Reshat Arbana: Si më çuan në Tropojë, për reportazhin mbi elektrifikimin. RTSH dhe vlerësimi profesional për Thanas Nanon

213
Sigal

“Nderi Kombit” Reshat Arbana: I thashë Thanas Nanos?: A ke djalë, a do ta çoje në një punë që nuk e do?!

  • -Me Thanas Nanon mund të debatoje, por dinte ta vlerësonte punën
  • – Si më çuan në Tropojë, për realizimin e një reportazhi për përfundimin e elektrifikimit

Albert Z. ZHOLI

Kur flet me Reshat Arbanën koha ecën pa kuptuar. Historitë e tij kanë magji dhe tharm. Reshati tregohet skeptik për fillesat e tij si aktor. Me modesti shprehet se vetëm mbas 15 viteve karriere ka mësuar e i ka thënë vetes se mund të quhet aktor. Pas Institutit e emërojnë regjisor në Radio Tirana. Në Radio Tirana punon 9 vjet si regjisor dhe shef redaksie. Këtë punë e kryen me dashuri, por prapë diçka e lëndonte. Ishte tharmi, ishte adrenalina, ishte mikrobi, që e brente përbrenda. Teatri! Dashuria e tij e përjetshme. Gjatë kësaj periudhe, teatri dukej sikur ishte një “De ja vy”. Një brengë e brendshme e torturonte. Ç’po ndodhte vallë me të? I dukej vetja si një anije pa busull që sikterisej në mes të murlanit oqeanor. Udhëtimet nëpër Shqipëri, gjatë kohës që punonte në radio, kanë qenë të mahnitshme. Në një syresh që do bënin në Tropojë, për realizimin e një reportazhi për përfundimin e elektrifikimit, mban mend dhe një aventurë të vockël. U ndalën në Pukë, dhe vetëm pasi arritën të shkojnë në Komitetin Ekzekutiv, gjetën vend në një hotel i thënçin…një dhomë e sajuar …një dhomë ku atë natë fjetën 10 vetë.

Nuk fjeti gjithë natën. Ca nga që gjumin e ka patur gjithnjë të vështirë. Një korr të gërhiturish si në një stallë bagëtish, ia degdisën fare gjumin. Në atë dhomë ishte edhe një mik, punëtor në Kinostudio që sot nuk jeton më, Fiqo Fiqiri e quanin. Ishte vërtetë ngacmues e hokatar. Mban mend se edhe ai nuk  flinte dot, kur pas mesnate njëri nga malësorët u kthye nga banja, qëndroi një copë herë ndenjur mbi krevat dhe ndezi një cigare, ndenjur mbi shtrat. Fiqiriu për të vrarë  kohën, nisi të flasë me të, plot thumba, duke e ngacmuar pa të keq…

-Ç’ka ban vlla, mirë je?

-Mirë, mirë!

-Kishe gjumë të lehtë shumë!

-Jo more çfarë flet. Të lodhesh tanë ditën, nga mëngjesi deri në perëndim…

-Pse ça pune ban? Më fal që po të pys?

-Po ça pune burrë….bujqësi hesapi.

-A je prej ktej?

-Jo jam larg…..3 orë larg nga Puka…

-Po ku shkon?

-N’Tiranë, shkoj për provimin e marrjes së patentës. Kam kaq muaj që bëj kursin.

-A …do bëhesh, shofer aa?

-Po…

-O sa mirë. Unë jam shofer i vjetër. Po a mund ta bëj një pyetje? Du me ditë sa i zoti je? Apo do flesh?

-Jo mor ça gjumi…po pyt….

E Fiqo i poshtri, si ia  hodhi një re tymi Reshatit, pyeti:

-Vijnë nga Rusia 50 “Ziza” të rinj fare.

-Po …manej?

-Në breg presin shoferët. Ti i hyp “Ziz-it”. I fut çelësin, po makina nuk ndizet, çfarë thua se ka?

-Po i mungon benzina.

-Jo, kanë ardhur me serbator plot.

-Po sistemi elektrik…nuk punon duket…ndonjë shkëputje…

-Jo, jo në rregull është s’ka asnjë problem.

-Shif or ti mik, mos e zgjat shumë, se unë nuk  kam me shku në Durrës me marrë makinë. A ban tash mos me më lodh, po më thuaj, ç’ka makina, pse nuk ndizet?!

-Ishte, zënë skapamenta e gazit mor burrë…!

-Po pse bre?…kush ia zuri?

-Një bretkosë, ka kërcy, nga deti, e drejt në skapamento. Po u zu skapamenti, makina nuk punon.

-E mirë, mirë faleminderit shumë, tash e lemë se do flejë!- dhe vuri kokën në jastëk, por nuk zgjati e u çua me vrull.

-Po, ç’ka thu mor zotni…Ku ka bretkosa në det?!

