Shyqyri Fejzo: Paratë e korrupsionit

258
Sigal

Një “etyd“ për paratë

Në këtë analizë nuk do të ndalemi tek teoria për paratë dhe funksionet e saj në ish- sistemin që lamë pas dhe në pesë funksionet e saj  në sistemin, që po ndërtojmë, as në tregun financiar të sotëm apo rolin e bankave. Ato janë  sa probleme teorike, aq dhe të mprehta, se lidhen me ekonominë, por edhe me jetesën. Mendoj të ndalim në dy probleme të thjeshta në dukje, por në përmbajtje flasin shumë.

Së pari: Ngjarja më e rëndë që bëri dhe po bën bujë të madhe është publikimi i pagave.
U bë një zhurmë e madhe pse u publikuan? Kush i publikoi? Nga doli databaza e tyre e më the të thashë. U kërcënuan institucione e individë se do mbajnë përgjegjësi penale. U hodh tym dhe shashka se kjo ishte vepër e armikut të jashtëm. Çfarë nuk u tha dhe u sajua që të gjorin faj mos e linin jetim si gjithnjë, duke ingranuar edhe SPAK-un. Po asnjëherë dhe asnjeri nga politikanët e të gjitha krahëve nuk u “zu demi për brirësh” e të vinin gishtin mbi plagë. T’i binin “për midis pazarit të Durrësit” si thotë ajo kënga e bukur që këndon artisti Qemal Kërtusha. Nuk ja mbajti askujt të flasë për diferencat ciklopike që ekzistojnë midis pagave të njerëzve që punojnë e ropaten dhe atyre që rrinë kaluar dhe tundin këmbët duke u qarë se u publikuan pagat e honoraret milionëshe e të gjithëanshme që marrin deputetët, qeveritarët, politikanët e të gjitha kallëpeve, si dhe drejtues të opozitës, apo opinionistë, anëtarë bordesh shoqatash, nisur nga Banka e Shtetit dhe bijat e  mbesat e tyre. Çfarë nuk u sajua që “të shkathëtit” e këtyre çibanëve të ekonomisë dhe vendit të kishin emrat në databazat, që u përfolën aq shumë dhe që kryejnë funksionin e kusisë së madhe ku milet ekonomia dhe buxheti ynë i cërmosur u reklamua. Në shumë raste paga e tyre në muaj në miliona, pensionisti apo punëtori i thjeshtë, pale pastaj fermeri, i duhen vite të tëra për tju afruar, pale për t’i arrirë nuk bëhet fjalë as me tre apo pesëvjeçarë. Ky ishte skandali më i madh, jo pse e si u publikua, po a e  patë çfarë disproporcioni ka? E kush e vendosi këtë disproporcion, që sa vjen dhe thellohet? Politika, partitë e të dy krahëve. Kjo dukuri e rëndë do të dilte një ditë. Ajo i ngjan atij tregimit me uthullën e fortë e cila e “çan enën e vet.” A e shikoni ku shkojnë taksat, si firohet buxheti i shtetit dhe pse jepet alarmi se fondi i pensioneve rrezikohet të shkojë drejt shuarjes? Gjithëkush po të bëjë një llogari të trashë, sikur të punësuarit në shtet e të gjithë “të përkëdhelurit” e kastave të linin pa marrë pagën e honoraret e një muaji, sa muaj do merrnin me ato para pensionistët, ose sa do u rritej pensioni atyre?  Dhe një zë si nga një humnerë, që erdhi nga një shkrim i akademikut Artan Fuga, i cili i drejtoi një letër të hapur Presidentit, Kryeministrit, et., humbi, u shua si me magji. Nuk kishte si të mos shuhej, se një top apo një çantë me para sot mbyll çdo të çarë e çdo vrimë që hapet në prishjen e qetësisë së kastës, që i pëlqen kaq shumë ato të “uruarat para”: saqë mund t’ja kalojnë dhe Hasan Zyko Kamberit, i cili ka shkruar sikur të ishte Drejtor i Përgjithëshëm i Bankës.  Ato, (paratë) me siguri, ja kanë “taposur” gojën akademikut “qaraman” i cili nxori vetëm bishtin e problemit.

