Ngjarja tregon se mafia e katapultuar në polici kërkon të hesht dhe intimidojë qytetarët e ndershëm, që denoncojnë krimet zgjedhore
Policia e Korçës ka reaguar në lidhje me rastin e denoncuar mbrëmjen e djeshme nga mediat dhe deputeti Edmond Spaho, ku pretendohej se në fshatin Podgorie të Maliqit kandidati i PS-së Arian Jaupllari po blinte vota.Në video shfaqeshin persona të shtabit elektoral të Jaupllarit, të cilët pretendonin se kandidati për deputet kishte shkuar në atë fshat për takime, teksa në një video të dytë shfaqej një i ri, i cili pretendonte se Arian Jaupllari i kishte premtuar të ëmës së tij 100 mijë lekë të vjetra, të cilat do ja jepte të shtunën më 10 Maj, në këmbim të votës më 11 Maj.
Blutë e qytetit juglindor bëjnë me dije se nga kontrollet e kryera dhe nga deklarimet e marra të personave që shfaqeshin në video nuk kanë konstatuar ndonjë veprim që ka të bëjë me shit-blerjen e votave.Ndërkohë, Policia e Korçës ka proceduar penalisht personin i cili ka regjistruar audio-videon, pasi ka refuzuar që të japë celularin, me të cilin ka filmuar pamjet.Bëhet fjalë për shtetasin A. P, 34 vjeç, banues në Podgorie, Maliq, me precedent të mëparshëm kriminal dhe i dënuar për vepra penale në fushën prodhimit dhe shitjes së narkotikeve dhe të krimeve kundër personit. Ai akuzohet për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Përmes videos, ai filmoi shoqëruesin e kandidatit të Partisë Socialiste, teksa e pyeste se “çfarë bën aty” dhe “pse bleni vota”. Ndërsa ai i përgjigjej se ndodhej në një takim dhe se mund të takonte personalisht edhe kandidatin e PS-së nëse kishte dyshime.Por denoncuesi vendosi të largohej duke u thënë se “do i çojë në SPAK”. Megjithatë, policia e Korçës thotë se pas verifikimeve nuk është hasur në dëshmi të kryerjes së krimeve zgjedhore, por ka proceduar denoncuesin për “pengim të zbardhjes të së vërtetës”, pasi nuk ka bashkëpunuar me ta.