Vendi im është një rrëfenjë
e vjetër sa bota;
është një shpat që zbret poshtë
në krahë të thyer shqiponje;
është një lumë lotësh;
që derdhet në një det hidhërimi;
është një pranverë e hidhur dhe e mardhur.
Vendi im është ofshama ime që çpon qiejtë;
është një tokë e thatë, e lënë djerrë;
një shpirt i mpiksur nga ngashërimi
në dritë qiriri;
është gjethja e ullirit, që tundet fillikate në erë
mbi varret e vjetër, me gurët pa emër.
Vendi im është një fshat i braktisur
me puse të heshtur dhe dyer të kyçur.
Vendi im është një poemë e pambaruar;
është bujtina në rrugën malore
e zbrazët, e verbët, pa njeri;
është vreshta e shkretuar, pylli i prerë rrafsh,
dhe kobi i tokës së braktisur;
është një emigrant me letrën e nënës
mbetur në xhep me fjalë premtimi;
është një kthim i vonuar nën një diell të verbuar.
Mjerisht vendi im është kthyer në plaçkë tregu
i atyre që duan aq shumë pushtetin,
që zgjohen e ngrysen me të në shtrat;
është një orgji politikanësh pa skrupull,
që dinë veç të premtojnë parajsën.
Por vendi im është dhe një lojë fëmijësh,
që kapërcejnë litarin në rrugët e shpresës,
është dhe një ëndër e dielltë,
që shkon ngadalë në hapat e një vajze të re
me një gjoks të njelmët, të kërcyer;
është puthja e ëmbël e fqinjes së dashuruar
dhe dasma që do të bëhet në vjeshtë.
Vendi im është dhe mbetet gjithnjë rrëfenjë,
që më mban të robëruar gjithnjë…




















