Ti qëllimisht ndez mijëra diej në sy,
të më lidhësh me rreze të nxehta mua,
si lulja e diellit, të kthej kokën nga ty,
përjetësisht të mbetem e dashuruar.
Ti qëllimisht ndez në sy mijëra diej,
të më ndezësh zjarre në zemër mua,
të jem e vetmja krijesë nën ata qiej,
të pashkelur më parë, nga tjetër grua.
Kur urdhëron syrin diellor, të më puthi mua,
shpirti zgjat lastarët te rrezet e tua,
dhe të dua t’u fshihem syve të tu, me diell,
ti ngre leqe me rreze e më çon në qiell.
Më tërheq me fllade të harlisura prilli,
pa e ditur se jam zanafilla, nga rrjedh trilli,
pa pyetur në godas, si luaneshat me vetull
dhe të rrëzoj pëqirit, me zjarre ndezur.
Ti qëllimisht ndez mijëra diej në sy,
të më lidhësh me rreze të nxehta mua,
si lulja e diellit të kthej kokën nga ty,
përjetësisht të mbetem e dashuruar.
MOS E BRAKTIS GRUAN UNIKE!
Pa ty jam thëllëzë e përhumbur mes mjegullash,
drenushë e vetmuar, nën gjethe pjergullash,
gjurmën tënde nuhas, si mëshqerra barin e njomë,
shtigjet rrah me shputa, si qengji qumështor.
Në ç’kullë erërash, je fshehur, që s’po të gjej,
në rënça në gjurmë, me krahë do të mbërthej!
Pse i trembesh, dashurisë sime, që të jep jetë,
a s’jam gruaja, që të shuaja etjen, si tokës retë?
Mos më braktis kurrë, o i dashur, i shtrenjti im,
për ty digjem si fitili i kandilit, gjer në flijim,
pastaj hirin mbledh, në kupën e artë të zemrës,
të rilindësh në mitrën e dashurisë së femrës!
Se kur rilind në shpëgënj të dashurisë unike,
bëhesh vjelës i pjalmit të çasteve idilike,
kur rilind burimeve, ku pikon palca femërore,
bëhesh Krisht, për krijesat e jetës tokësore.
EJA I SHTRENJTI IM!
Të thirra i dashur, kur m’u gris petku i hollë,
por ti s’u përgjigje, më le vetëm nën mollë.
Hiret vuri në shënjestër, një skifter prej reje,
oh, kjo ikja jote, më preu mishin me gjithë deje!
Mos më ler, të më pushtojnë bimësitë e egra,
se gjethet me gjemba, janë fole për grerëza,
molla që mbolle ti, psherëtin sa,tunden degët,
mos vallë, e tund ti, apo me mua luan era?!…
Eja i shtrenjti im, më i hijshmi ndër burra, eja!
Hyr në strehën time, butësisht si rrezja,
me ato buzët e flladit që ke te zemra,
qetëso biskun e durimit, që s’pret të vijë pranvera !
Zjarr i dashurisë s’mbahet ndezur me fije bari,
me një shkulmë bryme e shuan acari.
Shpirti thërrmohet si një suvenir kristali,
nga pesha e pamatshme që ka malli.
Eja i shtrenjti im, më i hijshmi ndër burra, eja !
Braktisi viset e huaja, e shkurtër është jeta,
eja të shkrihemi në rrjedhën ku tretet eshtra,
udhët do t’i shtroj me yje, dhe në vdeksha !…