Prof. Dr. Ago Nezha: Kënga labe, një thesar i çmuar i Labërisë

205
Sigal

 

Polifonia është magjia e Labërisë

Për dy ditë rresht, në datat 29 dhe 30 korrik 2022, në Lungomare të Vlorës, u zhvillua festivali polifonik ku ushtoi kënga labe në edicionin e saj të parë me pjesëmarrjen e 30 grupeve, me mbi 300 artistë nga të gjitha bashkitë e trevës së Labërisë. Përfaqësimi fillonte nga Gjirokastra, Delvina, Tepelena, Saranda, me epiqendër Vlorën, e më gjërë, duke përfshirë dhe Mallakastrën e Cakranin. Festivali polifonik shpërndahu “nektarin” e zërave melodioz të këngëtarëve virtuoz të fshatrave të Labërisë, duke marrë duartrokitjet e mijëra pjesëmarrësve, që e ndoqën këtë spektakël, duke qëndruar shumica në këmbë për më shumë se dy orë, pa e ndierë lodhjen. Moderatorët virtuoz babë e bijë Gjeçi bënë një prezantim dinjitoz të grupeve sipas një ndarje racionale për dy ditët në konkurim. Këtë sensibilitet, për të zgjuar traditën e festivalit famos të Gjirokastrës në përmasa më të vogla, nuk e pati shteti, as bashkitë e krahinës së Labërisë, apo komuniteti i biznesit, por e pati një individ, deputeti Vullnet Sinaj, biri i fshatit Armen, labi me ferment të ndieshëm patriotik. Ishte Vullneti që e ideoi, investoi, e realizoi dhe kontribuoi me të gjithë arsenalin e tij intelektual, njerëzor, e material. Duke qënë një festival i këngës labe, Vullneti organizimin e këtij eventi ja besoi Shoqatës Atdhetare Kulturore Labëria” Nderi i Kombit”, Dega Vlorë, që pati një angazhim maksimal me në krye kryetarin e degës Ahmet Dema. Por lideri, që ndjehu impenjimin dhe shqetësimin permanent deri në finalizimin me sukses të kësaj feste mbresëlënëse, ishte vetë Vullneti dhe Ahmeti. Nisma e një individi për të organizuar një aktivitet madhor, është një risi që hyn në histori dhe meriton të përgëzohet e vlerësohet maksimalisht, pa hyrë në meskinitete e banalitete, që nuk mungojnë të shfaqen rëndom në egoizmin krahinor. Ka hapësirë për të gjithë të afirmohen. Kushdo që do të kontribuojë, të bëjë një gjë më të mirë, e pastaj të kritikojë, e mohojë paraardhësit e vetë. Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria,”në misionin e saj historik e ka si objekt të punës së saj: të ruajë, transmetojë, e përjetësojë traditat, kulturën, e veçanërisht polifoninë Labe, që është një thesar i vyer i trevës së Labërisë Kënga himariote, me vargjet e Meço Mukës dhe ajo piluriote me vargjet brilante të Lefter Cipës me zërin melodios të këngëtarëve të këtyre grupeve, karakteristikë që kur i dëgjon, të përplasen në vesh si dallgët e detit, dhe grupi i Dukatit që duket sikur këndojnë mbi një qilim që lundron mbi valë, vijnë si fllad në shpirtin artistik të popullit tonë. Kënga treshe e Dukatit, unikale në llojin e vet, një perlë e këngës popullore siç e quante profesori i folklorit, i madhi Beniamin Kruta, nuk mund të modifikohet e tjetërsohet për hobinë e ndokujt që kërkon të duket novator, edhe pse nuk po del më në skenat e festivalit. Të njëjtën gjë mund të themi për këngët e lumit të Vlorës, të Tepelenës, Gjirokastrës, e Delvinës, që tashmë janë bërë emblema të polifonisë Labe. Ndonjë tendencë për ta emërtuar polifoninë me parashtesa apo prapashtesa të stisura, si isopolifonia apo polifolku, s’bën gjë tjetër veç deformon origjinalitetin e etimologjisë të fjalës së popullit dhe e largon atë nga tradita popullore. Shoqatat e degëve në rrethe, duhet të përballen me baticat e zbaticat e agresionit të rrymave diversive, që duan ta degjenerojnë folklorin dhe polifoninë. Festivali i këngës labe, është një festë e polifonisë, që duhet të gjejë përkrahjen e strukturave shtetërore e shoqërore, veçanërisht të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve, për të ruajtur dhe mbajtur gjallë këtë trashëgimi kulturore, që për mungesë vëmëndje të institucioneve shtetërore, ka filluar të bjerrë. Jetojmë në një kohë globale, që ka një tendencë agresive për të asimiluar kulturat nacionale në emër të modernizmit dhe globalizmit dhe ky ndikim është i pashmangshëm edhe në vendin tonë. Veçanërisht emigrimi, kryesisht i rinisë, futja e kulturave integrale të vendeve ku punojnë e jetojnë, largësia nga mjedisi lab, është një premisë për të humbur shijen dhe ndjesitë e këngës popullore. Ndaj roli i degëve të Shoqatave të Labërisë në rrethe, si institucione shpirtërore, shoqërore, vullnetare, kanë një mision fisnik, që nuk fillon e mbaron te një festival apo veprimtari, që pamëdyshje duhet përgëzuar, por duhet të ruajë vazhdimësinë e një pune gjithëpërfshirëse me grupet e afirmuara të polifonisë dhe veçanërisht me ato që tentojnë të dalin nga shpërgenjët e lehonisë artistike. Eshtë për të ardhur keq që shteti apo bizneset nuk kursehen të sponsorizojnë Miset e Botës e të Evropës dhe veprimtari të shartuara “ OMGJ” me grupe të rajoneve për rreth, por janë shumë të kursyer apo të papërfillshëm për të investuar e për të ruajtur, përhapur e inkurajuar grupet polifonike të gjithë trevave të Shqipërisë. Identiteti ynë do të jetë ajo çka është kombëtare, tradicionale, popullore, që vjen e papërlyer nga rrymat e shumta moderniste. Demokracia është të shijosh atë që pëlqen, por jo të mohosh atë që është tradicionale, kombëtare.

