Një vend që humbet tokën e tij bujqësore humbet gradualisht edhe sigurinë ushqimore, pavarësinë ekonomike dhe aftësinë për të përballuar krizat
E ardhmja e Shqipërisë mbetet e shkruar në tokën bujqësore ndaj toka mbetet e shenjtë dhe nuk mund të shitet si mall pa zot
- -Shqipëria importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore që dikur i prodhonte vetë.
- -Fshatrat zbrazen, sipërfaqet e mbjella zvogëlohen, ndërsa varësia nga tregjet e huaja rritet çdo vit.
- -Rrënjët e këtij procesi duhen kërkuar në fillim të viteve ’90, kur Ligji nr. 7501 ndau tokën bujqësore sipas numrit të anëtarëve të familjeve.
- -Në aspektin social, ai synonte t’u jepte tokë banorëve të fshatit, por në aspektin ekonomik prodhoi një fragmentim ekstrem të pronës.
- -Historia botërore na mëson se qytetërimet kanë mbijetuar falë tokës që kanë kultivuar. –
- -Toka nuk prodhohet në laborator dhe nuk rikthehet pasi mbulohet me beton dhe shitet tek të huajt
- -Çdo hektar i humbur është një pjesë e së ardhmes sonë që largohet përgjithmonë
Nëse duam të dimë të ardhmen e një kombi, mjafton të shohim se si ai e trajton tokën bujqësore. Kjo është një nga ato të vërteta që nuk e humbin kurrë vlerën. Për Shqipërinë e tri dekadave të fundit, kjo thënie tingëllon si një aktakuzë e rëndë ndaj këtij sistemi politikë . Mënyra se si është trajtuar toka e bukës nuk përfaqëson thjesht një keqmenaxhim administrativ, por një gabim historik me pasoja të rënda ekonomike, sociale dhe kombëtare.
Rrënjët e këtij procesi duhen kërkuar në fillim të viteve ’90, kur Ligji nr. 7501 ndau tokën bujqësore sipas numrit të anëtarëve të familjeve. Në aspektin social, ai synonte t’u jepte tokë banorëve të fshatit, por në aspektin ekonomik prodhoi një fragmentim ekstrem të pronës.Parcelat u copëtuan në sipërfaqe të vogla, të shpërndara në disa vende, duke e bërë pothuajse të pamundur mekanizimin modern dhe zhvillimin e një bujqësie konkurruese. Njëkohësisht, paqartësitë mbi pronësinë krijuan mijëra konflikte që vazhdojnë edhe sot, duke e kthyer tokën nga një pasuri zhvillimi në burim mosmarrëveshjesh.
Por dëmi më i madh erdhi më pas. Me urbanizimin e pakontrolluar dhe ndërtimet pa leje, fushat më pjellore të Shqipërisë u shndërruan në kantierë betoni. Ultësira perëndimore, Myzeqeja, zonat përreth Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Shkodrës, Vlorës, humbën mijëra hektarë tokë bujqësore të kategorisë së parë dhe të dytë.
Në vend që zhvillimi urban të orientohej drejt zonave më pak prodhuese, u zgjodh rruga më e lehtë dhe më e dëmshme, ndërtimi mbi tokën më të vlefshme të vendit. Aty ku dikur prodhoheshin drithëra, perime e foragjere, sot ngrihen magazina, pika karburanti, komplekse banimi dhe ndërtime të shumta pa planifikim.
Edhe procesi i legalizimeve, që në thelb synonte zgjidhjen e një problemi social, në shumë raste përfundoi duke vulosur dëmtimin e tokës bujqësore. Në vend që ligji të mbronte fondin e tokës së bukës, ai shpesh legalizoi një realitet të krijuar në mënyrë të paligjshme.
Ndërkohë, dispozitat që parashikojnë mbrojtjen e shtresës pjellore dhe ndëshkimin e ndryshimit të destinacionit të tokës mbetën kryesisht në letër. Askush nuk mbajti përgjegjësi për humbjen e një pasurie që nuk mund të rikrijohet.Aq më e rëndë po bëhet situata në këtë pasuri të patundshme ë të patjetërsueshme , kur Qeveria jonë e papërgjegjshme po harton një projekt-ligj për shitjen e tokës publikë dhe asaj private tek të huajt ..Ne se ky ligj miratohet në Kuvendin Popullor, atëherë duhet të pranojmë faktin se që nga ai moment, Shqipëria do te jetë vetëm një emër në hartën politike e ekonomike të Evropës dhe botës…pa pasur pronën e saj, tokën, si një aset sovraniteti, prodhimi dhe trashëgimi. Pasojat e kësaj politike tashmë janë të dukshme. Shqipëria importon një pjesë të madhe të produkteve ushqimore që dikur i prodhonte vetë. Fshatrat zbrazen, sipërfaqet e mbjella zvogëlohen, ndërsa varësia nga tregjet e huaja rritet çdo vit. Një vend që humbet tokën e tij bujqësore humbet gradualisht edhe sigurinë ushqimore, pavarësinë ekonomike dhe aftësinë për të përballuar krizat.
Shqipërisë i duhet urgjentisht një politikë e re kombëtare për tokën. Konsolidimi i parcelave, mbrojtja e rreptë e tokës bujqësore, ndalimi i ndërtimeve mbi sipërfaqet më pjellore dhe rikthimi i investimeve në bujqësi nuk janë më zgjedhje politike, por domosdoshmëri kombëtare.
Historia botërore na mëson se qytetërimet kanë mbijetuar falë tokës që kanë kultivuar. Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme të qëndrueshme duke shkatërruar themelin mbi të cilin mbështetet jeta dhe ekonomia e saj. Toka nuk prodhohet në laborator dhe nuk rikthehet pasi mbulohet me beton dhe shitet tek të huajt . Çdo hektar i humbur është një pjesë e së ardhmes sonë që largohet përgjithmonë






















