Lufta e parë Ballkanike 8 tetor 1912

801
Sigal

Kosova, mjaft toka shqiptare në Maqedoni dhe Çamëria, mbetën burim për konflikte të reja ballkanike

Lidhja ballkanike e përbërë nga Bullgaria, Greqia, Mali i Zi e Serbia, kundër Perandorisë Osmane

Përgatiti Albert Z. ZHOLI

Luftërat Ballkanike të viteve 1912-1913 janë ngjarje me rëndësi të veçantë për historinë e Europës Juglindore të shekullit të 20-të. Pasojat afatgjata të këtyre luftërave kanë ndikuar në zhvillimet politike, ekonomiko-shoqërore dhe kulturore të rajonit për disa dhjetëvjeçarë me radhë dhe disa nga këto pasoja, janë ende edhe sot subjekt i diskutimeve akademike, madje edhe atyre publike. Historiografitë e shteteve të përfshira në këto luftëra kanë dhënë interpretime kontradiktore, të cilat ndryshojnë jo vetëm nga njëri shtet në tjetrin, por edhe brenda një shteti. Në shtete të tilla si Bullgaria dhe Turqia, trauma e humbjes bëri që të kërkoheshin ‘përgjegjësitë’ për këtë, ndërkohë që ‘shkaqet’ e luftës kërkoheshin tek politika. Për arsye të ndryshme, në Serbi dhe Greqi, si vende fituese të luftës, Luftërat Ballkanike u interpretuan si të integruara në ngjarjet e tjera të mëvonshme, si Lufta e Parë Botërore, në rastin e Serbisë, ose Lufta në Azinë e Vogël, në rastin e Greqisë. Rrënjët e Luftërave Ballkanike shtrihen më herët në kohë, qysh te pasojat e luftës ruso-turke të vitit 1877- 1878, e cila shënoi përfundimin e Krizës Lindore të viteve 1875-1878, krizë që ishte nga më të ashprat në historinë e së ashtuquajturës Çështje Lindore. Kjo Çështje pati tri shkaqe kryesore: përplasjet diplomatike midis Fuqive të Mëdha për ndikim në territoret osmane; rënien e shkallëshkallshme të Perandorisë së sulltanit; si dhe lëvizjet për çlirim kombëtar të popujve të Ballkanit, që synonin krijimin e shteteve të tyre kombëtare. Kriza e viteve 1875-1878 u zgjidh nga Fuqitë e Mëdha në Kongresin e Berlinit. Ky kongres shpalli pavarësinë e Malit të Zi, Rumanisë dhe Serbisë, që përfituan territore të reja, ashtu si edhe Greqia dhe, nga ana tjetër, u krijua Principata Bullgare dhe Provinca Autonome e Rumelisë Lindore. Gjithashtu, reforma dhe autonomia duhej të zbatoheshin në territoret e tjera europiane në zotërim të Portës së Lartë, si në Shqipëri, Maqedoni, Epir etj. Qiproja u la nën administrimin britanik, ndërkohë që Austro-Hungaria pushtoi BosnjëHercegovinën dhe Novi-Pazarin. Megjithatë, Kongresi i Berlinit krijoi një sërë konfliktesh dhe tensionesh midis kombeve të Ballkanit sepse, kur vendosi kufijtë e rinj, ai nuk ndoqi parimin modern të kombësisë.

