Bedri Çoku: Qypi me mjaltë i Xhelo Koçisë, një rrëfim  i vërtetë

376
Sigal

Kur Halim Xheloja ( Koçia) goditi shtëpinë e vet me topa (murtajë ) vetëm sepse i ati, Xhelo Koçia, ishte komandant i Ballit Kombëtar për zonat e rrethinës së Vlorës, ndërsa i biri komandant i një çete partizane, njerëzit e krahinës që çapëluan sytë e veshët nga habia, vajtën një e nga një e tufa-tufa tek i ati i “gjeneralit” dhe, të indinjuar për veprën e djalit-partizan, pyetën: – Po mirë, mo, Xhelo Koçia i famshëm, i thanë, si shpjegonetë që yt bir la nam duke e goditur me predha shtëpinë e tija, ë? I prekur, burri i mençëm dhe trim i Labërisë, u gjegj: Edhe im bir, si shumë të tjerë, bijtë e mi, mori mendjen e serbëve, që po gënjejnë dynjanë, bashkë me ca bashto të tjerë të origjinës tënë, pa dinë e iman, sikur në malin e Koçisë, në një guvë, paska qypa të mbushur me mjaltë. Pa po janë turrur ca humbameno, si im bir dhe kush e kush të zaptonjë ndonjë qyp me mjaltë. Të parët që futën lugën, thirrën në kupë të qiellit: “Mjaltë, o popull, mjaltë!”… Tani ata s’po thërrasin më, sepse lugët me mjaltë mbaruan, u ka dalë m…Këtë po ha edhe im bir. Po dale, dale, se nuk është ngopur ala`! Në këtë jetë do të jeni e keni për të parë që, tani për tani, im bir po ha me kënaqësi çka brenda në qyp, nesër, ai dhe i tërë populli do ta hanë me pahir…” Këto fjalë profetike të Xhelo Koçisë m’i tregonte në burgun e Burrelit, Ladi, djali i madh i Halim Xhelos, gjeneralit, i cili  në vitin 1966, doli i vetëm hapur kundra heqjes së gradave të ushtarakëve, veprim për të cilin u dënua me heqje të lirisë. Kam qenë në burgun e Burrelit me Halimin, më vonë edhe me të birin, Ladin, kopjo ky, siç thonë, i Gjyshit të vet. I shpëtonin lotët rrëke për të atin që kishte vdekur aty, në Burgun e Burrelit, nga një “atak në zemër”. Kështu ua kishin transmetuar vdekjen e “komandantit të SS-ve”, siç e quante veten Halim Xhelo, i burgosur, gruas dhe fëmijëve. Ndërsa të vërtetën e vdekjes i biri e mësoi vetëm kur e dënuan edhe atë dhe e sollën aty, në burgun e Burrelit. “U hap fjala njëherë, në vitin 1972, më thoshte Ladi në burg, sikur im atë kishte vdekur, madje pak ditë pasi kishim qenë unë e mamaja në takim me të”. Çuditesha kur njerëzit më ndalonin rrugës e më ngushëllonin. I kundërshtoja që vdekja e babait s’ishte e vërtetë. Ata hapnin sytë, gati sa s’i shqyenin. Aq i fuqishëm ishte disinformacioni i Sigurimit të Shtetit, atëherë. “ Ore, u thosha njerëzve, unë para tri ditësh isha tek babai dhe e lashë shëndosh e mirë…” Shkova në shtëpi i mërzitur tej mase dhe i thashë mamasë që duhet të shkoja patjetër në burg te babai.  Pse? – më pyeti ajo. – Sepse janë hapur fjalë, i thashë, sikur Halim Xhelo ka vdekur…Mamaja sa nuk ia dha kujës. U nisa menjëherë. Komandanti i burgut, Hazbi Lamçe, qeshi kur i thashë se kisha vajtur për të pyetur, nëse  ishte gjallë babai, apo jo? Më takoi përnjëherë me të. Edhe babai vuri buzën në gaz, sapo dëgjoi pse kisha vajtur, por jo aq pa teklif, siç qeshi komandanti i burgut –

