Suplementi Pena Shqiptare/ Prof. Dr. Bardhosh Gaçe: Publicistika e Bashkim Koçit, një gur xhevahiri në kulturën tonë

Krijimtaria e Bashkim Koçit

Shkrimtari dhe publicisti Bashkim Koçi e ka filluar karrierën e vet në gazetën lokale “Jehona e Skraparit”dhe, më pas, për gati dy dekada, në të përditshmen “Zëri i Popullit” – më e madhja e vendit për kohën. Aktualisht firma e tij është e pranishme, thuajse, në të gjitha gazetat e përditshme në vend. I diplomuar për agronom në Institutin e Lartë Bujqësor në vitin 1971 (sot Universiteti Bujqësor i Tiranës), Bashkim Koçi i takon atij brezi gazetarësh, – për fat të keq të rrallë, -të cilët kur vijnë në shtyp apo RTV nga shkencat ekzakte, e dinë se, vetëm dashuria e pasioni për profesionin e gazetarit dhe kultura, mund t’i shpëtojë nga “gjuha e drunjtë”, me të cilën bëlbëzon shumica prej tyre, dhe “të hapen”edhe në gjinitë e tjera të publicistikës. Shkrimet e tij si intervistat e ngrohta dhe plot informacion me njerëz të shquar të kulturës, artit dhe shkencës, por edhe portretet, reportazhet, esetë dhe shkrimet problemorë të botuara në vite, e dëshmojnë këtë të vërtetë. Ndër librat e tij që kanë parë dritën e botimit janë dy monografi, “Tregoj për Prishtën” (2014) dhe “Muço Kapinova” (2018) si dhe katër libra publicistikë: “Shkëmbi i Sherrit” (2014), “Borxhe të harruara” (2016), “Njerëz me kurorë” (2017) dhe së fundmi, “Kërkova dhe Gjeta”. Në librat e Bashkim Koçit gjenden emra të shquar si Dritëro Agolli, Artistja e Popullit Margarita Xhepa, Artistët e Popullit Luftar Paja e Demir Zyko, i inxhinierëve të shquar të digave të hidrocentraleve; Emin Mysliu e Kristo Goga, Heronjtë e Popullit; Riza Cerova e Zylyftar Veleshnja dhe dhjetëra emra luftëtarësh e personalitetesh, të cilët kanë dhënë kontribute të çmuara për vendin. Në librat e këtij gazetari me emër të mirë është marrë përsipër të mbrohet e vërteta , gjë e cila, për kohët që po kalojmë, nuk do vetëm profesionalizëm të lartë, por edhe trimëri.

