan Topçiu dhe zonja e tij. Dr. Renata Topçiu- Melonashi. Një tjetër kryepunë, kurorëzim i një përkushtimi shumëvjeçar, i njohjes dhe i ndjekjes se poezisë amtare, i talentit si përkthyes, i autoritetit si profesionistë, që ka, sigurisht, mirënjohjen e lexuesit të shumtë rumun, aq të pasur me poezi, ndaj hartuesit të antologjisë, i ngazëllyer për suksesin dhe i ndërgjegjshëm për atë subjektivitet të pashmangshëm që kanë antologjitë, duke lënë të papërfshirë autorë sivëllezër që e meritonin, por që s’janë në antologji këtë radhë. Duke qenë dhe përkthim, jo vetëm përzgjedhje poetësh dhe poezish, vështirësitë kanë qenë më të shumta, mungesat më të justifikuara, se nuk ka vetëm poezi, por dhe autorë të papërkthyeshëm, që gjithsesi s’duhet të ketë keqkuptime dhe duhet të kujtohemi që shpesh antologjite janë punë kolektive studiuesish e specialistësh e grupe përkthyesish, akademik, etj. Ndêrsa dr. Luan Topçiu i vetëm ia ka dalë duke i bërë një shërbim të madh poezisë shqipe në tërësi, letrave shqipe, kulturës kombëtare dhe meriton mirënjohjen dhe inkurajim të mëtejshëm dhe lëvdatat e sinqerta.

Antologjia është vërtet një arritje, që i ngjan një kështjelle hijerëndë dhe një ure të re, moderne, vazhdim i bashkëpunimit kulturor në shekuj i dy popujve tanë, i miqësisë se dy vendeve tona, Shqipërisë dhe Rumanisë, tani të kthyer në art…

Dhe sapo ka filluar jenona e botimit të kësaj antologjie të madhe.

  1. Zh.

Njoftim për shtyp i degës së Shoqatës të Shqiptarëve në Rumani.

Këto ditë doli nga shtypi Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot i autorëve Luan Topçiu dhe Renata Topçiu-Melonashi. Botimi u realizua nga Shtëpia Botuese A, me financim të Qeverisë Rumune përmes Shoqatës ALAR. Kjo antologji përmban rreth 700 faqe.

Botimi i antologjisë së poezisë shqipe është një ngjarje kulturore për komunitetin shqiptar të Rumanisë, por edhe për letërsinë e kulturën shqiptare në përgjithësi, sepse është antologjia më gjithëpërfshirëse e botuar ndonjëherë në një gjuhë të huaj. “Antologjia e poezisë shqipe” bën pjesë në serinë e veprave të bibliotekës albanologjike në Rumani të ngritur nga ALAR-i. Në të përfshihen 85 autorë, duke filluar me autorë të letërsisë së vjetër shqipe e deri tek poetët më të rinj të ditëve tona dhe mbulon gjithë arealin shqipfolës: Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Itali e Jugut dhe diaspora shqiptare kudo që ndodhet. Për çdo autor jepen të dhëna biografike dhe nënvizohet vendi i secilit në poezinë shqipe. Jepen të dhëna për drejtimin letrar të autorit të antologuar si dhe mendime për risitë e sjella në letrat shqipe. Vepra shoqërohet nga një studim hyrës i studiuesit dhe kritikut rumun, Marius Chelaru, kryeredaktori i revistës “Poezia” dhe zv/kryeredaktor i revistës prestigjioze “Convorbiri literare”, të dyja organe të Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë.

Antologjia e poezisë shqipe paraprihet nga një tabelë përmbledhëse e ngjarjeve historike dhe letrare më të rëndësishme të Shqipërisë dhe hapet me baladën Kostandini dhe Doruntina, duke u pasuar nga autorët e letërsisë së vjetër shqipe: Pjetër Budi, Pjetër Bogdani. Përzgjedhja e poetëve të antologjisë respekton etapat historike dhe letrare të poezisë shqipe dhe janë përzgjedhur zërat më përfaqësuese të kësaj poezie: Hasan Zyko Kamberi, Nikollë Keta, Lekë Matrënga, Julio Variboba, Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Gavril Dara i Ri, Zef Serembe, Andon Zako Çajupi, Gjergj Fishta, Fan Noli, Asdreni, Ndre Mjeda, Lasgush Poradeci, Ernest Koliqi, Migjeni, Mitrush Kuteli, Esad Mekuli, Petro Marko, Martin Camaj, Bilal Xhaferri, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Kasëm Trebeshina, Ismail Kadare, Trifon Xhagjika, Zef Zorba, Azem Shkreli, Murat Isaku, Luan Starova, Agim Vinca, Vorea Ujka, Xhuzepe Skiro Di Maxhio, Vehbi Skënderi, Arshi Pipa, Ali Podrimja, Robert Shvarc, Xhevahir Spahiu, Niko Kacalidha, Besnik Mustafaj, Ndoc Gjetja, Visar Zhiti, Ndoc Papleka, Ilirian Zhupa, Skënder Sherifi, Basri Çapriqi, Xhevdet Bajraj, Kujtim Shalaj, Agim Isaku, Rudolf Marku, Petrit Ruka, Balil Gjini, Preç Zogaj, Skënder Rusi, Skënder Buçpapaj, Resul Shabani, Sabri Hamiti, Frederik Rreshpja, Bardhyl Londo, Natasha Lako, Eqrem Basha, Sali Bashota, Dhimitër Pojanaku, Luljeta Lleshanaku, Shaip Emërllahu, Jamarber Marko, Rita Petro, Arian Leka, Agron Tufa, Mimoza Ahmeti, Ervin Hatibi, Aristotel Spiro, Riza Braholli-Mborja, Ndue Ukaj, Entela Tabaku. Sorman, Nurie Emërllahu, Manjola Nasi, Arti Lushi.

“Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot” nuk është vetëm një numër poezish, por një panoramë e gjerë e poezisë shqipe. Përpos anës estetike, ajo e pasuron lëçitësin rumun të poezisë me informacion për poezinë shqiptare, të shkruar, afërsisht, në pesë shekuj në një hartë gjeografike shumë të gjerë dhe shumë më interesante sesa ajo e shkruar në kufijtë e shtetit shqiptar.

Vepra është një përzgjedhje poezish, të cilat, sipas autorëve, konsiderohen përfaqësuese në peizazhin e letërsisë shqipe si dhe për profilin artistik të poetëve të zgjedhur. Si çdo lloj përpjekjeje e tillë në botë, edhe Antologjia e poezisë shqipe nga zanafilla e deri më sot ka njëfarë koeficienti “subjektiviteti”, parapëlqimesh për një autor apo tjetrin, për një aspekt të caktuar të poezisë së antologjizuar. Çdo antologji letrare, nga natyra e saj, duhet të jetë projektive përmes përmbajtjes, por edhe përmes sugjerimeve estetike të propozuara.

Antologjia e poezisë shqipe është një vazhdim i natyrshëm i vëllimit Historia e Letërsisë Shqipe nga zanafilla e deri më sot dhe u drejtohen lexuesve që duan të dinë më shumë për këtë letërsi dhe për jetën shpirtërore të popullit shqiptar. Vetëm së bashku, këto dy libra japin një pamje më të plotë dhe më komplekse të letërsisë shqipe.

Dr. Luan Topçiu