Ti dhe Juli
kishit humbur
në vështrimin e njeri tjetrit.
Shkëmbinjtë e egër të humnerës,
ujëvarat e brishta,
fluturimi drithëronjës
i pëllumbave të egër
dhe kaltërsi e largët e qiellit,
ishin si disa kurthe
që nuk qe se u pëlqenin.
Unë shtyja një zë që thërrit
Juliii…Juliiii… Julliii…
nëpër shtegun e ankthit,
jehona kthehej në vetminë e vet
si prej shkretëtire:
Juliii…Juliii…
Ndoshta duart tuaja
ishin ndalur
nëpër periferitë
e shtigjeve të panjohura
dhe buzët
kishin humbur nëpër ca flakë
që shmangin zëra e fjalë
dhe zëri që thërrit
Juliii…Juliiii…
ju ishte cepi i larguar
i diellit
tek lëngonit
për një ëndërr.
Nuk di pse m’u kujtua tani
ajo ditë e largët
dhe desha t’iu pyes:
Aty jeni ende?





















