Suplementi Pena Shqiptare/ Bashkim Koçi: Dritë për atë që dritësoi Bektashizmin

99
Sigal

Suksesi është biri i guximit. E gjej të udhës të sjell këtë sentence, ndërsa jam njohur me tri veprat voluminoze të Baba Ali Tomorrit, përgatitur nga studjuesi serioz e punëshumë, i palodhuri Mehmet Gëzhilli. E kanë ditur shumë studjues e hulumtues të tjerë që Baba Ali Tomorri ka lënë të shkruara e të botuara një mal me dorëshkrime, por asnjë deri tani nuk guxoi t’i kërkonte nëpër arshiva e biblioteka, t’i mblidhte ku ishin e ku s’ishin, t’i sistemonte e t’i botonte në vëllime të veçantë sipas problematikave, që trajtoi gjatë gjithë jetës krijuese ky bektashi i madh. Këtë informacion e ka ditur edhe Mehmet Gëzhilli, i cili, mesa di, e ka menduar shumë herët, madje e ka patur “ëndërr në sirtar” që të mundëte ta përmbyllte këtë detyrë paksa hyjnore, ashtu si ai e kishte “projektuar” në mendje e në zemër. Sigurisht që pas çdo bëme të bujëshme, siç është përgatitja e veprës së plotë të Baba Ali Tomorrit, u gjend një njeri i letrave, u “çmend” dikush për t’ju futur “detit në këmbë” e për t’u përballur me një punë të lodhëshme e cfilitëse. Dhe ky njeri që mori këtë vendim të guximshëm  e ka emrin Mehmet Gëzhilli. Por nëse e shohim nga afër, pra të mund të dëgjojmë edhe të rrahurat e zemrës të këtij studjuesi të staxhionuar me punë të mëdha, nuk kemi pse të çuditemi që ai e ka kthyer jetën e tij në sukses. Sepse është ai që nuk ia ndan sytë objektit të dëshiruar dhe e synon atë me vendosmëri, deri sa ta arrijë të materjalizuar në vepra. Krijimtaria e Baba Ali Tomorrit, të të gjitha gjinive, të cilat na bëjnë dritë falë punës serioze, por edhe shumë të kualifikuar të Mehmet Gëzhillit, ka fuqi mbresëlënëse tek lexuesi, sepse është “mish e gjak”, absolutisht pa dogma e fjalë që nuk ngjisin tek një njeri i formuar intelektualisht. Përkundrazi. Madje këtu qëndron edhe madhështia dhe lavdia e këtij bektashiu zemërzjarrtë, tek botëkuptimi i tij paksa i çuditshëm, nëse kemi parasysh që ai mban të veshur xhyben e dervishit bektashi. Në të gjithë krijimet e Baba Ali Tomorrit i mëshohet çështjes kombëtare, atdheut, bashkëjetesës fetare dhe vëllazërisë midis shqiptarëve. Diku në vëllimin e parë të veprës së tij, ku përfshihen poezi, këngë popullore dhe krijime letrare nga më të arrirat, lexuesi ndoshta çuditet kur i shfaqet titulli “Jo për fe, por për atdhe”. Kam përshtypjen se studjuesi dhe botuesi i veprës së këtij kleriku të lartë bektashi, Mehmet Gëzhilli, është udhëhequr dhe e ka bërë për vete pikërisht ajo që ai nuk e ka frikë errësirën, por ama vë në funksion mendjen e tij të ndritur që të mund  të gjejë dritën. Asgjë nuk është e shenjtë po nuk qe e tillë ndershmëria e mendjes të atij që merr përsipër të ngjizë diçka nga e para. Studjuesi Mehmet Gëzhilli në këtë ndërmarje të vështirë, por punë të nisur me shumë dashuri, ka qënë dëshirë e një lloi tjetër, nga ato që njeriu vendos për të bërë diçka për tjetrin, që në këtë rast bëhet fjalë për dikë që e vuri jetën e tij në shërbim të njerëzisë, madje edhe të sakrifikohej për të, siç ishte Baba Ali Tomorri. Nuk mund të themi e të pranojmë që ky studjues i nevelit të lartë, hulumtues e zbulues i personaliteteve më me emër, që intelektin e kishin kthyer në hyjni, siç ishte Baba Ali Tomorri., të harxhonte kohë e punë të kualifikuar, dhe në fund të na serviste diçka bajate e me vlera neveritëse. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të imagjinohej nëse do të vinim në peshore studjuesin dhe krijuesin, të cilët për fat të mirë janë në barazpeshë të admirueshme. Pra vepra dhe e gjithë krijimtaria e Baba Ali Tomorrit gjeti të zotin e punës, atë që kishte zënë radhën prej kaq kohësh për t’i ngritur e bërë me shumë dashuri, as më pak e as më shumë, por një monument të argjendët. Përgatitjen dhe botimin e serisë së veprave të Baba Aki Tomorrit, botuesi Mehmet Gëzhilli e ka përjetuar si një kënaqësi të pritur gjatë, me vite e vite. Por kjo pritje e gjatë, siç ndodh shpesh, nuk se iu shit me çmim të lartë. Jo. Ai e “bleu” aq sa vlente edhe për faktin se në pjesëmarrjen në “ankandin e