Dëgjo, bir, më tha i vendosur për të më treguar diçka shumë të rëndësishme: mund të dëgjosh edhe herë të tjera se, gjoja Halim Xhelua vdiq, ose vrau veten, a më the e të thashë, por asnjëherë mos u beso përrallave të Sigurimit të Shtetit. Babai nuk do të vdes kurrë, këtu, në burg, aq më keq po të vras veten. Sepse e di, ndoshta, edhe më mirë nga cilido që drejton sot shtetin dhe qeverinë. Që, këtu, tek unë, një ditë do të vijnë të gjithë ata që drejtojnë këtë ngrehinë kriminale shtetërore, ndoshta jo të gjithë, pasi disa do të hanë plumbin kokës. Vetëm dy vetë mund të jenë  ata që do të shpëtojnë, emrat e të cilëve s’po t’i them, sot. Por ama, një gjë ta kesh të qartë, bir! Unë mund të vdes këtu, në burg, por kurrë nga vetja ose mosha, atë mund të ma shkaktojë shteti, ndoshta dhe një njeri i lig, mbi të gjitha, mallkimi, që më ka dhënë babai. Ka më tepër mundësi mallkimi, sepse jam i vetmi, ndoshta, në të gjithë Shqipërinë që, gjatë luftës, për të çliruar vendin nga pushtuesit, shkallmova shtëpinë time me predha, i verbuar nga ideologjia antinjerëzore e antikombëtare e komunizmit. Por edhe kur erdhi nëndetësja angleze për të marrë babanë tim të famshëm, unë, me urdhër nga lartë, shkova për ta ndaluar të ikte nga vendi e për ta arrestuar, si kundërshtar politikë. E thirra nga bregu dhe i thashë se do të pendohej po qe se largohej nga atdheu. E shava, e mallkova. Ndërsa ai m’u përgjigj vetëm kur më tha se do të kthehej përsëri, por vetëm atëherë, kur ne, partizanët, të kishim mbaruar qypin me mjaltë, dhuratë nga sllavët, të cilin kishim nisur të hanim. Më la amanet që kur të lindnit ju, fëmijët e mi, të mos ju edukoja me marrëzitë e mia. Më uroi shpëtim të shpejtë nga kthetrat e djallit, me emrin “komunizëm, dhe iku.” Ladit i shpëtuan pika loti për Gjyshin që kishte vdekur pikërisht ato ditë në Amerikë. Pasuria e tij, si trashëgim, erdhi nga Amerika me fjalët:“ Vetëm për fëmijët e Halimit, i cili u martirizua në burgun e Burrelit, duke luftuar për të larguar nga vetja djallin e tmerrshëm të shekullit XX…”Atë vit, para se të vdiste Halim Xheloja ( Koçia) në burgun e Burrelit, varën veten katër djem të rinj, 22 deri në 30 vjeç. Emrat e të cilëve nuk përmenden në këtë shkrim, vetëm për të mos ngjallur në zemrat e vrara kujtime të hidhura. Ata i dhanë fund jetës së tyre të re, ngaqë nuk donin t’u jepnin kënaqësi xhahilëve që e përftonin teksa shkaktonin stërmundime te të burgosurit politikë. Ishte viti 1975, viti më i egër, ndoshta, i luftës brenda llojit, kur gjeneralëve më në zë të ushtrisë së diktaturës u ikte koka, sikur të ishin presh të mbjellë në një zallishte. Luftë, e cila në burgun e tmerrshëm të Burrelit, nga administrata e burgut, u përkthye në tortura fizike e psikologjike ndaj qënieve të mbyllura brenda katër mureve, si njerëzit më të rrezikshëm për diktaturën. Tri herë në muaj nisi të bëhej kontrolli nëpër dhomat e të burgosurve që do të thoshte, tri herë në muaj, me detyrim, të zbrazeshin në oborrin e burgut, qëllimisht, dyshekët me kashtë, jastëkët me  kashtë e, mbi to, edhe ato pak ushqime personale të rezervuara, nëpër trastat e varfra të të dënuarve. Të gjitha këto të përziera së bashku, me shpejtësi marramendëse, duhet të transportoheshin pastaj nga të burgosurit e sfilitur nëpër dhomat e ngushta, siç ishin, kashtë e ushqime, sepse, ndryshe, ngurrimi më i vogël, do të shoqërohej me shkopinjtë e gomave, apo bishtat e kazmave, me bollëk në duart e policëve, mbi  shpinat e pambrojtura. Në këto kushte Halim Xhelo refuzoi të nxirrte dyshekun e tij në oborr. E thirrën në zyrën e komandantit tepelenas, Idajet Dedës, në prani të komisarit dhe operativit të burgut. E pyetën pse nuk zbatonte rregulloren e burgut dhe ai, Halimi, i egërsuar siç ishte, u përgjigj: – Zoti shef i SS-ve, komandanti juaj i SS-ve, pra, unë, Halim Xhelo, nuk i bindem më urdhrave tuaj antinjerëzore e kriminale. – I dënuar,- e ndërpreu komandanti i burgut, ju nuk po kundërshtoni urdhrat e mia, fatkeqësisht po kundërshtoni e nuk po zbatoni rregulloren, të cilën ju, vetë, e keni firmosur, dikur, së bashku me Kadri Hazbiun. Urdhëro, shikojeni! Rregullorja e burgut të Burrelit, e theksonte saktësisht tri herë në muaj kontrollin fizik të të burgosurve, firmosur nga Kadri Hazbiu dhe Halim Xheloja. I mbetur keq “komandanti i SS-ve” protestoi, duke pyetur: – Pse me rregulloren  time e të Kadriut i torturoni ende të burgosurit ju?- Patjetër, sepse armiqtë e pushtetit popullor, si puna jote, nuk kanë ndryshuar që pasardhësit ta ndryshojnë rregulloren…Halimi u kthye në dhomë i dërrmuar shpirtërisht. E morën përsëri pas disa orësh. Këtë herë nuk e kthyen si më parë në dhomë, te bashkëvuajtësit, por u përgojua sikur e kishin dërguar në birucat e Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, për ta ridënuar. Mos vallë atje, i vrarë në ndërgjegje, Halim Xhelo i dha fund jetës, ngaqë me firmën e tij vazhdonin të fikeshin ende jetë njerëzish, siç ndodhi kohët e fundit me djemtë e rinj, të vetëvarur në dritaret e larta të burgut të Burrelit?. Apo i dhanë ndonjë kokërr koçifos, siç ndodhte rëndomë në të tilla raste…Megjithatë, i biri e qau të atin njerëzisht, pavarësisht shkakut nga i cili ai vdiq…Tani Ladi jeton në Itali, familjarisht. Do të kthehem në Shqipëri, – më tha para ca vitesh – sapo të bindem se “qypi me mjaltë” i Xhelo Koçisë do të jetë zbrazur i tëri në Shqipëri…