AKTIVITETE MBRESËLËNËSE DY DITPORE NË PËRMET DHE FRASHËR, NË KUJTIM TË 180-VJETORIT TË LINDJES SË NAIM FRASHËRI
Nga Nuri ÇUNI
Ditët, e diela dhe e hëna, 24-25 mars 2026, ishin dit’ të ngjeshura me aktivitete të shumta, në kuadër të përkujtimit të 180-vjetorit të lindjes së poetit kombëtar, rilindasit Naim Frashërit.
Këto aktivitete të zhvilluara në qytetin e Përmeti dhe në Frashër, ishin pjesë e projektit të hartuar, realizuar e mbështetur nga Selia e Shenjtë e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Bashkia e Përmetit dhe Shoqata “Vëllezërit Frashëri”-Përmet. Përveç titullarëve të mësipërm, Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj; Kryetar i Bashkisë Përmet, Alma Hoxha dhe kreu i Shoqatës Vëllezërit Frashëri, Tomorr Kotorri, merrnin pjesë funksionarë lokal e shtetërorë, akademikë, profesorë nga hapësirat mbarëshqiptare dhe nga shumë vende të botës. Aktiviteti përmbante një sesion shkencor, promovimin e një antologjie me pjesëmarrjen e 100 poetë shqiptarë e nga vende të ndryshme të Botës; shpalljen e fituesve të konkursit ndërkombëtar për këtë event; interpretime këngësh, krijimesh poetike, vallesh etj. Një nga surprizat e veçanta të këtij eventi, ishte dhe dorëzimi i titullit “Hoonoris Causa”, nga akademik Sulltan Caëo, i Universitetit të Nju Jorkut SHBA, për të cilin do të publikojmë detaje, ditët e ardhshme. Aktivitetet e ditës së parë, u zhvilluan në Përmet, ndërsa ato të ditës së dytë, në Frashër.

DITA E PARË. PËRSHËNDETJE E TOMORR KOTORRIT
…Mirë se vini në këtë eveniment kulturor të veçantë, ku po nderojmë figurën e ndritur të Naim Frashëri, poetit që punoi për aksionin e lirisë kombëtare, i dha bukurinë shprehjes, urtësinë dhe virtytin fjalës shqipe, duke u shndërruar kështu në një engjëll të shqiptarizmës.. Ky takim është më shumë se një poeteke, është një vatër e dijes, e artit dhe e shpirtit shqiptar, ku bashkohen zëra nga trojet shqiptare dhe nga mbarë bota. Në këtë atmosferë, poezia bëhet pishtari i mendjes dhe shpirtit, që ndez dritën e shpresës dhe kujton amanetin e vëllezërve Frashëri: “Të duam, ta mbrojmë, ta lartësojmë Shqipërinë.” Çdo varg, çdo poezi, çdo fjali është një udhë për brezat, u kujton rëndësinë e kulturës, dijes dhe bashkimit kombëtar. Kjo antologji është një homazh i gjallë për Naim Frashërin dhe për idealet e tij, një dëshmi se poezia nuk njeh kufij dhe vazhdon të frymëzojë zemrat dhe mendjet e njerëzve. Një mesazh të përjetshëm: dashuri për gjuhën, për kulturën , për kombin, jetën dhe Lirinë. Falënderoj me këtë rast redaktorin dhe bashkë përgatitësin e kësaj antologjie, poetin, shkrimtarin dhe publicistin e njohur Kujtim Boriçi për punën që ka bërë…

