Major Aqif Tafa: Shqipëria në monizëm 1000 tanke, sot nuk ka asnjë

730
  • Kujtimet e ish ushtarakut të tankeve, major Aqif Tafa: Nuk harrohen pedagogët Arseni Stroka, Tonin Kraja, Beg Tena, Halo Sinani, Dhimitër Mitrushi, Ahmet Heta
  • Tit- Shqipëria në monizëm kishte rreth 1000 tanke rus dhe kinez sot nuk ka asnjë
  • -Prodhimet kineze ishin patent ruse por shumë të avancuara në armatim dhe pavarësi lëvizjeje
  • -Ju tregoj vizitat e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Beqir Ballukut dhe Hysni Kapos, në Shkollën e Bashkuar
  • -Kur vinte Enveri apo Mehmeti ne ngeleshim pa gojë
  • – Në vitet 1964-1967 rreth 65-70% e tankeve ishin të rinj, tanke kinez kopje e atyreve rus
Sigal

Gazeta Telegraf

Majori Aqif Tafa ka shkuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerave në shtatorin e vitit 1964. Kontigjenti i parë për Shkollën e Bashkuar ishin maturantët e shkollës “Skënderbej”, por, nëse nevojat për kuadro ushtarakë nuk përballoheshin me skënderbegas, merrnin nga jeta civile, dhe një mes tyre ka qenë dhe ai. Ndryshimi ishte se skënderbegasit e mbaronin shkollën e Bashkuar për dy vjet, ndërsa, ata nga jeta civile do të bënin tre vite, sepse në vitin e parë quheshim përgatitorë dhe  bënin mësim me pedagogë civilë, me një përmbledhje të lëndëve të shkollës së mesme. Kush vlerësohej kalueshëm, në vitin e dytë vijonte me specialitete ushtarake bashkë me skënderbegasit. Kontigjenti ku ai bënte pjesë ishin oficerët e parë që dolën nga garda ushtarake, sepse, siç edhe dihet, me vendim të veçantë të udhëheqjes të asaj kohe, më 1966 u la modeli rus dhe u kopjua modeli kinez.

  • Flitet shumë për Shkollën e Bashkuar, për pedagogët, për nivelin e lartë të mësimdënies për korrektesën. Ju vetë si i kujtoni vitet e shkollës?

