Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Ti do të jesh gjithnjë ajo…

186
Sigal

 

Ti do të jesh gjithnjë ajo

okra në kapërcimin e diellit:

do të jesh zjarri që mban zgjuar natën

dhe, që sjell gjithë shend agun e ditës.

Do të jesh flladi i syve të dehur, që ende s’janë shuar

tek presin hapat e tua të shkelin në qiell:

e të vijnë drejt meje,

me shegën e çarë që rezëllin,

me portën që shtyhet…

Ti do të jesh gjithnjë ajo,

me ijet e tua të nxehta

përvëlim dëshire,

që s’di ç’të bëjë nga marrëzia e puthjes së lëngësht.

Thua se pjergullat e botës kullojnë veç nektar?

Ti do të jesh ajo që me sytë e mjelmët

qiejt do t’i shtysh dhe kohën do të ndalësh.

Sprovat e përrallës së vjetër do përballosh për mua.

Edhe pse plagët s’më lanë ta fitoja këtë luftë,

ti do të jesh gjithnjë ajo që ecën drejt

me hapa dhe sy shenjti,

me hijen e kërrusur dhe kokën gjithnjë pas.

Duke të pritur,

nëse nuk do mund të vij një ditë

të të zgjoj në ëndërr dhe të puth gishtërinjtë:

duke pëshpëritur ngadalë « Zonja ime ».

Ti do të jesh gjithnjë ajo,

në spektrin e horizontit

një “pas de deux”,

një kërcim në ajër që të sjell sërrish tek unë.

Edhe pse mund të jem veç një hije,

ti do të jesh gjithnjë ajo, që si shamanët

gojën tënde do vendosësh në timen, në ditë jermi,

për të më dhënë frymën çudibërëse të ringjalljes!

Ti, vogëlushja e legjendës, që nuk e zbuloi asnjëherë

enigmën e dashurisë.

Ti do të jesh gjithnjë ajo…