-Eee! Po janë bretkosa deti, shumë të mëdha!…ndryshe nga ato të tokës…

Me rrezet e para të agimit, u nisën për në Tropojë, ku i priste një tavolinë gostie e mrekullueshme në fshatin Lekëbibaj, afër 30 km larg Tropojës. Në radio i bënë dhe propozimin, për të hyrë në Parti. Stazhin e bën, në uzinën gjeologjike në Tiranë. Përsëri në torno. Tmerr…Mbi dy vjet e gjysmë në gjirin e njerëzve të mirë, punëtorë e specialistëve të nderuar të kësaj uzine, që prodhonin vërtetë gjëra me vlerë për minierat shqiptare. Puna fillonte në orën 6:30 të mëngjesit. Shkonte me biçikletë. Dimrin e kishte shumë të vështirë, sepse uzina nuk  ishte afër…e ftohti ishte i ashpër. Atje, merr edhe kategorinë e VII, sepse kishte të gjashtën. Si e kreu u kthye në Radio, e më pas në teatër ku punon rreth 20 vjet, me punë, lodhje, kokëçarje, suksese, detyra shoqërore të shumta, që kur i kujton tmerrohet. O Zot, sa shumë ishin! Anëtar i redaksisë së gazetës “Drita”, anëtar i komisionit te drama, të vlerësimit artistik profesional të aktorëve, anëtar i Plenumit të Rrethit. Përgjegjës për mbarëvajtjen e formave të edukimit, e nuk di, e nuk i mban mend të tjerat. Do përgjigjej deri edhe për sjelljet e aktorëve, për ato që kishin ves pijen, që bënin ndonjë gabim, që mungonin pa arsye etj, etj… Zot! Kur i kujton, i rrëqethet mishi, e nuk e di se si i ka përballuar. E të gjitha këto detyra shoqërore e profesionale i sollën një lodhje të madhe, një lodhje që i shkaktoi pagjumësi, që e manifeston edhe sot…

Në zyrën e Thanas Nanos (ish-drejtori i Radio Televizionit)

Mbas stazhit të partisë kthehet në radio dhe thirret në zyrë nga drejtori i atëhershëm, Thanas Nano. Ishte fundi i vitit 1974. Thanasi i propozon një vend në grupin e regjisorëve në TVSH. Pasoi një heshtje shungulluese. Fytyra iu kreshpërua dhe trupi iu mbush me sumbulla të ftohta djerse. Duhet të kundërshtonte po si? Ai kish menduar gjatë, dhe kishte shpresuar që mbas stazhit të kthehej në teatër. Gjeti udhën e ndërmjetme si varkë shpëtimi:

– A ke djalë, shoku Thanas?

–Po!- iu përgjigj.

-A ke dëshirë që t’ia prishësh djalit tënd, ëndrrën për jetën?

-Jo!- ia ktheu ai i habitur duke e parë në loçkë të syrit, pa menduar ku do dilte…

-Atëherë mendo, sikur më ke djalin tënd. Unë dua të shkoj në teatër se për aktrim kam mbaruar. Nuk jam për këtë punë…

Jo,- i tha prerazi dhe përplasi pëllëmbën në tavolinë për t’i dhënë fund diskutimit. Na duhesh këtu. Pas stazhit e kishte ndarë mendjen që duhet të shkonte në Teatër. Në radio kishte një punë komode, por ai donte vështirësi. Donte të bënte profesionin për të cilin kishte studiuar. Ai e kishte provuar më parë magjinë që të dhuron pasioni. Dhe ai atë kërkonte. Rrëpirën, dhe jo udhën e drejtë e monotone. Gjaku i tij kërkonte vlimin dhe emocionet e skenës dhe shesheve të xhirimit.

Muhabetin e teatrit e kishte bërë dhe me aktorin e njohur Naim Frashëri. Ai e këshillon të takojë sekretarin e partisë së rajonit Nr 1, Gani Keçin. Ishte një burrë i qetë dhe babaxhan. I tregon atij se kishte mbaruar për aktor dhe donin ta mbanin si regjisor në TVSH. Po ëndrra e tij e madhe ishte skena. Puna në TVSh ishte një fole e rehatshme, por ai kërkonte fluturimin. Televizioni i dukej si kafaz. Donte lirinë. Nuk njihte njeri, ndaj dhe kishte kërkuar të fliste me të, se kishte nam të mirë ndër njerëz. Fjala e Ganiut kishte vlejtur dhe për këtë e ka dashur shumë. Gjatë një mbledhjeje, ai i thotë Thanasit, që ta lë të lirë… se dhe teatri kishte nevojë për një karakter si i Reshatit. Pas 15 ditësh e caktojnë në Teatrin Popullor. Si për të gjithë njerëzit dhe për të, gjërat ndërlikoheshin. Por jeta e përditshme, ashtu si teatri, kishte “Deux des machina”.