Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Juliana Laska dhe profecia e Rostropoviç

17
Sigal

Telegraf.al / Violonçelisten Juliana Laska e kisha dëgjuar fillimisht shumë vite më parë në Paris, në një koncert bashkë me pianisten Manjola Trebicka-Camusset. Dëgjova prej saj një ninull në violonçel që më mahniti. Kishte diçka manjetike ai tingull, ai hark dhe ata gishtërinj, ai violonçel i mbështetur fuqishëm në trupin e saj çka i jepte diçka më shumë asaj muzike. Më pas e ndoqa sërish në një koncert tjetër me pjesë për piano e violonçel nga kompozitorë francezë si Frank, Poulenc etj. Kur hyn në skenë ajo ka gjithnjë një fytyrë të qeshur, aspak të ndrojtur, madje të shpenguar që të bën menjëherë për vete, madje thotë gjëra të mënçura, ndonjë shaka apo shpjegon diçka për të ndihmuar të hysh në botën e kompozitorit, diçka nga jeta e tij apo koha kur e ka shkruar, etj. Pastaj ulet dhe shumë shpejt fytyra e saj ndryshon. Është çasti kur mbyllet në botën e saj dhe do të jetë në një botë tjetër, atë të muzikës, që do të interpretojë. Është çasti kur ajo luan dhe dëgjon njëkohësisht atë që i del nga thellësia e shpirtit, nga trupi. Krahët që shtrihen, zgjaten, gishtërinjtë ngjeshen mbi kordat dhe violonçeli bëhet njësh me të, aty ku thuhet se është shpirti i instrumentit, “l’âme”, ku bëhet ngjizja mistike e dy shpirtrave, ajo e instrumentit dhe ajo e artistit. Një ditë ne u takuam në « Café-Restorant Zimmer » përballë « Café-Restorant Sarah Bernard » ku shpesh takoj miq, në Place Chatelait ku ngrihet obelisku, dy hapa nga lumi i Senës.

Është ditë shiu dhe erë, por ne nuk i dëgjojmë. Flasim për muzikën. Më tregon se po përgatitet për një koncert në Crosne, pranë Parisit, diçka e lidhur me flamenkon spanjolle, Bach apo Paco di Lucia, e njëkohësisht një koncert me muzikë të kompozitores klasike Clara Schumann të shekullit XIX. Por ndërkohë më flet dhe për shkrimtarin japonez Akira Mizubayashi, nga të rrallët shkrimtarë që e njeh aq mirë muzikën klasike, ngjarjet e të cilave sillen rreth autorëve dhe instrumentistëve. Vështroj sytë e saj e ndërkohë që më flet me pasion për jetën e saj në muzikë, zbuloj se tek ajo ka diçka më shumë se të tjerët: më dukej sikur në dejet e saj rridhte jo vetëm gjaku, por dhe muzika njëkohësisht. Ç’mrekulli kjo vajzë që pas një mbrëmje të lodhshme vë kokën në shtrat dhe në përgjumjen e saj ajo përkundet me muzikat më të bukura të botës: Bach, Schubert, Mozart, Beethoven…, pjesë për violonçel, dhe piano, cello, quotour, prelude, suita, menuet, sa shumë muzikë! Kur ishte e vogël i pëlqente shumë muzika. Atëherë, në Fier, apo si kudo në Shqipëri, pothuaj të gjithë kishin dëshirë t‘i vinin fëmijët të mësonin piano, por nëna e Julianës mendoi se mbase do ishte më mirë që ajo të mësonte violonçel. Atëherë vetëm djemtë mësonin një instrument të tillë, por pse jo vajzat? Dhe që 7 vjeç ajo filloi me kordat e violonçelit. Në fillim gishtërinjtë i dhimbnin, por shpejt ky instrument i madh për shtatin e saj, do të rrëmbente. “Atëherë në shkollë na mësonin notat, por jo muzikën e vërtetë, atë të magjishmen…” shumë shpejt ajo e kuptoi se muzika ishte jo thjesht një diçka teknike, por diçka shpirtërore. “Kur hap një partiturë muzika aty është diçka e vdekur dhe ti duhet t‘i japësh frymë, jetë. Madje duhet t’i japim diçka tonën, personale për ta bërë atë universale. Kur unë futem në skenë për një koncert, koha për mua sikur ndalon. Jam në një botë tjetër, atë të muzikës. »

