Suplementi Pena Shqiptare/ Riza Çato: S’më duhen më ëndrrat e tua

138
Sigal

S’më duhen më ëndrrat e tua

S’më duhen më ëndrrat e tua!

Eh tani u plaka.

Në do të të dërgoj më thua,

po jane pak si të gjata.

 

S’janë më rinore (punë pleqërie),

s’besoj të të tërheqin.

Kanë brenda lodhje, çaste mërzie,

asgjë nuk mund të ndreqin.

 

Janë me doktorë e me ilaçe,

dhe mund të të trembin.

Nuk janë si lulet nëpër bahçe,

ndoshta mund të të dhëmbin.

 

Janë me rënkime dhimbjesh,plagësh,

me trasta farmacie.

Sikur të jem dimër i lagësht,

me teka fëmije.

 

Janë shumë të trishta (dhe mund të qash),

po unë se dua lotin.

U bën tre vjetë të tilla pash,

helmuan dhe të zotin.

 

Kështu dhe unë s’po të dërgoj,

nga ty s’dua e s’dua.

Ato të parat po i strehoj,

po askujt mos i thua.