Av. Dorian Matlija :Kujdestari i Zvërnecit

Te filmi “Lulëkuqet mbi mure”, Sulo nuk vritet nga kujdestari. Ai vritet nga patrulla e pushtuesit të huaj. Por, për të mos shpërthyer revolta dhe për të mos u dukur qartë se fëmija ishte vrarë nga vetë rendi pushtues, autoritetet arrestojnë kujdestarin. E paraqesin atë si shkaktarin e tragjedisë. Me këtë akt lajnë duart. Ja pra, drejtësia veproi, fajtori u gjet dhe ja pra, shteti nuk është barbar, por i drejtë.
Dhe pastaj vjen drejtori i jetimores. U kërkon falje fëmijëve. U thotë se kishte gabuar që u kishte lënë mbi kokë një kujdestar mizor. Por kjo falje nuk e cenon sistemin. Nuk prek pushtimin, dhunën që rri pas mureve dhe prek dorën që e krijoi kujdestarin, e ushqeu, e përdori dhe, kur u bë i bezdisshëm, e flaku si leckë.
Kjo është pikërisht ajo që ndodhi një moment në Zvërnec.
Pas dhunës së rojeve private ndaj protestuesve, pas pamjeve ku qytetarë goditen, shahen, kërcënohen, spërkaten me spraj piperi dhe ku një protestues merret zvarrë nga njerëz që nuk janë polici e shtetit, por polici private e një kantieri, na u dorëzua menjëherë një “kujdestar” që u quajt nga kryeministri si “hajvan”. Roja u arrestua. Dy kompanive të sigurisë iu hoq licenca. Kryeministri doli dhe tha, pak a shumë që shteti reagoi, fajtori u ndëshkua, rendi u vendos.
Por pyetja është: a ishte problemi roja? Apo roja ishte vetëm figura më e ulët, më e dukshme dhe më e sakrifikueshme e një mekanizmi shumë më të madh?
Sepse protesta në Zvërnec nuk lindi nga një grusht i një rojeje, as nga një spraj piperi, apo nga sjellja brutale e ndonjë individi me uniformë private. Protesta lindi nga rrethimi. Nga ndjesia se një pjesë e territorit, e natyrës, e peizazhit, e kujtesës dhe e hapësirës publike po ndahet me gardhe, me tela, me roje dhe me arrogancë. Protesta lindi nga pyetja më e madhe që është “kush e ka të drejtën të marrë një zonë të tillë dhe ta kthejë në një hapësirë të mbyllur e të privatizuar?
Te “Lulëkuqet mbi mure”, muret e jetimores nuk janë thjesht mure. Ato janë kufiri midis fëmijëve dhe lirisë, midis frikës dhe dinjitetit. Janë vendi ku pushteti fshin parullat, por nuk arrin të fshijë të vërtetën.
Edhe gardhet e Zvërnecit nuk janë thjesht gardhe kantieri. Ato janë mesazh. Janë deklaratë force. Janë mënyra për t’u thënë qytetarëve që deri këtu është toka juaj dhe se përtej këtij rrethimi fillon territori i investitorit, i rojeve, territori ku shteti nuk sillet më si garant i publikut, por si legen i privatit.
Prandaj arrestimi i një rojeje nuk e zgjidh skandalin. Ai e mbulon. E ngushton problemin deri në atë masë që i intereson pushtetit që të përçojë propagandën që problemi nuk është projekti, gardhi, pushtimi i hapësirës, intimidimi i qytetarëve, apo fakti që rojet private u sollën sikur kishin pushtet publik. Problemi, sipas kësaj skeme, është vetëm një njeri që “e teproi”.
Kjo është formula klasike e larjes së duarve. Kur skandali bëhet i dukshëm, pushteti nuk heton veten, por gjen një “kujdestar”.