Çfarë tregoi dhe kush përfitoi nga festivali i këngës labe?

Festivali i këngës labe në Vlorë më 30 grupe pjesëmarrëse, tregoi se ka një pasuri të madhe artistike që duhet vlerësuar, inkurajuar, stimuluar dhe finacuar për t’i mbajtur gjallë. Ku ka sasi, ka dhe cilësi. Kjo dukuri spikati te konkurimi i grupeve polifonike të fshatrave, që jo rrallë rivalizonin me njëri tjetrin dhe që juria në disa raste e kishte të vështirë të diferenconte në vlerësimin e çmimeve. Në këtë festival u nderua me çmim të parë grupi i Pilurit, me çmim të dytë Sevasteri dhe me çmim të tretë Velça. Paraqitje të mirë bënë dhe grupet e fshatrave Vranisht, Dushkarak, Shqiponjat e Tërbaçit, Jehona Labe, etj. Një vlerë e shtuar e këtij festivali ishin zërat e rinj, tepër premtues për vazhdimësinë e këngës labe. Zërat drithërues si ai i vajzës 11 vjeçare Kejti Hitaj nga Kuçi, Endri Hodaj nga Tërbaçi, Erges Limaj nga Vranishti, Johana Baraj nga Kuçi dhe vogëlushes nga Dushkaraku, do mbeten gjatë në kujtesën e publikut vlonjat.

Juria ishte tepër profesioniste duke filluar nga “Mjeshtri i Madh” Zhani Ciko, Profesore etnografe Afërdita Onuzi, etnograf Fitim Çaushi, muzikanti “Mjeshtër i Madh” Ermir Dizdari dhe Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. E veçanta e këtij festivali është se nuk është organizator shteti, Ministria e Kulturës, që ka potenciale të mëdha njerëzore dhe materiale dhe është detyrë funksionale e saj. Nuk janë bashkitë e rretheve dhe as komuniteti i biznesit të krahinës së Labërisë, që është i fuqishëm për të investuar një festival gjigand, por është një individ, si Vullnet Sinaj. Një deputet, që ka ndjeshmërinë dhe dashurinë për polifoninë dhe sakrifikon dhe investon pa interes nga pasuria e tij familjare. Sikur të ndodhte që në “kopenë” e 140 deputetëve, të kishte disa të tillë, parlamenti do ishte i motivuar. Ministria e Kulturës harxhon fonde për qoka, por nuk kujtohet të investojë për polifoninë e çiftelinë, që janë pasuri kombëtare dhe kanë të bëjnë me identitetin e kombit. Edhe bashkitë në rrethe kanë mundësi të investojnë për aktivitete me grupet polifonike për të gjallëruar jetën kulturore dhe për të mbajtur gjallë polifoninë. Bashkia e Vlorës me Kryetar Dritan Lelin ka treguar vëmëndje në këtë aspekt, gjë që e tregoi edhe në këtë festival duke krijuar kushte për mjedisin ku performuan grupet labe. Zëri i këtij festivali është edhe një mesazh zgjimi për ata deputetë që vegjetojnë katër vjet në parlament dhe vjen fundi i mandatit dhe s’kanë identitet.