Ajo flet dhe mua më risjell imazhin e saj në skenë, me instrumentin ngjeshur para vetes. Padyshim që tingulli i instrumentit që del nga thellësia e tij e pushton dhe e rrethon brenda vetes. Kjo të kujton vendet e kultit, tempujt e lutjes e të besimit që popujt kanë ndërtuar në shekuj dhe ku muzika e saj ka diçka që i afrohet lutjes, diçka që është gjithnjë personale, intime, vetëm mistika. « Kam luajtur në shumë kisha, – më thotë ajo, – në katedralen e armenëve në Paris, Eglise de St. Rocque, Eglise de St.Paul, La Chapelle St. Louis, katedralen amerikane e po kështu në kisha të tjera si ajo Bretanjës etj. Dhe ajo kujton atë çast kur në Shqipëri, në ishullin e Maligradit në mes të Prespës, një kishë e futur në shkëmb e shekullit XIII dhe plot afreske, ajo luante dy pjesë të kompozitorit shqiptar Endri Sina si dhe një pjesë të një kompozitori grek. Të luash muzikë atje të duket si të duash të zgjosh engjëjt. Ajo kujton gjithashtu kur kishte luajtur para disa viteve në një tempull në Japoni. Të gjitha vendet e kultit janë të mrekullueshme për të interpretuar muzikë jo vetëm nga paqja që mbizotëron, por së pari nga kubetë e tyre, arkitektura. Tingulli aty, muzika, është e pushtetshme. Në to muzika vibron, ashtu siç vibron pastaj dhe shpirti i njeriut. Ishte një çast mitik kur duke luajtur “Sarabanda”-n e Bach në atë kishë të Bretanjës, drita e diellit në perëndim duke depërtuar nga “rozasa” e kishës binte mbi zemrën e violonçelit. Padyshim diçka hyjnore. Si mos të lumturohet pastaj zemra e artistit? “Ne s’jemi vetëm interpretë por dhe mishërues. Është një trilogji më vete : vepra, instrumenti dhe interpreti…» Atë ditë në Bretanjë prifti i kishte lënë çelësin e kishës që të studjonte e të luante sa të donte. E kështu, « lutja » e saj vazhdonte para muzikës, instrumentit, botës muzikore, aty nën kubenë e një tempulli. Ne bisedojmë për Shqipërinë dhe ajo më kujton gjyshin e saj në Ardenicë ku ai dikur mbante meshë ndërkohë, që unë i tregoj për arkeologun Leon Rey dhe atë ceremoni martese në vitet 30 në kishën e vjetër të Ardenicës plot afreske të mrekullueshëm, martesën e një francezeje me një anglez dhe kërkimin e Leon Rey për një libër të historianit antik Pausania ku flitej për qytetin antik të Apollonisë dhe që tashmë kishte humbur. Juliana e mban mend ende bibliotekën e librave të vjetër në Ardenicë. Nga Shqipëria, familja e saj emigroi në Athinë ku ajo ndoqi konservatorin dhe ku më pas u cilësua si violonçelistja më e mirë e Greqisë. Një dekadë me rradhë koncertet ndiqnin njëra-tjetrën, gjersa më në fund ajo vendosi të vijë në Paris. Ishte skena e madhe e muzikës që e tërhiqte tani ku s’mund të luante me atë violonçel të zakonshëm standart. Sfidat do ishin të mëdha dhe së pari duhej të zgjidhte një instrument të mirë. Duke kërkuar tek dyqani i një « luthier »-i parisian, specialist i njohur i violinave dhe violonçelëve, ajo ra në dashuri me një nga violonçelët që ishte në shitje. Ashtu si të tjerë që vinin për të blerë instrumente, edhe ajo u ul ta provonte për pak minuta. Mjeshtrit të violonçelëve i pëlqeu shumë interpretimi i saj dhe tha se do ta ruante për të gjersa të mblidhte paratë, pasi intrumentë të tillë kushtojnë shtrenjtë. Bëhej fjalë për një violonçel të fundit të shekullit XVIII dhe të fillimit të shekullit XIX.  Duke dalë nga dyqani, asaj iu mbushën sytë me lot pasi e pamundur të gjente aq para për ta blerë. Shumë miq ishin gati ta ndihmonin dhe pastaj ajo t’ua shlyente. Kështu kaluan tre muaj dhe në një konkurs ndërkombëtar muzikor në Athinë ajo fitoi çmimin e parë me një çek prej 15 mijë euro. Fati më së fundi trokiti në zemrën e saj. Me t’u kthyer në Paris ajo mbajti frymën tek mjeshtri i vjetër dhe bleu violonçelin me plot ëndrra për të filluar jetën e saj koncertale. Me këtë rast bleva dhe një hark të mirë, disi të rëndë dhe më të shkurtër se të zakonshmit i fundit të shekullit XIX. Ishte ai hark që më mësoi ta kërkoj tingullin në thellësi dhe jo në mënyrë horizontale.