Kur e kthej kokën pa në vite befasohem me ato çkam përjetuar. Pa dyshim kuadrot e Shkollës së Bashkuar, komandës apo pedagogë ishin njerëz të besuar, të zgjedhur dhe të provuar për aftësi profesionale, aftësi teorike-metodike e pedagogjike, komunikues, të ndershëm, atdhetarë, dhe të përkushtuar për të përgatitur kuadro të aftë dhe fisnikë. Të njëjta konsiderata do të thoja dhe për pedagogët civilë që na jepnin lëndët e përgjithshme në vitin e parë si kursant përgatitor. Ndoshta e vlen të veçoja prej tyre profesorin e Gjuhë -Letërsisë, z. Dhimo Andrea, i cili ishte më i thjeshtë dhe me aftësitë pedagogjike të tij ishte i aftë të krijonte një ambient shumë dashamirës, afrimitet e komunikues me ne kursantët. Në provimin vjetor të vitit të parë në Letërsi me shkrim (hartim), profesor Dhimo më dha vlerësimin maksimal dhe atë hartim unë ia dërgoj redaksisë së gazetës ‘Luftëtari” për botim. E kam të pamundur të gjej fjalët e duhura për të shprehur realisht tiparet, cilësitë, aftësitë profesionale dhe kulturën e lartë të pedagogëve ushtarakë. Ndoshta në  mes më të mirëve dalloheshin pedagogët e këmbësorisë si Arseni Stroka, Tonin Kraja, Beg Tena. Tek tankistët  ishte dyshja Halo Sinani e Dhimitër Mitrushi, nga kimistët më i riu Ahmet Heta etj. Si pedagogët dhe kursantët i ndihmonte shumë edhe baza materiale. Klasat e teorisë së qitjes me tanke dhe ajo e teknikës ishin kabinete të plota me bazë materiale të nivelit bashkëkohor. E megjithatë, merita, zotërimi i njohurive metodike e pedagogjike i pedagogëve kishte vlera parësore. Major Halo Sinani (ish dhe shefi i ciklit tanke) pedagogu i teorisë së qitjes, veç sa thamë më sipër kishte një kulturë komplekse, metodist serioz e kërkues në stërvitje, po aq i thjeshtë, popullor e fisnik pas stërvitjes, ambicioz në kuptimin e mirë) dhe i përkushtuar për të përgatitur oficerë të aftë si ushtarakë, por dhe të formuar si njerëz. Të njëjtën gjë do të thoja dhe për pedagogun e teknikës, major Dhimitër Mitrushin, i cili në dallim nga major Sinanaj zotëronte mirë muzikën popullore korçare, ndoshta një konkurrent i denjë me poetin e madh Dritëro Agolli, përsa i përket humorit, bejteve e batutave të devollitëve. Meqë jemi te përgatitja e kuadrove, nuk mund të mos kujtoj dhe evidentoj disa tipare e virtyte të komandantit të batalionit të specialistëve, Nënkolonel Muharem Terihati. Pjesë e këtij batalioni ishim dhe ne tankistët. Tek nënkolonel Terihati kishin  gjetur rezonancë të plotë bukuria fizike, eleganca, simetria trupore në kompleks me dijet, arsyen, urtësinë, përgatitjen ushtarake, artin e komunikimit të kombinuar me seriozitetin, ndershmërinë, përgjegjësinë dhe përkushtimin ndaj detyrës. Them se, për ne kursantët e tij ishte një fat i madh që kishim komandant batalioni një individ, një ushtarak të aftë, të kompletuar, por edhe një simbol i një fisniku të vërtetë. Për ne kursantët bota dhe jeta e tij si njeri dhe ushtarak, ishte një tjetër “shkollë” për dije e kulturë. Ndoshta fati im më njohu më direkt  me aftësitë dhe urtësinë e tij. Në vitin 1965 tetor unë pata një incident jo të  vogël me një epror. Nuk i njihja  hallet e problemet e tij, por me mua u ngatërrua kot. Faji ishte i tij dhe jo i imi. Nuk e mohoj faktin se kam qenë ca kokëfortë kur mendoja se kam të drejtë. Puna arriti deri aty, sa m’u afrua afër me një shpërthim nervash të papërmbajtshme duke më kërcënuar se: “Të heq spaletat” (Bëhej  fjalë për shkarkimin nga detyra si komandant skuadre). Kjo nuk qe kompetencë e tij. Po edhe unë pa u menduar gjatë, i hoqa vetë spaletat dhe ia hodha tek këmbët, duke i thënë: “Edhe pse nuk m’i keni dhënë ju, merrini se t’i kam falur!” Problemi vajti në veshin e komandantit të Batalionit…Nuk dola dy ditë në stërvitje. Qëndrova në fjetore, me pretekstin se jam i sëmurë, por e vërteta dihej. Ditën e tretë më thirri në zyrë Komandanti i Batalionit, z. M. Terihati. Më afroi një karrige dhe u ula përballë tij. Memoria ime ruan shumë vërejtje dhe këshilla nga ai takim, por unë po veçoj diçka më thelbësore dhe që më pas jam munduar që t’i bëj pjesë të filozofisë time jetësore. Në mes të tjerash, ai më tha: “Kur bisedon me dikë që është i zemëruar, asnjëherë, mos u mundo që t’i japësh përgjigjen që e meriton. Mos u ndiej i përulur nga fjalët fyese që t’i thotë dikush i zemëruar, apo i sëmurë. Në këto raste, toleranca jote të bën njerëzor dhe të mençur, ndërsa zemërakun e bën humbës të arsyes, dhe njeriu që humb arsyen është pa vlera dhe dinjitet. Përsa i përket incidentit-, përfundoi ai-, janë marrë masat që (A,M), brenda javës së ardhshme transferohet në një repart ushtarak, por ti mos e bisedo me asnjë, deri sa të largohet. Ai ka pasur edhe disa probleme vetjake, por incidenti me ju e  shpejtoi problemin”. Sqaroj se ky ishte dhe një kushti im: O të largohem unë nga shkolla, ose ai. Ja, ky ishte modeli i kuadrove të shkollës së Bashkuar, por ky ishte edhe niveli i përgatitur, disiplina, figura morale, përgjegjshmëria dhe përkushtimi për detyrën, pothuaj në të tërë kuadrot e ushtrisë.

Sigurisht shkolla juaj ka qenë objekt vizitash. Gjatë viteve që ishe kursant, kush e ka vizituar Shkollën e Bashkuar nga personalitete e larta shtetërore të kohës?

Pjesë e këtij realiteti, sigurisht ishin dhe vizitat e herëpashershme të personaliteteve të larta të  kohës. Së paku, tre herë në vit, kur fillonte viti i ri mësimor për Festën e Ushtrisë (10 korrikun 1943) dhe kur shpërndaheshin diplomat, do të ishin prezent Enver Hoxha ose Mehmet Shehu apo Beqir Balluku ose Hysni Kapo, përfshi edhe anëtarë të veçantë të byrosë politike më të rinj. Enver Hoxha fliste shkurt, qartë dhe pa gabime. Kur vinte ai, ne mbeteshim pa gojë. Mehmet Shehu vetëm miratonte me kokë. Kur vinin ata, tre ditë bëheshin parapërgatitje. Thelbi i diskutimeve apo fjalimeve të tyre së pari, ishte qartësimi i situatës së brendshme e të jashtme. Së dyti, rreziqet e mundshme që kërcënojnë Shqipërinë “socialiste”, së treti, masa që ka marrë e do të marrë Partia për përballimin e çdo agresioni të mundshëm, apo koalicion armiqsh ndaj vendit tonë. Së katërti, detyrat konkrete që dalin para Partisë e komandave në ushtri për përgatitjen luftarake, faktimin e disiplinës, vigjilencës e të gatishmërisë luftarake…..e tjerë.  Direktivat që jepeshin në këto raste, ishin materiale të përgatitura me shkrim, ndoshta dhe të miratuara më parë nga forumet apo eprorët e lartë.