Në fakt, për shumë vende ishte e pamundur që ta ndiqje këtë parim, sepse disa kombësi kishin jetuar së bashku për shekuj me radhë, kështu që, asnjë nga kombet e Ballkanit nuk e arriti bashkimin kombëtar brenda një shteti dhe ky bashkim u bë qëllimi kryesor i politikave të jashtme të këtyre vendeve. Kjo dëshirë solli si pasojë një sërë krizash: bashkimin e Rumelisë Lindore me Bullgarinë dhe, si rrjedhojë, luftën serbo-bullgare të vitit 1885, luftën greko-turke të vitit 1897, kryengritjen në Maqedoni në vitin 1903, aneksimin e Bosnje-Hercegovinës nga Austro-Hungaria, shpalljen e pavarësisë së Bullgarisë më 1908, kryengritjet shqiptare të viteve 1910-1912 dhe tensione të tjera më të vogla. Pavarësisht nga kjo, prirja kryesore në historinë e vendeve të Ballkanit ishte zhvillimi paqësor dhe modernizimi i tyre. U bënë pëpjekje për vendosjen e institucioneve dhe sistemeve politike moderne, liberale e kushtetuese, u bënë përpjekje, gjithashtu, për krijimin e një rrjeti të gjerë komunikimi, duke u përqendruar në ndërtimin e hekurudhave dhe rrugëve, ngritjen e industrisë dhe vendosjen e lidhjeve funksionale tregtare, të brendshme dhe të jashtme. Në çdo këndvështrim, vendet e Ballkanit synonin integrimin e tyre në botën europiane. Kjo solli një shpirt konkurrence dhe përparimi. Zhvillimi i kulturës kombëtare ishte një nga fushat kryesore që duhej modernizuar; për më tepër, kultura ishte hapësira ku pati më shumë konkurrencë. Në këtë fushë shteti veproi si ndërtuesi kryesor i identitetit kombëtar. Ndërkohë që të gjitha kombet e Ballkanit i krijuan shtetet e tyre kombëtare, tashmë ishte koha që këto shtete të forconin vetë kombin. Ndër mjetet më të përdorura për këtë qëllim ishin arsimi publik, festat kombëtare, ceremonitë dhe festimet, shërbimi ushtarak dhe kishat kombëtare. Fryma kombëtare mbizotëronte në çdo ngjarje dhe veprimtari. Në të njejtën kohë, të gjitha shtetet e Ballkanit u përpoqën të forconin ekzistencën e tyre duke krijuar mundësi për përfitime territoriale në të ardhmen, në kurriz të fqinjëve dhe, kryesisht, të Perandorisë Osmane. Motivimi për këto veprime gjendej që nga realiteti etnografik, gjeopolitk, ekonomik dhe deri te të drejtat historike dhe kulturore. Mjetet më të efektshme të kësaj politike të nacionalizmit shtetëror ishin shkollat “milet” dhe institucionet shoqërore të provincave osmane në Europë; për këtë qëllim u shfrytëzua dhe përplasja midis Patriarkanës së Stambollit dhe Ekzarkatit Bullgar. Gjithashtu, këto veprime mbështeteshin nga lloje të ndryshme nismash qytetare dhe irredentiste. Gjatë dhjetëvjeçarit të parë të shekullit të 20-të, situata në Europë e nxiti edhe më tej këtë zhvillim. Krijimi i dy blloqeve ushtarake kundërshtare, Antantës dhe Fuqive të Qendrës, ndikoi thellë në marrëdhëniet ndërballkanike. Gjithashtu, gara për armatim dhe militarizmi u bënë tipar karakteristik i shoqërisë në Europën Juglindore. Buxheti i luftës i qeverive në Europën Juglindore arriti një të tretën e të gjitha shpenzimeve të këtyre shteteve. Ushtritë u dyfishuan në numër dhe u blenë nga Europa armatime të reja. Çdo gjë ishte përgatitur për luftë. Nën një trysni të përhershme të ushtruar nga ana e Antantës, dhe kryesisht nga ana e Rusisë, ideja për krijimin e një bashkimi ballkanik, i cili mund të zgjidhte problemet e shteteve ballkanike nëpërmjet bashkëpunimit, u bë tepër e përhapur. Ndërkohë, lufta italo-turke e vitit 1911-1912, prej së cilës Italia pushtoi Libinë dhe Ishujt e Dodekanezit, si dhe paqëndrueshmëria e vazhdueshme në territoret e Perandorisë Osmane në Europë, i nxitën edhe më shumë politikanët ballkanas drejt luftës.

 

Më 8 tetor 1912, në trojet ballkanike fillonte një nga luftërat e shumta, që mbeti në histori me emrin “Lufta e parë Ballkanike”.

Ndesheshin: Lidhja ballkanike e përbërë nga Bullgaria, Greqia, Mali i Zi e Serbia, që duke lënë mënjanë sherret ndërmjet tyre, kishin vendosur ta varrosnin të sëmurin e Bosforit –Perandorinë Osmane. Pra synimi ishte përzënia e Perandorisë Osmane nga Shtetet e Ballkanit.

Luftimet nisën më 8 tetor të vitit 1912 në kohën kur Mali i Zi shpalli luftën dhe trupat e saj shkelën kufirin shqiptar. Ditën tjetër forcat malazeze sulmuan pozicionet otomane në malin e Planiçës, i cili ngrihej mbi qytetin e Shkodrës.

Pasi forcat malazeze depërtuan matanë mbrojtjes inekzistente turke në Shqipërinë Veriore, Vendet tjera të Aleancës Ballkanike pritën edhe një javë e pastaj u hodhën në mësymje masive në pjesë të ndryshme të territoreve osmane.

Ndërsa në Shqipëri vlonte kryengritja për liri e pavarësi po nga Perandoria Osmane, palët aleate i dërguan ultimatum qeverisë turke, duke kërkuar zbatimin e reformave në Maqedoni. Qeveria turke, që iu përgjigj me luftë, në pak ditë do të pësonte një disfatë, e cila habiti e tronditi Evropën.

Menjëherë pas disfatës, ushtria serbe marshoi drejt Shqipërisë, në sa përgatiteshin prapaskenat më ogurzeza të historisë së kombit shqiptar, për t’i ndarë trojet shqiptare ndërmjet Serbisë e Greqisë. E kjo tragjedi nuk do të përfundonte bashkë me këtë luftë! Madje do të fillonte. Me nënshkrimin e Traktatit të Londrës, në përfundim të konfliktit, nga trungu i Shqipërisë u shkëputën Kosova, mjaft toka shqiptare në Maqedoni dhe Çamëria, që mbetën burim për konflikte të reja ballkanike.