PËRSHËNDETJA E DEDE EDMOND BRAHIMAJT
…Me ndjenjë të veçantë respekti e mirënjohjeje jemi mbledhur sot në “Ditët Naimiane”, për të përkujtuar 180-vjetorin e lindjes së një prej figurave më të ndritura të kombit shqiptar — poetit, mendimtarit dhe Rilindasit të madh, Naim Frashërit. Naimi nuk ishte vetëm një poet kombëtar i fjalës së bukur shqipe. Ai ishte një udhërrëfyes shpirtëror i shqiptarëve. Në vargjet dhe mendimin e tij gjejmë harmoninë midis fesë dhe atdheut, midis dashurisë për Zotin dhe dashurisë për njeriun, midis urtësisë mistike dhe idealit kombëtar. Ai ishte biri i madh i Frashërit, i dalë nga një vatër e bekuar shqiptarie dhe spiritualiteti. Fryma bektashiane, në të cilën u formua, ndikoi thellësisht në mendimin dhe krijimtarinë e tij. Bektashizmi për Naimin nuk ishte vetëm një përkatësi fetare; ishte një rrugë dashurie, drite, tolerance dhe njerëzie. Në veprën e tij të njohur “Fletore e Bektashinjet”, Naim Frashëri paraqet në mënyrë të thellë filozofinë humane dhe universale të bektashizmit. Aty ai shkruan për dashurinë ndaj Zotit, për barazinë mes njerëzve, për urtësinë dhe për nevojën që njeriu të pastrojë zemrën e tij. Naimi shkruan: “Bektashinjtë janë vëllezër, duan si shpirtin edhe njerinë.” Kjo fjali e thjeshtë përmbledh të gjithë filozofinë e paqes dhe humanizmit që ai mbarti gjatë gjithë jetës së tij. Në një tjetër pjesë ai shkruan: “Pa dashuri s’ka jetë.” Dhe vërtet, gjithë vepra e Naimit është ndërtuar mbi dashurinë- dashurinë për Zotin, për kombin, për gjuhën shqipe dhe për njerëzimin.

Në librin “Qerbelaja”, ai sjell me ndjeshmëri të rrallë sakrificën e Imam Hyseinit në Qerbela, si simbol të së vërtetës, drejtësisë dhe qëndresës kundër padrejtësisë. Përmes kësaj vepre, Naimi nuk shkruan vetëm histori fetare; ai u jep shqiptarëve një mesazh moral dhe shpirtëror: se njeriu duhet të qëndrojë gjithmonë në anën e së drejtës dhe të mos e humbasë kurrë dinjitetin e tij.
Ai e ngriti figurën e Imam Hyseinit si simbol të sakrificës për të vërtetën dhe lirinë. Kjo frymë lidhej edhe me idealin kombëtar shqiptar, sepse për Naimin feja dhe atdheu nuk ishin kundërshtim, por plotësim i njëra-tjetrës. Në “Lulet e Verës”, në “Bagëti e Bujqësia”, në “Historia e Skënderbeut” dhe në shumë vepra të tjera, ai ndërtoi një univers poetik ku natyra, besimi, atdheu dhe morali njerëzor bashkëjetojnë në harmoni të plotë.

Kur lexojmë vargjet e tij: “Ti Shqipëri, më jep nder, më jep emrin shqipëtar,/ Zemrën ti ma gatove plot me dëshirë e me zjarr.”, kuptojmë se për Naimin atdheu ishte amanet shpirtëror. Shqipëria për të nuk ishte vetëm tokë; ishte identitet, ishte besë, ishte mision.
…Sot, duke nderuar Naim Frashërin, ne nderojmë njëkohësisht kulturën shqiptare, urtësinë bektashiane dhe shpirtin fisnik të kombit tonë.

PËRSHËNDETJE E ALMA HOXHËS, KRYETARE E BASHKISË PËRMET
…Mirëse keni ardhur në Përmetin tonë, në këtë aktivitet të rëndësishëm që organizohet me rastin e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit! Me përgatitjen dhe botimin e antalogjisë poetik, ‘100 poetë për Naim Frashërin’ me poezi të autorëve shqiptarë dhe të huaj që kemi në duar, ne realizojmë së bashku një projekt të rëndësishëm që e bën më të bukur dhe më të plotë, përkujtimin e poetit e rilindasit të madh, Naim Frashëri, në vitin jubile të 180-vjetorit të lindjes së tij. …Naim Frashëri e vëllezërit e tij, ishin e do të mbeten ikona të atdhetarisë, duke frymëzuar brezat. Sigurisht, që ne përmetarët, jemi krenarë për këtë realitet… Vështirë të gjesh një shqiptar, të madh e të vogël, që nuk i di këto vargje dhe emrin e Naim Frashërit, rilindasit të madh që me fjalën e tij i dha dritë mendimit dhe shpirtit shqiptar dhe që i përkasin ndërgjegjes kombëtare që ka udhëtuar ndër kohë…

KUJTIM BORIÇI: RISITË QË SJELLË ANTOLOGJIA POETIKE PËR NAIM FRASHËRIN
…Duke qenë redaktor i librit dhe pjesë që në nisje të këtij projekti, dua të theksoj se krahas vështirësive të shumta që kanë nisma të tilla, duke pasur një mbështetje e angazhim të vazhdueshëm nga një grup profesionistësh në këtë redaksi; gatishmëri për pjesëmarrje të poetëve nga vendi, Kosova, Maqedonia e shumë shtete të kontinentit e më gjerë, shpresojmë të kemi arritur të bëjmë ditka të mirë. … Sigurisht, një projekt i tillë, ka dhe shumë vështirësi, për kalimin e tyre, u desh jo pak mund e kohë.

