Suplementi Pena Shqiptare/ Dritëro Agolli; Ninullë malesh

 

Në kambanore fryn erë e lumit

Sigal

dhe kambanari lundron mes gjumit.

U kthye hëna në vetull mali:

Moj nuse, zgjohu ,- ka ethe djali.

Oj nina-nana,

rëndon kambana.

Dhe mali djalit ia bën me vetull,

një kukumjaçkë përgjon mbi tjegull.

Përgjon mbi tjegull si një gardiane,

dy sy nën ballë – dy kokrra thane.

Oj nina- nana,

s’kumbon kambana.

Kri-kri bën bulkthi në mes kashtës.

Del bubazheli, kovaç i natës;

si gjyshe macja zbret dalngadalë;

– Do sisë-thotë-i varfëri djalë.

Oj nina-nana,

dremit kambana.

Mos rri e vrenjtur, moj vetull mali,

se vrenjtet sisa dhe thahet djali,

se vrenjtur zgjohet dhe kambanari.

E tund kambanën pastaj litari.

Oj nina-nana,

pikon kambana.

 

Aforizma nga Dritëro Agolli për pleqërinë…

* Plaku sheh plakun dhe piqet në pension.

* Plaku nuk bie nga fiku pa u pjekur.

* Në pleqëri bëjmë llogarinë e viteve të djegura të rinisë sonë.

* Kur isha i ri ndryshe do të isha sjellë me pleqtë, po ta kisha kuptuar shprehjen: “Të jetosh do të thotë të plakesh.”

*Pleqtë futen në guvën e të kaluarës për t’u prehur dhe për t’u ngushëlluar, pasi në të tanishmen nuk gjejnë një guvë të tillë.

* Plaku me kokrrat e tespiheve numëron ditët dhe vitet që i kanë mbetur.

* Plaku torollaku qëndron në shoqërinë e grave si karabushi në kopshtin e qepëve.

* Kush qesh pleqtë, qan të ardhmen e vet.

* Pleqēria është helmi me veprim të ngadaltë tek rinia.

* Rrudhat e ballit të plakut janë rradhët e faqeve të romanit të një personazhi të ri të dikurshëm.

* Pleqëria plak trupin, por jo veset e rinisë së saj.

* Pleqëria ha gjellë në pjatën e kujtimeve.

* Psherëtimat e pleqve janë jehona e kujtimeve të tyre.

* Plaku i trembet natës dhe shtratit.

* Plakun e ka marrë lumi në dhomë.

* Vetmia nuk ka dhëmbë, por ha veçanërisht pleqtë.

* Plaku shkoqet . E dini ç’domethënë?