Tashmë mjeshtri Pavié është për mua një yll në qiell dhe unë e përshëndes gjithnjë atë ! » Juliana Laska nuk e harron atë mbrëmje kur sapo kishte mbërritur në Paris dhe kishte qenë në një koncert të mjeshtrit të saj të adhuruar Rostropoviç, në një takim të çastit, ai i kishte marrë dorën dhe duke i prekur gishtërinjtë, me një buzëqeshje mirësie i kishte thënë : « Mademoiselle joue très bien violoncelle ! »(« Zonjusha luan shumë mirë ! ») Vallë e njohu nga gishtërinjtë ? Profeci ? Sot koncertet e saj janë të shumta edhe pse ndërkohë është profesore në një konservator të muzikës. Prej vitesh ka interpretuar shumë kompozitorë të njohur në koncertet e saj në Francë, Greqi, Itali, Spanjë, Gjermani, Japoni e gjetkë. Një nga sukseset e saj të veçantë është disku i regjisruar me suitat e Bach. Po kështu ka regjistruar muzikë për Radion e Greqisë si dhe ka interpretuar muzikën e një kompozitori grek për violonçel për një film fracez çka ishte një eksperiencë e veçantë dhe që përvijoi më pas me një film me metrazh të shkurtër. Vitet e fundit kanë qenë mjaft pasionante duke bashkëpunuar me pianisten e njohur Florence Ribot, siç janë koncertet me suitat e Bach (sonata 1 – allegro ma non tanto) ardente, sonata nr.5, sonata nr.3 për cello). Po kështu 12 variacionet e Betoven me temën e Moxart, 12 variacionet e Hendel apo “Mjellma” e Saint Saëns, trio në piano, violonçel e klarinetë, « Trio » e Schubert, etj. Po kështu të dashur për të janë dhe kompozitorët shqiptarë. Një nga ata është Rauf Dhomi me Rondon, trion e famshme të tij. Kjo Rondo i kujtonte vitet kur studjonte muzikë në Shqipëri, kur nga vrima e çelësit të studios dëgjonte interpretimin e kësaj trio të Profesorit Dhomi. I pëlqente shumë pa e menduar se një ditë do ta luante vetë dhe për më tepër do të ishte surpriza në Prishtinë : do të vinte vetë kompozitori. Për Julianën, e rëndësishme është jo vetëm njohja e partiturës, por edhe e gjendjes së autorit dhe kohës kur është krijuar kjo vepër. Para se të fillojë të studjojë një autor ajo u drejtohet librave. « Mbaj mend një koncert me dirigjentin Ricardo Muti në Athinë.

Pas shfaqjes një kritik muzike e kishte pyetur: Nuk mërziteni që për 50 vjet me rradhë drejtoni të njëjtën muzikë ? Dhe ai iu përgjigj: « Për mua është gjithnjë hera e parë. » Po, gjithnjë është ndryshe. Janë emocione të tjera. Ne jemi në lëvizje të përhershme të shpirtit. Dhe po të luaja në darkë të njëjtën pjesë muzikore që kam luajtur në mëngjes do të ishte diçka me një frymë tjetër. » Dhe unë pas kaq vitesh ja tek dëgjoj me ëndje « Preludin » e suitës së parë të Bach interpretuar prej saj, një partiturë e kopjuar nga gruaja e Bach-ut, Anna Magdalena, pasi origjinali kishte humbur. Juliana më bëri të lexoj dy romane të bukur të japonezit Akira Mizubayashi: « Âme brisée » dhe « Suitë inoubliable » Në këtë të fundit, Akira nuk lë pa përmendur notat e fundit, « les troi rondes sol-si-sol, amples et profondes (qui) disparaissaient aspirées par le silence »…Allegro ma non troppo, Andante, Allegro moderato ! Dëgjoj suitat e Bach, imagjinoj gishtërinjtë e Julianës dhe Rostropoviçin që flë në botën tjetër endur gjithnjë nën tingujt e Bach. Artistja vibron si vetë violonçeli i saj mbështetur në prehër, si një pjellë, e ndërkohë pres të dëgjoj prej saj quatour të Schubert, « Rosamunde ». Artistët kanë shumë ëndrra. Për Julianën një nga ëndrrat është të interpretojë dhe të filmohet duke luajtur Bach buzë detit në fshatin grek pranë Korintit ku ajo ka shtëpinë, në Agio Theodhoris, aty buzë shtëpisë së saj me peizazhin e mrekullueshëm detar, ku në kohë vere, për pushime, ajo mbledh jo pak miq të saj gjithnjë rreth muzikës. Dhe unë përpiqem ta imagjinoj buzë detit, me violonçelin e saj, në fllad, ku suitat e Bach na çojnë në një botë magjike, dehëse, me tinguj lirikë e dramatikë ku gjen vetë frymën e botës. Kjo është si të marrësh frymë dhe të ndjesh thellësitë më të ndjeshme të botës njerëzore.