Suplementi Pena Shqiptare/ Poezi nga Timo Flloko

485
Sigal

Në emër të jetës

Me lajme të trishtë vdekjesh, erren ditët,
Krah makthit, ankthit dëshpërues të netëve,
Covid – 19: Frikë e tmerr për jetën,
Për botën mbarë, për njerëzit dhe veten.
Rreken shkencëtarët, pa mundur ta ndalin,
Këtë vrasës të padukshëm, tinzar e i kobshëm,
Komplot i fshehtë, djallëzor të jetë ky, vallë,
Fatalitet absurd, i përmortshëm…?!
Apo mallkim qiellor për faje tokësore,
Për shkaqe të errëta, që s’ua gjejmë kuptimin…?
Nga erdh’ ky fat i keq e ra si kryq i tmerrshëm,
Mbi shpinë të planetit tonë, si ndëshkim?!
Pandemi e përbotshme, sa jetë po shuhen…
Përkundër vdekjes, vendosëm izolimin,
Ngujimim pa kohë, me muaj, ditë e net,
Si të vetmen udhëdalje shpëtimi…
Sado t’ia ndalësh frymën, njeriut në dobësi,
Mbyllur si në burg, t’ia privosh lirinë,
Etjen për jetë, shpresën dhe shpirtin e tij,
S’mund t’i prangosësh, t’iu vësh karantinë…
Ndale dorën vrasëse, virus i mallkuar,
Grykës i panginjur, që po na e sos durimin,
Jo mijëra… por miliona jetë sikur të marrësh,
Nuk mund ta shfarrosësh dot kurrë njerëzimin.
Nga hiri i vet mitik, do rilindë si feniksi,
Mjerë kush e shpërfill, fuqinë e të pambrojturit,
Që vdekjes i bën sfidë, e mposht a bëhet fli,
Në emër të jetës, që ia fali Zoti!

Pija që deh

I thashë zemrës, je në risk
Kur kaq fort ti rreh!
Pse të trembem, thotë zemra
Ndjenjat pse t’i fsheh…?!

Sa pandehma, iluzione
Gracka fati ngreh?!
Zemra ime, dashuria
Është “pije” që deh…!

Me shigjeta helmatuese
Të godet e ti s’sheh
Le të gjuajnë, gufon zemra
S’më vdes ai helm…!

Dhimbjen kur unë thellë ndjej
Botës pse t’ia fsheh
Çfarë më shumë se dashuria
Na merr mendtë, na deh! /