Mendova se lotët ta prekën ty zemrën.
Unë lotët nuk i derdha për dobësi ta dish!
Unë lotët u mundova t’i fshihja pa emër;
ato shkanë si rëke nga shpirti im!
Trëndafil petale u çelën qerpikët;
nuanca e purpurt drodhi shikimin.
Një petale u këput nga syri i gjelbër;
të mblidhte ca pika lotësh të rënë!
Kur buqeta kurorë qëndisej mbi buzë,
zbukuronte nishanin atë në gushë.
Afrohesh të prekësh, nuhasësh dëshirat:
kush don lotët e saj puth trëndafilat!
E ja kështu ndodh ndonjëherë…
Së qeshurës, së qarit t’i vëmë një emër!
Unë vështirë e kam kur s’të takoj dot,
se tingujt e shpirtit emrin ta kanë vënë!