Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti, psalmi im i shenjtë

163
Sigal

Kishe kaq kohë që kërkoje një kishë,

një kambanore për të lajmëruar dashurinë!

Ndërsa unë kërkoja një psalm të vetëm:

kënduar në kantikat e vjetra të Solomonit të vdekur.

Por të gjitha psalmet ishin thënë,

në shkulmën dhe trishtin e mijra vjetëve:

gojë më gojë,

shtrat më shtrat,

frymë më frymë,

në sinagoga e kisha të rrënuara,

që nuk janë më.

Atëherë kërkova psalmën time:

të përhumburën, të përunjurën, të hirtën!

Psalmin e buzëve, që zgjojnë të vdekurit dhe agun,

që mbushin krahërorët e vegjël të zogjve dhe shtëpive.

Psalmin me hapin e lehtë të barit,

me sytë e të gjelbërtës,

me lëngun e shegës së hapur bashkë.

Psalmin për një kishë të ngritur në natyrë

ku veç një altar guri ka,

a muranë kulti të harruar

ku murgjit kanë lënë një milionë fjalë e lutje

aty: nën kubenë qiellore,

me zotër e hyjni të dashuruar.

Ti kërkoje një kishë,

unë gjeta psalmin e purpurt

në palimpsestin e të gjitha kohrave,

Laudamus shpirtit që ka nderur duart

dhe më mban me frymën e vet!

Sot është dita e lëvduar

plot harqe të Mozart,

oboe dhe violinçelë,

që e ngrejnë lart botën dhe trupat tanë.

Lëvduar, psalmi im i shenjtë!