-Titullimi oficer mbetet një ditë e vecantë në jetën e çdo ushtaraki. Kur u titullove officer dhe çfarë kujtimesh ruani dhe detyrat që keni kaluar?

Atë ditë se harroj kurrë. Mbetet dita më e bukur e jetës sime. Jam titulluar oficer aktiv më 28 dhjetor 1966, ndërsa jam paraqitur në detyrë më 3 Janar 1967. Ndoshta reparti, ku do të ushtroja detyrën, për personin tim, ka  diçka të veçantë që vlen të tregohet. Sipas Statusit të Shkollës së Bashkuar, një muaj para se të titulloheshim “oficer”, na merrej mendimi me shkrim se ku dëshironi të punoni, duke caktuar tre vende. Kush ishin të veçantat? Së pari, nga grupi im prej 24 vetësh, vetëm mua më ishte plotësuar dëshira. Ndoshta, sepse në kërkesë pata shënuar: Në Shkodër dhe ku të ketë nevojë Atdheu! E veçanta e dytë, ishte se unë të gjithë jetën 30 vjeçare në ushtri e kam  kaluar në Shkodër. Në Shkodër unë u burrërova, u martova dhe u bëra babai i katër fëmijëve. Në Shkodër unë  jam përballur me sfida nga më të ndryshmet në jetën  time, por që të gjitha i kam kaluar me sukses të plotë. Shkodranët më kanë afruar respekt, ngrohtësi, bujari, miqësi, dashuri njerëzore, sinqeritet dhe kulturë. Shkodranët janë të çiltër me shpirt të pastër, punëtorë e dashamirës si rrallë kush, plot humor dhe gjallëri, një popull që lumturohet me pak, por që pabesia, dhuna dhe padrejtësia nuk i shkon për shije. Largimin në vitin 2000 nga Shkodra nuk e pata të lehtë, por rrethanat që u krijuan më imponuan t’i drejtohem qytetit të Tiranës. Sigurisht jam larguar fizikisht, por shpirtërisht, mbresat e jetës në qytetin e Shkodrës mbeten të gjalla e të paharruara. Detyrat që kam kryer në ushtri, kryesisht kanë qenë në sektorin e komandës, nga komandant toge, kompanie, batalioni dhe më pas komisar batalioni, shef stërvitje brigade dhe nga viti 1980 dhe deri në lirim, më 1994 kam kryer detyrën e shefit të personelit të Brigadës së Tankeve. Pa diskutim ishte respekti, puna, mirëkuptimi e përkushtimi si kolektiv “çelësi’ apo “magjia” e gjithë sektorëve tanë. Mirënjohje kuadrove vartës si Nevruz Zeqo, Gjon Marku, Fatmir Fishta, Servet Myrtellari, Edmond Muharremi, Petrit Lamçe, Vladimir Shaholi e Andrea Bicolli. Mirënjohje të veçantë për kolegun tim, komisarin e batalionit, të ndjerin Sherif Shehu. Me Sherifin kam kaluar ditët më të lodhshme, por edhe më mbresëlënëse dhe më të lumtura në ushtri.

-Repartet ushtarake të asaj kohe ishin shumë të organizuara. Cila ishte shkalla e përgatitjes luftarake të Repartit tuaj dhe kush i kontrollonte ato?