Së dyti: Respekti që kemi për paranë dhe mirëmbajtjen e tyre flitet, publikohet në media, në dasma, gostira etj, po ka mbetur gjithnjë si koka e një aisbergu që fundos “Titanikë”. Dhe këtu vihen re paradokse që nuk i ngre kandari. Punëtorit dhe fermerit leku sot u është bërë “gur mulliri” për ta siguruar, se nuk ka punë, nuk shiten prodhimet bujqësore et., në një anë, kurse një pjesë e elitës diskuton ku të kalojë pushimet, çfarë makine të shtrenjtë të blejë, çfarë telefoni i bleu partneri apo u blenë fëmijëve. Po jo vetëm kaq. Bëni zahmet dhe shikoni ndonjë video dasme. Shikoni ku katandisen 5.000 lekëshi  me Skënderbeun si symbol. Shikoni ku katandiset një mijë lekëshi me Pjetër Bogdanin, symbol, pa le Naim Frashëri i gjorë në 200 lekëshin.

Kështu jeta sot i paska ndarë.
Solisti i valles në krye ka dale.
Barkalecët tufa në euro dollarë,
djersën e kombit shpërndarë

Popullin e latë në llucë e baltë!
Tani bëni orgji me paratë që volët.
Vetë u nginjët në “sheqer e mjaltë”,
pasurinë tonë tinzarisht e vodhët

I njihni të gjithë cilët janë ata,
nuk ju djersit kurrë sqetulla e balli.
Dje të babëzitur keq për para.
Sot thonë: ”shiko ç’ bën i gjalli”!

Revoltohet punëtori me mijra halle:
“Ç’bëhet kështu mor burr’ i dheut?
Sot këpucët e modës në valle,
po shkelin portretin e Skënderbeut”.
Fytyrë inatçore Pjetër Bogdani
nga njëmijë lekëshi del me mallkim:
Të shporren këta hajdutë more amani!
Të bëjë hair dhe ky vendi im!

Në dasma, në valle ndodh një paradoks i paparë. Në asnjë vend të botës nuk ndodh kështu, si në disa dasmat tona. Hidhen në valle e veçanrisht në “vallen e nuses” kartmonedha të bankës, apo dollarë dhe euro pa masë.  Të vjen t’i thuash “të dhj….fsha  m’u në dasëm. Këtë të shikojë e analizojë SPAK-u, Banka dhe institucionet e kontrollit të lekut. Kartmonedha (cilado qoftë ajo) është djersë është vlerë, për të është derdhur djersë, punë. Në këto raste shkelet pa të keq dhe me orkestër, duke e fyer punën e djersën e derdhur. Kjo lloj fyerje është nga ato që të krijojnë bindjet midis të tjerave, “që në këtë vend nuk ndreqemi më.”  Ndaj të rinjtë ikin “nga sytë këmbët”. Ata që hedhin për dorovitje të tilla me thasë me kartmonedha ose janë hajdutë ose i kanë bërë bisht tatimeve (shtetit) duke ia hedhur paq. Pse mos themi se i kanë vjedhur kur shteti kishte hallkat e tij të dobëta, ose janë marrë me drogë apo prostitucion dhe tani na mburren dhe krekosen si xhentëlmenë. Kot policia, hetuesia,  prekurorija kërkon “në drejtim të paditur”. Kot flitet e kërkohet ku pastrohen paratë. Ja ku është bishti që po të kapet mirë dhe në kohë, të çon tek koka. Fajtore janë dhe bankat. Në atë kuptim që monedha e nxjerrë në qarkullim nuk ka njohur kufi për sasi. Disa herë është tentuar me projekte për uljen e monedhës në qarkullim nga banka dhe sa herë që është folur, jo vetëm që nuk u ul monedha, por u shtua ende. Kështu ndodhi dikur me projektin e quajtur “përtej parasë” dhe pastaj rrokullisjet vazhduan. U tentua për paisjen me karta banke (duke ulur monedhën në qarkullim e vënë në funksion firmat shitëse, marketet et., paisjet që t’i përgjigjeshin kartave të klientëve) por edhe kjo nuk funksionoi. Opinionistë dhe të quajturit “ekspertë të ekonomisë” ja futin kot. Të nxjerrësh para të reja në qarkullim do të thotë, të jetë rritur prodhimi, shërbimet, transporti, eksporti, turizmi, etj. Ne çfarë na është rritur, që nxjerrin para pa masë në qarkullim, me përjashtim të remitancave të cunguara që nuk i le rehat as pandemia. Ato para që “doroviten” aq lehtë në vallet e dasmave, me siguri nuk janë para të remitancave. Emigrantët, kudo që janë, i mbledhin ato pak para “si plaga qelbin” dhe nuk arrijnë shumat fantastike që hidhen në dasma. Ato para kanë një emër. Janë para të korrupsionit. Të bësh syrin qorr dhe veshin shurdh për këto dy dukuri që shkruam më lart, është të bësh një aventurë të rrezikëshme që tam-tamet e saj nuk rrinë gjithnjë të heshtura dhe të fjetura.