Suplementi Pena Shqiptare/ Mimoza Çobo: Mos më ndëshko me dhimbje që s’i duron dashuria!

409
Sigal

 

Pa diejt e syve të tu, kjo botë duket e errët,

qerpik’ i agut rrëzon muzgje të njelmët,

toka pret të veshë vellon e rrezes së verdhë.

Po si mund të shuhen, ata diej të nxehtë ?!

Ata diej që pëshpërisin fjalë zemre, për mua,

fjalë profetike, kurrë të padëgjuara.

Të shenjtë janë ata diej me energji eterne,

janë drita më e ndritshme e kësaj jete.

Rrëkeza e përrenj në sytë e tu janë derdhur,

grimca dheu në retinë kanë mbetur,

gjoksit janë përplasur stuhi dhe shira vjeshte,

çuditërisht me të gjitha ke lidhje të përjetshme.

Siç ke lidhje me çdo grimcë të mikroplanetit tim,

me çdo thërrime lumturie sa tërë gjithësia,

ndaj s’mund të shuhen,ata diej gjithë shkëlqim,

të lutem, mos më ndëshko me dhimbje të tilla!

Dhe pse tani më ngjan një Promete i cfilitur,

M’u në mes të gjirit një re rrëpenjsh ka zbritur,

vesëholla e agimeve shtrydh gjinjtë nga dhimbja,

mbi sythet e vyshkura,hap gonxhet dashuria.

Pa diejt e syve të tu,kjo botë duket e trishtë,

brenda syve do futem, tu japë diejve dritë,

s’duroj dot të shuhen, ata diej sa tërë gjithësia,

mos më ndëshko me dhimbje, që s’i duron dashuria!