Gadishmëria dhe organizmi luftarak në atë kohë ishin sa nuk mund të mendohet. E ceka pak më parë se tanket, si armë moderne bashkëkohore kishin përparësi të rëndësishme e që ndoshta më parësore ishte mundësia e rritjes së gatishmërisë luftarake. Ishin marrë të gjitha masat, që nga përgatitja e efektivit, gatishmëria e armatimit e teknikës, sistemi i lajmërimit, njohja me rajonet e mundshme, ku do të kryhej detyra luftarake, përgatitja e pozicioneve etj. Përgatitja dhe gatishmëria luftarake e njësive tankiste kontrollohej çdo vit nga komanda Br, nga komanda e korpusit dhe MM nëpërmjet ekipit të Drejtorisë të Tankeve. Nga këto kontrolle në vijimësi, Br e Tankeve në Shkodër ishte krenaria e korpusit, ndërsa batalioni ku isha unë, në vazhdimësi ka qenë krenaria e Brigadës. Këto të vërteta i dinë mirë ushtarë e kuadro që kanë shërbyer në atë njësi. Ja, një dëshmi e atyre viteve. Në shtatorin e vitit 1973, batalioni ynë do të inspektohej nga komanda e korpusit në një stërvitje taktike me qitje luftarake, me bashkëveprim me këmbësorinë tankiste. Për mungesë poligoni, stërvitja do të  zhvillohej në rajonin e Përroit të Shtodrit, rreth 5 km në verilindje të qytetit të Shkodrës. Shtoj se në ato vite, me urdhër të veçantë nga MMP-ja dy anëtarë të ekuipazhit të tankeve, më parë ushtarë aktiv, qenë zëvendësuar me ushtarë rezervistë.

BOX

Shqipëria kishte rreth 1000 tanke

Në vitet 1964-1967 rreth 65-70% e tankeve ishin të rinj, tanke kinez, ose më saktë, kopje e tankeve rus, të prodhuar në Kinë dhe kinezët në sojin e tyre modifikonin shumë gjëra, sidomos aparatura elektronike në mënyrë që ato tanke të automatizoheshin, të lehtësohej manovrimi nga ekuipazhi, saktësia dhe shpejtësia e hapjes së zjarrit. Rreth 30% e tankeve të tjerë ishin në gjendje teknike e luftarake shumë të mirë. Veç kësaj, tankeve ruse apo kineze u kryheshin të gjitha shërbimet teknike të nevojshme sipas katalogëve, që shoqëroheshin nga fabrika. Konkretisht, SH.T-1 e SH.T-2, kryheshin në ofiçinat e brigadave të tankeve, të cilat dispononin pjesë xhenerike të veçanta, të reja. Ato ishin siguruar nga Uzina e Riparimit të tankeve në Tiranë. Kjo Uzinë ishte kompletuar me makineri dhe pjesa materiale të nevojshme, ku kryheshin edhe riparimet kapitale ose SH.T-3 (Shërbimi teknik N=3) deri dhe riparimin ose vendosjen e motorit të ri apo armatimit të ri. Tanku, kur dilte nga kjo uzinë, ishte i garantuar me parametrat e tankeve që dilnin nga fabrika. Mund të thotë dikush se ku i siguronin ato pjesë që nuk prodhoheshin në vend? Këto ishin punë dhe përkujdesje e shtetit, por me siguri që pjesa më e madhe vinte nga Kina. Dua të qartësoj se çështja e ruajtjes dhe e shërbimeve teknike ishte detyrë parësore e MMP-ës, e cila nëpërmjet Drejtorisë Tankeve, në çdo sekondë e kishte në pëllëmbë të dorës, situatën, dhe gatishmërinë luftarake të tankeve. Pas vitit 1971, në përgjithësi, njësitë tankiste u kompletuan me tanke të rinj kinez. Si epërsi e tyre në raport me tanket T-SU rus ishte se kalibri i grykës së zjarrit të topit të tankut ishte 100 mm nga 85mm në Tanket T-su, Mitralozi kundërajror ishte i kalibrit 12.7 nga 7.62 në tanket T-34. Grykat e zjarrit në tanket e rinj ishin të pajisur me një mekanizëm elektronik që gjatë ecjes zbuste ose likuidonte lëvizjet vertikale të grykës së zjarrit: çka lehtësonte dhe shpejtonte hapjen e zjarrit preciz të topit. Po kështu një epërsi teknike e tankeve kineze ishte se kompleti i karburantit ishte 120 litra më shumë se ai i T-34, shpejtësia maksimale ishte 40-45 km në orë, kur tek tanket T-34 ishte 35-40 km në orë. Largësia e qitjes direkt për objektivat më lartësi 1m ishte 1200-1500 m, ndërsa e tankut T.34 ishte 800-1000 m Me qitje direkt duhet kuptuar kur lartësia flurudhës (drejtimi i predhës) nuk e kalon lartësinë e objektivit. Kjo është dhe qitja më e sigurt, më e saktë nëse armët janë të kualiduara.

 

Nesër do të lexoni

-Stërvitjet e asaj kohe bëheshin sikur ishin në kushte luftë

-Në një vizitë në repart Hysni Kapo qau hallet e ekonomisë

-Hysni Kapo: Shteti e blen kafen me 7 000 lekë kg dhe ia shet popullit me 1 500 lek kg.

-Enver Hoxha kërkonte raport për çdo stërvitje deri në detaj

-Lavdërimet e Hysni Kapos gjallëruan punën e efektivave

Shpërthimi i predhave të një tanku na çoi në ngjarje të jashtëzakonshme

Tanket tanë ishin të nivelit bashkëkohor