Suplementi Pena Shqiptare/ Remzi Lani: “Në fillimet e pluralizmit “

33
Sigal

“…ishte një histori e tërë. Në vitet 70-të në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve ngrihej mbi një piedestal me pllaka mermeri busti i madh i bronxtë i Stalinit. Ky bust ishte ngritur qëkurse ndërtesa e Lidhjes ishte shtëpi e oficerëve. Dritëro Agolli i ishte vërtitur disa herë për ta hequr, por nuk ia kishte dalë, pasi për t’i zhvendosur këto lloj monumentesh, duhej një vendim i posaçëm nga Këshilli i Ministrave. Edhe ta kërkoje një vendim të tillë zor se ta jepte njeri, pasi po të hiqje nga piedestali Stalinin, çështja merrte karakter politik. Po Dritëroit mendja i kishte mbetur tek Stalini. Dhe një ditë, duke pirë kafe  i thotë Fadil Carës, përgjegjësit të Klubit të Lidhjes:

– E sheh edhe ti, Fadil, se ky Stalini me xhaketë ushtarake dhe me grada nuk e ka vendin në Lidhje, se nuk është shkrimtar. Këtu duhet të jetë Naimi.

Fadili e vështroi pak me çudi, por i tha se kishte të drejtë.

-E di se çfarë të bëjmë Fadil? Sonte pas mesit të natës merr një karrocë të madhe me një karrocier, hiqe Stalinin dhe shpjere tek Ali Progri!

Ali Progri, miku i Dritëroit, atëherë ishte drejtor i Politeknikumit 7 Nëntori, shkollë që mbante emrin e ditës së Revolucionit të Tetorit.

– Po mos na thonë gjë, shoku Dritëro!- u lëkund Fadili.

– E, ç’do të thonë! Oborri i Aliut është i madh dhe Stalini do të ketë më shumë hapësirë. Këtu në oborrin tonë i merret fryma. Stalini do hapësirë , Fadil vëllai!…

Dhe kështu Fadili u ngrit pas mesit të natës, e mbështolli Stalinin me një çarçaf, e vuri në karrocë dhe e shpuri tek Ali Progri.

Në mëngjes Dritëroi,- që ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, – priste telefonata. Dhe telefonat nuk vonuan të binin.

-Shoku Dritëro, ju para Lidhjes sikur e kishit Stalinin. Ç’u bë Stalini? – telefonuan nga Komiteti i Partisë të Tiranës.

-Stalini është ngritur natën dhe ka ikur!- u përgjigj Dritëroi dhe ngjarja kaloi në humor.

Ndërsa Ali Progri, kur e pa Stalinin në oborrin e shkollës së tij, e kuptoi se ai vinte nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe tha me të qeshur:

“ Nuk të duan, o baba Stalin, shkrimtarët!”