Kujdestari i Lulëkuqeve mbi mure ishte mizor. Por mësuesi ua thotë fëmijëve qartë se ai është vegël e pushtuesit. Sot e fusin në burg sa për të thënë se u bë drejtësi, nesër e nxjerrin prapë. Sepse sistemi ka nevojë për të. Ka nevojë për kujdestarë që bëjnë punët e pista, që ruajnë muret, që trembin të vegjlit, që godasin ata që nuk duhet të afrohen.
Në Zvërnec, roja private është thjesht kujdestari i rradhës. Ai është dora që godet, por jo mendja që urdhëron rrethimin. Ai është figura që shfaqet në video, por jo arsyeja pse atje janë vendosur gardhet. Ai është njeriu që arrestohet sot, ndërkohë që mekanizmi që e prodhoi mbetet ende në këmbë. Sot i hiqet një licencë një kompanie. Nesër hapet një kompani tjetër, me emër tjetër. Por funksioni mbetet i njëjtë, që të ruajë murin nga qytetarët.
Në këtë histori, Kryeministri nuk është shteti që vendos drejtësi. Ai është drejtori legen i jetimores. Ai del pas skandalit, i ashpër me kujdestarin, i zemëruar me teprimin, i gatshëm të kërkojë ndëshkim për hallkën e fundit. Por ai nuk e vë në diskutim murin. Nuk e vë në diskutim as logjikën që e solli qytetarin përballë rojes private, si dhe faktin se policia e shtetit dukej e zënë ngushtë përballë një force private që sillej sikur kishte autoritet mbi territorin, mbi protestën, madje edhe mbi vetë rendin publik.
Dhe këtu qëndron hipokrizia më e madhe.
Sepse shteti nuk matet me faktin nëse arreston një roje pasi videoja bëhet skandal publik. Shteti matet me faktin nëse e parandalon krijimin e një situate ku rojet private marrin guximin të sillen si pushtues në mes të ditës, përballë qytetarëve, përballë kamerave, madje edhe përballë policisë.
Nëse qytetari që proteston për territorin e vet përballet me spraj piperi, grushte, fyerje, kërcënime dhe tërheqje zvarrë, atëherë problemi nuk është vetëm dhuna. Problemi është rendi që instalohet, ku prona, investimi dhe gardhi kanë më shumë mbrojtje se qytetari. Rendi ku polici publik rri si spektator, ndërsa polici privat vepron si zot i vendit, ku natyra mbyllet me tela me gjemba dhe pastaj quhet zhvillim.
Lulëkuqet mbi mure japin mesazhin se pushteti nuk ka gjithmonë nevojë të dalë vetë me armë në dorë. Ndonjëherë mjafton të ketë një kujdestar. Dikë që ulërin, tremb, godet dhe ruan murin. Dhe kur plaga del në dritë, pushteti e sakrifikon kujdestarin për të shpëtuar murin.
Kjo është arsyeja pse arrestimi i një rojeje dhe heqja e një licence nuk mjaftojnë. Sepse çështja nuk është vetëm kush e goditi protestuesin. Çështja është kush e ngriti murin. Kush e lejoi. Kush e mbrojti. Kush e shpjegoi si me qenë ëndërr me gjellë pasanikësh. Kush e trajtoi revoltën qytetare si bezdi, ndërsa dhunën private si një incident të vogël administrativ.
Në fund, Sulo nuk vdiq nga kujdestari. Vdiq nga pushtimi. Kujdestari ishte vetëm vegla.
Edhe në Zvërnec, dhuna e rojeve private nuk është ngjarje e shkëputur. Është simptomë. Është fytyra e vogël, brutale dhe e dukshme e një pushtimi më të madh që është pushtimi i territorit publik nga interesa private, pushtimi i autoritetit të shtetit nga lëpirja e investimit, pushtimi i qytetarit nga frika se nesër çdo plazh, çdo pyll, çdo lagunë, çdo shteg mund të ketë një mur dhe një kujdestar.
Prandaj nuk duhet të na mashtrojë fare arrestimi i kujdestarit të rradhës. Pyetja nuk ishte dhe nuk është a do dënohet kujdestari. Pyetja është a do të shembet muri?
NOA