NOA

Publicistika shqiptare përgjatë shek. XX ka njohur pena të rënda të mendimit shqiptar, të cilat kanë dritësuar aspekte të ndryshme të jetës atdhetare dhe social-shoqërore të shqiptarëve. Ndër këto personalitete krijuese që lanë gjurmë në publicistikën shqiptare ishin Mihal Grameno e Halim Xhelo në fillim të shek. XX e pastaj vijuan emra të tjerë si: Nonda Bulka, Gjergj Bubani e Petro Marko, të cilët në vitet ’30-’40, i dhanë një frymë të re qytetare e letrare. Nën këtë shembull vijuan publicistikën edhe një brez i ri publicistësh si: Dritëro Agolli, Vangjush Gambeta, Xhevahir Spahiu, Irfan Bregu, Spiro Dede, Bashkim Koçi, e mjaft të tjerë, të cilët, në faqet e shtypit shqiptar të kohës, shpalosën tablo, ngjarje e mesazhe të mëdha të humanizmit e atdhedashurisë. Krejt në stile të ndryshme, individualiteti i tyre publicistik, spikati çiltërsia e fjalës dhe e shpirtit njerëzor, epika shqiptare e luftërave për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, por edhe portretet e luftëtarëve të shquar popullorë, njerëzit e kantiereve e të industrisë së rëndë, të ekonomisë bujqësore e blegtorale, por edhe njerëzit e artit e të kulturës bashkëkohore. Në këtë vazhdë të pjekurisë së tij publicistike vjen para lexuesit, pas pesë dekadash krijimtari, publicisti i çmuar dhe i talentuar, Bashkim Koçi, me vëllimin “Kërkova dhe gjeta”. Motivet e këtij vëllimi janë të gjera e të larmishme, ku bie në sy, plastika dhe përvoja e mendimit estetik të autorit, e mbushur me tablo e ngjarje të thella të jetës shqiptare. Në opusin e krijimtarisë publicistike të Bashkim Koçit, përfshihen figura të veçanta të historisë kombëtare si: Ali Malindi (Spahiu), Riza Cerova, Zylyftar Veleshnja, Mane Nishova, Maliq Skrapari etj., të cilët shkreptijnë në radhët e publicistikës së autorit, si pushkë të varura në krahët e lirisë. Faktet e shumta, dokumentet dhe kujtimet, i sjellin këta personazhe historike të gjallë në sytë e lexuesit bashkëkohor. Detajet e reja nga jeta dhe bëmat e tyre, shpërfaqin figura të një shpirti të madh atdhetar e kombëtar. Këtë qëndrim mban publicisti Bashkim Koçi edhe në dritësimin e figurave të tjera si: Haki Tafa – karrocieri që udhëtoi me Ismail Qemalin fushave të Myzeqesë në nëntorin e vitit 1912, drejt pavarësisë, shoferin që i shërbeu Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës, Mehmet Sallçini, por edhe me ringjalljen e kreshnikut të Kosovës, heroit Adem Jashari, nëpërmjet kujtimeve brilante të bacës Cen Imeri. Një syth më vete në tërë publicistikën e Bashkim Koçit zënë mjaft personalitete të shquara të bujqësisë, industrisë, mjekësisë dhe jetës ushtarake. Emra të tillë si: Pirro Dodbiba, Izet Dyrmishi, Hysen Çobani, Ajli Alushani, Agron Çuedari, Teki Malindi, Haki Kola, Qemal Bego, si edhe ushtarakët e talentuar: Ziqiri Mero e Arshi Çela. Autori i ka vizatuar portretet e tyre në zhvillimin e jetës shqiptare, në mjediset ku ata kanë jetuar e punuar, duke na dhënë edhe përmasat e figurave të tyre, të cilat kanë rrezatuar dashuri, mençuri e përkushtim në jetën shqiptare. E kësaj përmase na shfaqet edhe ajo e humanistit dhe biznesmenit Muhamet Malo, duke përcjellë mesazhe të qarta për një shoqëri moderne. Në këndvështrimin e publicistikës së Bashkim Koçit, natyrshëm zënë vend edhe mjaft figura të njohura të kulturës dhe të artit shqiptar, si këngëtari i talentuar, bartësi i polifonisë toske, Demir Zyko, këngëtarja Irini Qirjako, shkrimtari Moisi Zaloshnja, poeti kombëtar, Xhevahir Spahiu, poeti Mihal Gjergji, poeti Bedri Islami, historianin Jovan Jano, mësuesi Qani Zaimi apo mbledhësi i folklorit, Naim Mustafaj. Kjo galeri portretesh, me individualitetin e tyre krijues e artistik kanë lënë gjurmë të thella në zhvillimin dhe pasurimin e kulturës dhe të artit bashkëkohor. Kështu, në pleksjen e këtyre personazheve të publicistikës së tij, autori na ka dhënë një mozaik që duket si një ylber shumëngjyrësh të botës dhe hapësirave shqiptare. Ajo që të bën përshtypje në publicistikën e Bashkim Koçit është fjala e zgjedhur dhe analitike, portretizimi i ngjarjeve dhe personazheve të ndryshëm, rrjedha narrative, të cilat i japin publicistikës së tij, dinamizëm e gjallëri, në komunikim me lexuesit.