Suplementi Pena Shqiptare/ Elpiola Lluka: “Deluzion i dehur njerëzish”

Elpiola Lluka
“Deluzion i dehur njerëzish”

Ishte muaji shtator. Vjeshta sapo kishte filluar rrugëtimin e saj drejt nesh… Dhe ne bashkë me të qëndisnim hapat me gjethe bojë ari; Vjeshta zhvishte pemët një nga një, ne vishnim shpirtin me të artën e gjetheve huazuar. E duke ecur seç krijohej një lloj simfonie herë me nota melankolie, herë me harmonika gëzimi… Ajo kërcitja e gjetheve herë të lagura nga shiu, herë të thata nën rrezet e zbehta diellore, jepte një vijë melodike me rrahjet e zemrës. Asfalti kishte marrë shkëlqim pasqyrë prej pikave që vazhdonin të binin, sikur donte të tregonte se trishtimi gjithmonë jep iluzionin e një pamjeje të bukur në sipërfaqe! Pikërisht ashtu ishte; Mes gjithë asaj bukurie që falte natyra në këtë stinë, atje buzë rrugës qëndronte një lypsar i veshur me rrecka dhe këmbëzbathur… I ftohti vjeshtor, sapo kishte filluar, e gjithë peisazhi i bukur dhe i ngrohtë përmbysej në kraharorin dhe ngrinte në vështrimin e asaj krijese që qëndronte strukur në cep të një peme shtatlartë bliri. Ajo bimë drurore mundohej ta mbronte nga pikat e shiut me furi, por nuk e mbronte dot nga përmbytja e rrebeshit të ndienjave! Po po, ato ndienja trishtimi të cilat i ngjajnë një ajsbergu, ku në sipërfaqe duket i vogël, por në brendësi përmasat shumëfishohen. Kalova më afër dhe me një kaplim dridhjesh të duarve zgjata disa qindarka të cilat ishin rutina e çdo dite. Me shikim të thellë ai njeri pranonte ato pak të holla dhe mirënjohja e atij shikimi kalonte përtej infinitit jetësor… E dija që ajo pak adrenalinë zgjaste një minutë, e më pas realiteti i hidhur trokiste përsëri në portat e mendjes! Pastaj më tutje vërshonin baret, lokalet dhe restorantet rresht… Askush nuk i ofronte një strehë sa të pushonte shiu, askush nuk i ofronte një pjatë të ngrohtë për të mposhtur urinë, askush nuk i ofronte një pije për të shuar etjen… I vetmi ofrim që jepnin ishte indiferenca, përçmimi i atyre ndërtesave të bukura në dukje, por me mure te ftohta, indiferente, të padepërtueshme nga humanizmi! Zhurmat e enëve që servirnin ushqimin kamarierët me gjysëm buzëqeshje tek klientët, që qëndronin nëpër tavolina, të jepnin deluzione të një shpendi grabitqar që përpiqet të joshë prenë e vet! Larmia e pijeve të forta dehte akrepat e orës që vraponin kot! Muzika, e cila kumbonte anembanë, shurdhohej në veshët e hidhëruar të skamjes së shpirtit e mbytej në zërin e ndërgjegjes, të së vërtetës! Ajo tablo luksi shëmtohej, vjetërohej e shëmbej nën këmbët e zbathura të një krijese të mjerë mbi asfalt! A do i lante dot shiu ngjyrat e hirta të hipokrizisë, a do i lante dot ato pikat e helmatisura mbi piedestalin materialist të injorancës, a do e lante dot ajrin e parfumuar prej grykësisë?! Ngopja e barkut nuk ka kuptim në një mendje të zbrazët… Buzëqeshja nuk jep aspak shkëlqim në një zemër të ngushtë… Pasuria nuk merr asnjë vlerë në një shpirt të varfër… Superioriteti i elegancës është bujaria, ndërsa inferioriteti i klasit është ligësia! Ajo qënie pa të mira materiale, midis atij kaosi falsiteti, ishte qënia më e pasur që të zinin sytë! Mora frymë thellë dhe u mundova të largoj me hapat e lagështa urrejtjen për atë nivel të ulët individësh aspak njerëzorë!

NOA

E arta e gjetheve ishte baltosur mes pluhurit dhe errësisë tokësore. Hapat shtoheshin, teksa qielli i ngrysur vazhdonte të zbrazte lotët e zemërimit…