Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Nuk më lënë dhimbjet

117
Sigal

Nuk më lënë dhimbjet t’i sodis lulet,

hënën tek vozit në liqenin e spërkatur me yje,

diellin kur del nga kreshtat e malit e mbi det ulet,

kopen’ e uritur të kaprolleve tek rend ndër pyje.

Nuk më lënë dhimbjet të ndiej ndërrimin e stinëve,

kur çarton hardhia e skuqet molla në degë,

kur krihet era e verdhë e vjeshtës korijeve,

kur dallgët dimërore përplasen në breg.

Nuk më lënë dhimbjet t’u besoj ëndrrave,

zambakëve të valëve tek shuhen mbi rërë,

shtegtimit të baladave, rrëqethjeve të këngëve,

harabelave tek flenë ku nata t’i zerë.

Nuk më lënë dhimbjet ta gëzoj këtë jetë,

që njëherë më jepet, vetëm një herë.

U mplaka, u fishka, u bëra skelet,

si era erdha e po shkoj si erë.

Nuk më lënë dhimbjet e plagëve të pathara,

për të kuptuar pse vij e shkoj në zbrazëti,

sa pa kripë e qeshura! Sa pa formë e qara!

kalëroj mbi kalin e kohës si veri.

Nuk më lënë dhimbjet të vëzhgoj cinkën,

si flatron, si këndon, si humb në hiçësi

ç’më mbetet prapa? Ca fjalë që dridhen,

ca fërgëllima të pikëlluara nën borë e shi.

Nuk më lënë dhimbjet e kësaj bote kalimtare,

në jermin e thellë të misterit të saj i strukur rri.

I mbyll sytë: një fluturim pëllumbash në qepallë

nën një muzg të venitur, të beftë e zi.