Prof. Arben Malaj nxjerr prapaskenat e vizitës së Ramës në Vlorë, tregon kush po e nxit sherrin me Dritan Lelin

226
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Hakmarrje primitive

Pas vizitës që kryeministri Edi Rama bëri pardje në Vlorë, ish-ministri i Financave  Prof. Arben Malaj  pohon se kjo vizitë e Ramës, kishte të bënte me sherrin që nisi mes socialistëve të qytetit bregdetar dhe kryetarit të Bashkisë Dritan Leli. Ish-ministri shkruan se nxitës i këtij sherri është vetë kryeministri Rama.

Reagimi i Prof. Arben Malaj

Hakmarrja primitive ndaj Lelit tani është një debat publik kombëtar. Analistë me influencë publike i kërkojnë Ramës ta ndalë këtë luftë për pushtet absolut ndaj kujdo, që nuk i shërben si manekin. E kam të vështirë t’ju kthej përgjigje dashamirësve të Vlorës, se ku është patriotizmi dhe  krenaria e vlonjatëve në këtë luftë të pa principtë, që po i bëhet kryetarit të bashkisë. E trishtueshme sjellja e ish- deputetit të Vlorës dhe kryetarit të ‘Rilindjes’ në nxitjen e sherreve, grupazheve dhe prapaskenave ndaj kryetarit të bashkisë së Vlorës. Kjo vizitë nuk është për punimet e rrugëve, kjo është vizitë për “punimet e gjyqit politik” të Lelit në ditët e ardhshme. Edhe fotoja me Afrimin në krah, është mesazh përçarës, sherrnxitës dhe  pagjumësie për ta “vrarë sa më parë “armikun e partisë”. E trishtueshme është “vrasja” me dashje e krenarisë së vlonjatëve, duke nënshtruar 95% të Këshillit Bashkiak të votojnë pa vetëdije juridike e patriotike, por thjesht, siç do Naltmadhënia e tij. Përçmuese edhe nga pikëpamja morale dhe ligjore është kapardisja mediatike “me kohë të gjatë”, e një deputeti  të sapo zgjedhur, që siç thonë 95 % e vlonjatëve e “ndriti” kur ishte përgjegjës për turizmin në Vlorë. Kërcënimi se do të kërkoj auditim të jashtëm është  vetkeqpërdorim, si pushkatarët  e skuadrave të pushkatimit, që përzgjidhte partia për të ekzekutuar të dënuarit e saj politike. Sipas kërcënimit të këtij deputeti, do të thotë që: “Kur partia ju do  – vidhni, përçmoni, abuzoni dhe nuk ju gjen gjë”. Por sapo t’i dilni kundër partisë – gjyqi politik dhe penal ju pret. Qenka e thënë që edhe në kohën e ‘Rilindjes’, si në kohën e PPSH-së,  kryetarët kuçiotë të përballen me hakmarrjet politike. Kjo më kujton historinë e  një burri patriot, i palodhur, i sukseshëm, trim dhe krenar, Mehmet Sulës, kryetar i kooperativës bujqësore të Kuçit,  ish- Hero i Punës, që  në kongresin e PPSH-së, në prani të Enver Hoxhës, i doli  kundër Jorgjie Peçinit, duke  kërkuar që ajo të hiqej nga lista për forumet e lartë të PPSH-së, sepse ishte arrogante. Nuk e “vranë”, por e  transferuan nga kryetar cooperative, në përgjegjës sektori në  ndërmarrjen bujqësore  “Lufta e Vlorës”, në Llakatund. Guximi i tij edhe sot vlen si model përballë të vetnënshtruarit ndaj Naltmadhënisë së tij! Krenaria historike e Vlorës kurrë nuk kanë qenë  rrugët, por  patriotizmi dhe trimëria  përballë çdo “zaptuesi”. Përballja e Lelit  nuk është vetëm e Lelit, por edhe e kujdo, që ndjen përgjegjësi edhe ndaj ndaj brezave të ardhshëm, për ta ruajtur  pasurinë më të madhe të Labërisë –  patriotizmin dhe përballjen krenare kundër çdo “zaptuesi” të lirisë.