shpallur” ishte i vetmi që konkuroi. Pastaj rrallë ndodh në kësi punësh që të të jepet mundësia të ngresh në këmbë “bustin” e një kleriku të lartë bektashi, të Baba Ali Tomorrit, dhe inteligjenca e aftësia për të realizuar si rrallëkush një përmbledhje të të gjithë krijimtarisë në tre vëllime voluminoze e mjaft cilësore, të gjënden tek i njënjti person, tek Mehmet Gëzhilli. Njeriu i drejtë e me vlera të çmuara intelektuale shpesh ndërgjegjen e tij e sundon mirësia, ndjenja e të qënit njerëzor dhe i përpjekur për t’ju përkushtuar asaj çka i dikton zemra. Ndaj jam i prirur të them se studjuesi dhe botuesi Mehmet Gëzhilli nuk mund të mos ketë marrë fuqi, në vendimin për të sjellë të plotë veprën e Baba Ali Tomorrit, nga amaneti i tij i fundit të shprehur me fjalë përgjëruese “Më ruani dorëshkrimet”. Këto janë fjalë të thëna disa çaste përpara se të ikte nga kjo botë, përpara se ta pushkatonin. Dhe ai, ndonëse nuk ishte njeriu i duhur për të mbajtur amanete të deklaruara e të mbetura të kyçura në vite, sa s’mbahej mend, por ama, duke u njohur me kërkesën-amanet, sa njerëzore po aq edhe hyjnore “më ruani dorëshkrimet”, fill pas 70 vjetësh nga dita e ekzekutimit, s’kish si të mos nxitej për t’ju futur me gjithë shpirt “aventurës”, e cila në pamje të parë kërkonte guxim disi të tepruar, sepse do të thoshte t’i futeshe detit më këmbë. Të bëheshe garant për të botuar veprën e plotë të Baba Ali Tomorrit, duhej të kishe një besim të pamposhtur, të duhej ta ktheje atë në mision. E pra, Mehmet Gëzhilli në të gjithë këta çka na ka sjellë, si dashamirës të letrave, por edhe si bektashi, ka kryer një mission, ka realizuar atë që rrallëkush mund ta merrte përsipër për ta çuar deri në fund. I kam bërë pyetje vetes: si ndodhi, ç’shtysë ka qënë ajo që e gjithë kjo punë e madhe voliminoze të përfundonte, duke na e sjellë Baba Ali Tomorrin të plotë, ashtu si ka qenë, por edhe të pastërt e të qelibartë si ai? Sigurisht që studjuesi Mehmet Gëzhilli goxoi por, siç thotë një filozof, guximi nuk të hyn në punë, nëse inteligjenca nuk e nënshtron. Pra e thënë shkurt, ky punëmadh që ka shok vetëm veten, arriti të na sjellë “universitetin” e klerikut mendjendritur Baba Ali Tomorri, falë formimit të tij të kompletuar. Vepra e plotë e Baba Ali Tomorrit, e shumëpritur nga lexuesi shqiptar, por sidomos nga ai bektashi, është sistemuar bukur dhe me kompetencë profesionale në tre vëllime. Natyrisht që nuk ka vend për t’u marrë me hollësi rreth kësaj gjëje, pra të shtjellohet në detaj se si e qysh e ka projektuar e ngritur këtë ndërtesë tre-katëshe arkitekti i botimeve serioze Mehmet Gëzhilli. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se edhe në vendosjen e krijimeve; të poezive, të këngëve popullore, të problemeve për gjuhën, për forklorin, për letërsinë, publicistikën, aforizma bektshinjsh etj., çdo gjë është në vendin e vet, sipas një “protokolli” të pranuar nga ustallarë të këtyre punëve. Dhe në këtë zgjedhje studjuesi është prirë nga formimi i tij intelektual dhe jo nga frika e gabimeve, që mund të bëhen nga një punë rutinore. Parë në këtë vështrim edhe këto detyra, në dukje të vogla, janë parë si të shenjta, që edhe ato duhet të trajtohen me shumë kujdes, por edhe me shumë dashuri, si të ishte aty pranë makinerisë të shtypshkrimit autori i tyre, i madhi Baba Ali Tomorri. Botuesi i veprës së plotë të klerikut mendjendritur Baba Ali Tomorri meriton fjalë nga më lavdërueset, sepse është ai dhe vetëm ai që u rezistoi pengesave, përplasjeve nga më të rëndomtat, që përpiqeshin të bëheshin barierë në kërkim dhe të zbulimit të kësaj dritetë pashoqe në historinë e krijimtarisë dhe filozofisë bektashiane. Komplimenti në këtë rast është jo vetëm një dhuratë për studjuesin Mehmet Gëzhilli, por edhe një bekim për të, si i dërguari nga “ai lart” për të realizuar e për të na e sjellë në dorë këtë dhuratë të jashtëzakonshme. Zoti, ka thënë politikani dhe filozofi Mahatma Gandi, nganjëherë i vë në prova të mëdha njerëzit që dëshiron të bekojë. Studjuesi Mehmet Gëzhilli u vu dhe e kaloi këtë provë të madhe ndaj edhe s’ka përse të mos e meritojë këtë bekim.