Së pari, numri i pjesëmarrësve ishte shumë i madh, poetë të njohur e të rinj dhe, konsultimi me krijimet e tyre, deri në përzgjedhje, kërkoi angazhim e jo pak kohë.
Së dyti, poezitë e poetëve të huaj ishin në gjuhët e tyre dhe përkthimi në shqip, me vështirësitë që ka përkthimi ik poezisë, kërkoi mund.
Së treti, paraqitja e shumë poezive bruto, pa përzgjedhje e redaktim, vështirësoi ecjen e procesit sipas planifikimit paraprak.
Shto këtu dhe vështirësitë e procesit të botimeve, që nisin nga grumbullimi i materialeve, përzgjedhja, korrektimi, redaktimi, faqosja, deri në printim, deshën kohën e vet.
NGA KUMTESA E KUJTIM BORIÇIT
…Duke iu përmbajtur objektit për të cilën unë po flas, pra raporti me mesazhet kombëtare të Frashërllinjve të mëdhenj dhe situata konkrete sot, mendojmë se çedojmë. Më thjeshtë, a ja bëjmë pyetjen vetes sejcili, se çfarë bëjmë ne për Naimin, Universin Naimian, sot, në çfarë situate jemi. Dhe kur shtrojmë këtë pyetje, së pari Përmeti duhet të jetë krenarë dhe në ballë të këtij angazhimi e detyrimi moral dhe kombëtar. Por fatkeqësisht nuk është kështu. Pse?!
Sigurisht, kjo antologji është një arritje, por dhe nesër këtu, në këtë vend, bëhet një aktivitet tjetër, po në kuadër të 180 vjetorit të Naim Frashërit; një pjesë e këtyre njerëzve që janë sot në këtë sallë, do të jenë dhe nesër; ka dhe një libër, (ndonëse e gjinisë tjetër) nesër; po do të ketë dhe ata çmime fituesish!? Po e bën një shoqatë tjetër, se ky Përmet, ka tri shoqata që kanë simbol Naimin e Frashërllinjtë. Me sa më thanë, po bëhet gati dhe një tjetër shoqatë, sikur të mos mjaftojnë këto… Frashërllinjtë, përmetarët, janë të kulturuar, shembull për unitetin… Po nuk bashkohen xhanëm në një shoqatë, se një Naim ka qenë, dhe bashkë bëjmë e bëni më të mirën! Nuk më vjen mirë që vitet e fundit, mbijnë ‘foltore’ dhe shoqata paralele, bile nga afro 200 organizma të tillë, bëhen sa gishtat e dorës ata që nuk janë ndarë në 2-3 degë. Kështu, jo të bashkuar, besoj e besoni dhe Naimi nuk na donte…
Do u sjellë një fakt të përjetuar, që tregon se çfarë force ka universi naimian dhe si i mbledh shqiptarët dhe në mes të Parisit. Në ditët e Naimit që bëhen atje, në një teatër në qendër e nga më të mirët, me 1200 pjesëmarrës të gjuhëve e racave e kombësive të ndryshme, Naim Frashëri foli jo vetëm shqip, por dhe në frëngjisht e gjuhë të tjera. …Tre vite më parë, u botua një libër interesant nga Kryegjyshata, ku unë jam bashkautor, ‘Naim Frashëri, apostull i Bektashizmit’, rreth 800 faqe me materiale studimore të rëndësishme, me publicitet mediatik të jashtëzakonshëm. … U bë ky libër pjesë e bibliotekave shkollore, universitare e akademike, në Kosovë e Maqedoninë e Veriut kryesisht. Ndërsa në Përmet, njerëzit e interesuar, me dijeninë që kemi, janë pothuaj sa shoqata që kanë objekt Frashërllinjtë…
…Naim Frashëri, i ka dhënë jetë, qëndresë gjuhës shqipe, me “Gjuha shqipe, sa e ëmbël sa e mirë…”. Po çfarë po ndodh me gjuhën shqipe, pasurinë më të çmuar të bashkëkombësve tanë që jetojnë jashtë kufijve të tokës mëmë në Maqedoninë e Veriut… Naimi nuk është i qetë atje ku është për këtë situatë, e ne duhet të ndjejmë përgjegjësinë që duhet, seicili.
MIRËNJOHJE TË KRYEGJYSHIT BOTËROR BEKTASHIAN
Në ditën e parë të aktivitetit që u zhvillua në kinemanë e qytetit të Përmetit, para të pranishmëve, në mënyrë ceremoniale, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Shenjtëria e Tij, Haxhi Dede Baba, Edmond Brahimaj, dha dhe mirënjohjet e mëposhtme:
