Kur qeveria shqiptare finalizoi ndalimin e lojërave të fatit në vitin 2019, narrativa zyrtare premtoi shkuljen me rrënjë të një plage sociale që kishte mbushur çdo cep rruge në Shqipëri. Në ato kohë nuk kishte lagje pa dy-tre pika bastesh, një pjesë e të cilave në afërsi të shkollave apo mjediseve të frekuentuara nga të miturit.
Shtatë vjet më vonë, qeveria shqiptare po përgatitet që të legalizojë sërish bastet sportive online, të cilat pavarësisht ndalimeve ligjore, kanë vazhduar që të funksionojnë në informalitet.
Pas miratimit të ligjit në Kuvend në vitin 2024, Ministria e Financave i tha BIRN se tashmë janë miratuar të gjitha aktet nënligjore dhe kuadri rregullator konsiderohet i plotësuar.
“Sistemi është gati nga pikëpamja ligjore, por gara për licensim ende nuk është hapur zyrtarisht,” deklaroi ministria në një përgjigje me shkrim.
Legjislacioni i ri premton dhënien e jo më shumë se 10 licencave për organizatorët që ofrojnë platformat online, me kërkesën thelbësore që këta operatorë të ngrijnë një kapital prej të paktën 120 milionë lekësh si garanci për fituesit dhe të kenë eksperiencë të provuar në vende perëndimore.
Edhe pse ligji premton një treg të kufizuar të basteve online për të mundësuar një monitorim të rreptë shtetëror, procesi ka ngritur shqetësime për mungesë transparence dhe rrezikun e krijimit të një tregu monopol.
Në anën tjetër, Shqipëria po e rihap industrinë e basteve tërësisht e papërgatitur për të menaxhuar krizën e pashmangshme të varësisë – një nga shkaqet kryesore të nxjerrjes së përkohshme të kësaj industrie jashtë ligjit.
Kalimi i bixhozit nga pikat fizike tek ekrani i celularit e kthen atë në një rrezik me akses të pakufizuar 24 orë në ditë në xhepin e gjithkujt.
“Legalizimi nuk e krijon varësinë, por rrit aksesin ndaj një aktiviteti që për një pjesë të popullsisë është potencialisht shumë i rrezikshëm,” thotë mjeku psikiatër, Neli Demi, i cili vuri në dukje se vendi nuk kishte asnjë qendër të specializuar dhe asnjë program kombëtar rehabilitimi, duke e lënë barrën e trajtimit të varësisë tërësisht mbi supet e familjeve.






















