Suplementi Pena Shqiptare/ Pullumb Ahmeti: Ikën, ikën, rrugëve duke gulçuar…

619
Sigal

Natë e zezë Shkurti me gjëmë,
Hëna mbuluar syrin me tis reje,
Gjumi gjithë natën s’e kish zënë,
Ulërinë hatullave zëri i një ere.

Një trup i rënduar nga mosha,
Një dorë shkarpa i hedh vatrës,
Jashtë llohë dëbore hidhte koha,
Dridhje zemre kish prej darkës.

Trau i kulmit, i vjetër sa tre breza,
Nxirë dimrave mot-mote tym i zi,
Rrinte netëve vatrës kallogreja,
Mbytur shpirti,i heshtur në vetmi.

Ikën, ikën rrugëve larg duke gulçuar,
mërmëriste mes brengës së vrarë,
U hidhte shtretërve për t’i mbuluar,
Një batanije ku me zor tërhiqte zvarrë.

Syrin e lotuar ulej fshinte në jastëqe,
E vyshkura dorë seç i dridhej ledhatimit,
E puthjen e saj zemërbrengosur jepte,
Me buzët eshkosur djegur përmallimit.

Gjumi lehtë shpesh e zinte shtratit,
Mes erës së trupit me djersë të tyre,
Në ëndrra çmallej i lutej dhe fatit,
T’u shihte pa ikur botës dritën e syve.

Mbetur fillikat me erën mërmëriste,
Mbyste zë-mekurin natën ulërima,
-Hej ti erë mos më lër vetëm!, i fliste,
Pranë do të të dua, kur t’më lerë fryma.

Kërcisnin shkarpat vatrës nxirosur,
Kërciste dhimbja me ulërimat e erës,
Ikën ,ikën harruar mbetën përtej botës,
Vatrës hirosur drutë si orët e shpresës.

Kërciste trau i çatisë, era shfryn ulërimë
Hirosur shkarpat, kongjijtë ishin shuar,
Trupi shtrirë ndan vatrës, mbetur pa frymë.
Ikën, botës një herë të vetme s’u kujtuan.

Ra trau i çatisë muret mbetën shkretë,
Netëve me erën dëgjohej kukuvajka,
Gurët e rrëzuar varr ç’ju bën për jetë,
Rënkimet e saj dëgjonte vetëm nata.