Më datë 25 prill në Galerinë e arteve “Vilson Kilica” në Fier, u hap ekspozita grafike e piktorit fierak, Dhimiter Robo me një cikël prej dyzet grafikash. Tematika e artit pamor e shprehur në grafik ishte jeta e myzeqarit, marrëdhëniet e tij me mjedisin shtëpiak dhe jetësor si dhe udhëtimi i tij paqësor nëpër histori. Të gjitha këto të harmonizuara me doket e urta të banorëve të Myzeqesë. Në këtë pikëpamje , ekspozita kishte origjinalitet si në krijim dhe në tematikë.
Ky origjinalitet i këtij arti pamor, i shprehur nëpërmjet një abstraksioni të stilizuar, e bëri këtë ekspozitë të veçantë për publikun artdashës të pikturës e të grafikës, por edhe të qytetarit të thjeshtë fierak. Profesionistët panë një mjeshtër të grafikës, i cili thjeshtë dhe bukur nga grafika në grafikë, ka arritur të na jap nëpërmjet abstaksionit të simbolikave, ekzistencën dhe jetën e një krahinë të tërë siç është Myzeqeja. Gjithshka është e realizuar me një stilizim literal, real e konkret . Kjo bëri, që vizituesi apo shikuesi, të mos mendohet gjatë për të kuptuar mendimin e artistit, që ka dashur të shpreh për çdo grafikë. Qysh në shikimin e parë ai, jo vetëm e kupton përmbajtjen dhe mesazhin, që shpreh secila nga grafikat, por ndjen dhe emocion, kur shikon sesa bukur e ka paraqitur artistikisht në artin pamor artisti jetën e tij të gjallë në lëvizje, në hapësirë dhe në kohë, në marrëdhenie me tokën, me punën, me mënyrën e jetësës, lidhjen me orenditë shtëpiakë,me peshkimim, me ritin e dasmës e të vdekjes, me shijen artistike të veshjes e tjera. Në këtë mënyrë, arti grafik i Dhimtër Robos jep, jo vetëm mesazhin e artit të bukur e të prekshëm, por mbi të gjitha përcjellë të publiku mesazhin e jetës, optimizmin dhe dinamikën e saj, autoktoninë dhe rrugëtimin jetësor të myzeqarit.

Artisti Dhimitër Robo, nëpërmjet grafikës ka depërtuar thellë në ndjeshmërinë e shpirtit të myzeqarit duke na dhuruar emocione dhe ndjeshmëri artistike, pse jo dhe gëzim.
Nëpërmjet abstraksionit është realizuar një proçes konceptual , ku rregullat dhe konceptet e përgjithshme mbi jetën dhe etnografinë janë mëshiruar në kompozime të veçanta konkrete, duke na dhënë pjesëza apo copëza jetësore.
Në këtë cikël prej 40-të kompozime artistike, në secilën grafikë, shohim nëpërmjet abstraksionit të simbolikave një copëz së jetës së njëriut të thjeshtë, e ndërlidhur kjo ngushtë dhe në simbioze me ritet e orenditë shtëpiake si sofra e rrumbullakët, gjymi, kana e shtëma e ujit. Më tej shohim mjetet e punës si parmenda, qerrja, rrota, zgjedha e hosteni, kafshët shtëpiakë, veçanërisht buaca , pa harrur të jap artistikisht dhe momente e veçanta të jetës si dasma, nusja me vello, stolitë e saj, gratë që këndojnë me def. Por autori nuk le pa pasqyruar artistikisht në grafikë dhe vdekjen duke na dhënë idenë, se edhe largimi nga kjo tokë është pjesë e jetës. Eshtrat që paraqiten artistikisht tregojnë autoktoni dhe qëndresë, se këtu kemi varret e të parëve dhe këtu do të qëndrojmë.

Pa dyshim, në grafikat e artistit Robo, ze vend dhe stilizimi i veshjes së myzeqarit, si e mashkullit dhe e gruas. Me një vërtetësi dhe bukuri artistike, artisti na jep të stilizuar takijen e bardhë, këtë simbol dhe artefakt mijëravjeçar të Myzeqesë , ku dallohen qartë rrëkezat dredha- dredha si dëbora në malin Tomorr dhe që përfundojnë te rrathët hyjnor. Fustanella, kjo veshje panshqiptare, është e stilizuar me plot hijeshi, duke përcjellë te publiku krenari.
Një grafikë interesante është stilizimi i veshjes së gruas siç është “Guna me rrëke”, perla e veshje myzeqare.
Mund të themi pa frike se artistit Robo e ka ngritur në art jetën e myzeqarit, shpirtin dhe udhëtimin e tij jetësor, si të shkuarën , të tashmen e të ardhmen. Gjithë grafikat lidhen me njera-tjetrën nga filli i jetës, e cila rrjedh si një ujëvarë e bardhë plot energji e dritë si vetë dielli lart. Urime!





















