Më duhet, të nisem menjëherë
tek ndonjë strehë, atje përtej!
Përndryshe mund të fryj një erë;
me thonjtë e saj, të më rrëmbejë.
Pastaj të më flakë, si send pa vlerë
në ndonjë skërkë, apo gëmushë.
Dhe pse tashmë s’jam aq i lehtë,
– kam shtuar peshë, siç thotë dikush.
Ose të nisë një shi i vrullshëm .
(Sot s’kam as çadër , të më mbrojë)
Unë i urrej shirat, që bien
sa herë për ty, nis të mendoj.
Mjafton prania e tij e lagur
ëndrrat për ty të mi ndërpresë!
Ky është një çast vetëm i yni:
s”lejoj njeri, të na hyjë në mes.
Më duhet të nisem pa vonuar;
diku ku s’ka, as erë, as shi.
Por dimri udhët mi ka bllokuar
ndaj mes dyzimesh, shkoj e vij!



















