Suplement Pena Shqiptare/ Bardhyl Londo: Tirana brenda meje

519
Sigal

Një lumë mes për mes qytetit

 

Një lumë rrjedh mes për mes qytetit,
Një lumë që nuk ekziston në asnjë atlas të botës,
Një lumë që nuk e përmend asnjë hartë gjeografike.
Një lumë që nuk rrjedh si gjjthë vëllezërit e tjj
mes llumrash, baltovinash,
kodrash të lulëzuara
dhe malesh epike,
por mes për mes një betoni memec
që e shtrëngon si një shtrat i tmerrshëm Prokrusti.

Askush nuk e di nga buron në të vërtetë,
askush nuk i zë në gojë viset që përshkon,
askush nuk mund të përmendë qoftë dhe një emër peshku
që gjallon brenda tij.
Madje thonë se askush nuk ka parë
qoftë dhe një bretkose sy-kërcyer.

Një lumë rrjedh mes për mes qytetit.

Një lumë që nuk e di ç’është kthjelltësia,
nuk e di ç’është ngjyra e kaltër,
nuk e njeh kurrë dehjen e pashoqe të pushimit pas vërshimit
si një frymëmarrje lehtësuese
pas një akti seksual të nxehtë

Një lumë që nuk e di ç’është shtrati,
nuk e di ç’janë brigjet,
nuk e di ç’është kërcënimi i shterpësisë nga thatësira,
nuk e njeh tërbimin e vërshimit.

Një lumë rrjedh mes për mes qytetit,
përherë i turbullt,
përherë i zymtë,
i dënuar përjetë të mbarte llurbëtirën e pistë të menstruacioneve të qytetit
që derdhen brenda tij
natë e ditë pa pushuar
nga grykë të pista kanalesh,
më të neveritshme se gojët e ferrit.

I dënuar të mos provojë delikatesën e pulëbardhave
sipër trupit të tij ujor,
por vetëm pllaquritjet
e minjve të gjirizeve.

Një lumë rrjedh mes për mes qytetit,
një lumë llum,
një lumë që kurrë s’do të derdhet brenda njeriut.

nuk e di ç’është tërbimi i valelëve,