Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Partia Demokratike duke iu referuar pikës 4, të nenit 114 të Rregullores së Kuvendit, bën me dije se kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka shkelur rregulloren. Selia blu bën me dije se Nikolla ka minuar demokracinë duke i mbyllur “gojën” opozitës për aferën e Edi Ramës, i cili është kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane duke bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë.“ Edi Rama, i kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një angjent të FBI të lidhur me Rusinë, jo vetëm iu fsheh Kuvendit, por detyroi Lindita Nikollën të mbyllë Parlamentin. Veprimi i Kryetares së Kuvendit, është akt i paprecedentë në 32 vjet demokraci. Në shkelje flagrante të Rregullores, Kryetarja e Kuvendit i mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës, duke përdhosur parlamentarizmin dhe duke minuar funksionimin demokratik të Kuvendit. Ndërsa drejtësia amerikani asgjësoi politikisht Edi Ramën, duke faktuar para botës mbarë, lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, Kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin për llogari të Edi Ramës.Gjithashtu, nga Parlamenti i Shqipërisë ka humbur mundësinë për të funksionuar në mënyrë demokratike dhe përgjegjës për këtë janë vetëm Edi Rama dhe Lindita Nikolla. Për shkak të shkeljes flagrante të Rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, bazuar në pikën 4, të nenit 114 të Rregullores, ka vendosur të nis procedurën për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit znj. Lindita Nikolla”, njofton Partia Demokratike. Arrestimi i ish-zyrtarit të FBI-së, Charles McGonigal ishte një kal beteje për opozitën në Kuvend, ku me insistim u kërkua që të ishte i pranishëm për të dhënë llogari kryeministri Edi Rama, i cili dyshohet se ka paguar “mikun e tij” amerikan për lobingje dhe sulme ndaj Partisë Demokratike.Teksa i kërkoi kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla që të thërrasë kryeministrin për t’i shpjeguar shqiptarëve përfshirjen në skandalin që po hetohet në Nju Jork, Enkelejd Alibeaj jashtë sallës së Parlamentit kërkoi që Prokuroria e Posaçme Anti-korrupsion të tërheqë dosjen nga SHBA.