Alma Hoxha, Kryetar i Bashkisë Përmet: “Në vlerësim të punës dhe mbështetjes së saj në aktivitetet e vazhdueshme, kushtuar vëllezërve Frashëri, si dhe për bashkëpunimin sistematik me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.”
Akademik Sultan Catto(SHBA): “Për njohjen, vlerësimin, publikimin dhe promovimin e vlerave të Bektashizmit dhe misionit bektashian”
Profesor, Cosantin Barbu (Rumani): “Për angazhimin e vazhdueshëm në njohjen, publikimin mediatik dhe vlerësimin e personaliteteve të bektashizmit, veçanërisht të vëllezërve Frashëri.”
Profesor, Dino Koubatis (Greqi): “Për kontributin e vazhdueshëm në njohjen, publikimin mediatik dhe vlerësimin e personaliteteve të bektashizmit, veçanërisht vëllezërve Frashëri, si dhe për poezitë dhe krijimtarinë e tij, kushtuar rilindësve shqiptarë”.
Akademik, Jeton Kelmendi (Kosovë): “Për aktivitetin e tij publik, si studjues, poet e shkrimtar, që ka ndriçuar më tej kontributin fetar e atdhetar të Naim Frashërit e vëllezërve të tij dhe për vlerësimin ndaj figurave të njohura dhe personaliteteve të Kombit Shqiptar.”
Tomorr Kotorri: “Për punën e vazhdueshme në krye të Shoqatës Atdhetare Kulturore Mbarëkombëtare, “Vëllezërit Frashëri”, numrin cilësor dhe sasior të aktiviteteve me këtë objekt si dhe bashkëpunimin me Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.”
ÇMIMET VJETORE TË REVISTËS ‘URTËSIA’:
Kujtim Boriçi, ftoi së pari personalitetet kryesorë që të ngjiteshin në skenë, për të komunikuar e dhënë çmimet fituese vjetore të revistës ‘Urtësia”. Fituesit e çmimeve:
Z: Lumo Kolleshi: “Fitues i çmimit të parë në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, Organ i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, për poezinë “Vëllezërit të Frashëri”.”
Z: Fatmir Popja: “Fitues i çmimit të dytë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, për reportazhin “Një udhëtim në objektet bektashiane të trevës së Gramshit”.
Z: Agim Bajrami: “Fitues i çmimit të dytë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, për poezinë “Në vendlindjen e vëllezërve Frashëri”
Z: Mimoza Osmani: “ Fituese e çmimit të tretë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia” , për poezinë “Naimi””
Z: Elisabeta Isufi: “ Fituese e çmimit të tretë, në konkursin vjetor të revistës “Urtësia”, , për poezinë “ Dritë që s’njeh perëndim”.
ÇMIMET E KONKURSIT NDËRKOMBËTAR
Me mjaft interes u ndoq momenti kur Kujtim Boriçi, në cilësinë e kryetarit të jurisë (Përbërë dhe nga Diana Çuli, Jeton Kelmendi, Lumo Kolleshi e Angjelina Xharra), publikoi dhe fituesit e çmimeve të konkursit ndërkombëtar “110 poetë për Naim Frashërin”, përfshirë dhe në antologjinë e sapo prezantuar. Fituesit:
Z: Odise Kote: “Fitues i çmimit të parë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Frashër o Frashër…!”.
Z: Dino Kubatis (Greqi): “Fitues i çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Heroi Kombëtar, Naim Frashëri”.
Z: Constantin Barbu (Rumani): “Fitues i çmimit të dytë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, me ‘Poezi për Naim Frashërin”.
Zj. Mimoza Vasku: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Fjalët, si flakë në letër” .
Zj. Mirela Arllati: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Mali që flet shqip”.
- Bekim Kelmendi: “Fitues i çmimit të tretë në konkursin ndërkombëtar për poezinë, “Për ty Naim…”.
Përgatiti faqet:
Kujtim BORIÇI






















