Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi i ka dërguar një letër kompanisë zyrtare DHL, përgjegjëse për shpërndarjen e zarfeve me fletët e votimit në Greqi lidhur me ankesat e PD-së.
Celibashi ka kërkuar që t’i dërgohet në mënyrë urgjente një raport, në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi.
“Në vlerësim të shqetësimeve të subjektit zgjedhor Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore në lidhje me procesin e shpërndarjes së dokumentacionit zgjedhor me Greqi jeni të lutur të na dergoni URGJENTISHT, një raport në lidhje me këtë proces”, shkruhet në letër.
Në shkresë, kreu i KQZ-së i ka drejtuar disa pyetje, përfshirë, se sa është numri i zgjedhesve që nuk ju është dorëzuar fare dokumentacioni zgjedhor, dhe sa prej tyre nuk iu është dhënë zarfi me fletën e votimit në dorë.
Sakaq drejtuesja politike e PD-së për diasporën përsëriti edhe sot shqetësimin e thellë që po ndodh në procesin e zgjedhjeve në territorin e Greqisë. Në një konferencë për median Jozefina Topalli njoftoi 3 kërkesat me të cilat i janë drejtuar KQZ
1- Të ndalohet menjëherë dorëzimi i zarfave në dorë në KQZ
2 -Të ndahen dhe të trajtohen në mënyrë të veçantë kutitë që vijnë nga Greqia dhe ato nga Italia
3- Të bëhet auditimi i të gjithë rasteve të kutive të dërguara. Për mënyrën si është bërë procesi i votimit, dhe sjelljes këtu. Dhe një analizë të kutive të votimit që kanë sjellë një anomali të pashpjegueshme.
“Nëse për 3 javë kanë ardhur 17 mijë vota nga Greqia ndërsa në 3 ditët e fundit janë shtuar 20 mijë vota, tha Topalli duke theksuar se “Kjo është derivat i të gjitha thyerjeve që kanë ndodhur në këtë periudhë”
Prandaj i kërkon KQZ masa urgjente
“Nëse do të vijojmë të dorëzohen zarfet me dorë në KQZ është krim zgjedhor. KQZ duhet të bëjë trajtimin e vecantë të zarfeve që vijnë nga Greqia e të ndalë urgjentisht dorëzimin e zarfeve dorazi. Dje kemi dorëzuar në KQZ kërkesën për këto shqetësime shumë të thella e krime elektorale” u shpreh Topalli ne konferencë për median.




















