Bashkim Koçi: Luftëtari Izet Hysi, “renegati” i fisit të Hysajve

1057
Sigal

Ideja e bërjes mirë të gjërave në jetë, e ndjekjes të asaj rruge që e bën të nesërmen më të rëndësishme se e sotmja, ka qenë ndoshta udhërrëfyes i patjetërsueshëm për një fis me emër të mirë nga fshati Vërzhezhë i Skraparit, atij të Hysajve. Burrat e atij themeli kanë bërë histori dhe për më tepër në të gjitha ngjarjet, në të gjitha kohërat, kur fatet e vendit kanë qenë të rrezikuara, në udhëkryq, fisi i Hysajve ka sakrifikuar, ka qenë i kudondodhur dhe i gatshëm për të mbajtur pasha të rënda, duke qëndruar në krah të rrezikut, në mbështetjen me të gjitha mënyrat e mundshme të lëvizjeve që ua ngrinte lart emrin dhe dinjitetin. Por njeriu, ca më shumë kur është pjesë e një komuniteti të caktuar, apo si në rastin tonë të një fisi, ose qëndron brenda historisë të fshatit dhe të familjes, dhe e zotëron atë, ose qëndron jashtë dhe mundohet shumë për të gjetur vlerën e tij. Në rastin tonë ka diçka ndryshe, kemi të bëjmë me një personazh i cili ka ditur, falë edhe traditave dhe trashëgimisë familjare, të bëjë historinë e tij, ta gatisë e ta qëndisë atë histori ashtu si dinë ta mbyllin jetën bukur njerëzit e ndershëm dhe të mençëm. Dhe ky personazh, ky emër që kurrë dhe nga askush nuk iu verbua shkëlqimi i merituar, është Izet Kasëm Hysi nga Vërzhezha e Skraparit. Jeta nuk është e lehtë për asnjë nga ne. Kudoqoftë vendlindja e tij, në fshat apo në qytet. Edhe për Izetin, i cili kishte fatin të ishte pjesë e një familje të kamur, jeta nuk paskësh qenë e shtruar me rrugë të kalldrëmta, të sheshta e të lehta për t’i përshkuar. Jo. Madje qyshse doli në dritë, prindërit e tij, i tërë farefisi, të cilët ishin të lidhur ngushtë me të gjitha ngjarjet dhe zhvillimet politike në Skrapar e në të gjithë vendin, nuk do të ishin shumë komodë për mirërritjen dhe shkollimin, ashtu si edhe dëshironin. Ai lindi në muajin maj të vitit 1921, muaj që fëmijëve të porsalindur u krijon mundësinë të kenë beharin përpara për t’i zënë dimri të ecin me këmbët e veta. Por për Izetin jo vetëm muajt, por edhe vitet ecnin shpejt si për të kërkuar nga ai ca punë të vështira të diktuara nga rrethanat që nuk vareshin nga askush. Shkollën fillore do ta mbaronte aty në fshat për të vijuar më pas në qytetin e Beratit me ndihmën e të afërmve të familjes të Hysajve të cilët, për shkollimin e fëmijëve të miqve e të afërmve, i mbanin dyert gjithmonë të hapura. Njeriu duhet të jetë këmbëngulës dhe, mbi të gjitha,duhet të ketë besim, tek vetja e tij. Ai, gjithashtu, duhet të besojë se është i talentuar për diçka, qoftë edhe për të përvetësuar programet mësimore, siç ishte Ziet Hysi. Nga ana tjetër kjo gjë, pra talentin për të përvetësuar dhe për të mare një drejtim të caktuar në jetë, duhet të arrihet me çfarëdo lloj kostoje. Për familjen e Izetit shkollimi i fëmijëve konsiderohej si një thesar i çmuar, pasuri që do t’i shoqëronte për të gjithë jetën, për t’ua bërë atë më të lehtë. Falë këtij mentaliteti, pra që arsimimi do të ishte çelësi për të hapur derën e artë të suksesit, u vendos që djali i tyre të vijonte shkollën më me emër të asaj kohe, siç ishte Normalja e Elbasanit në të cilën përgatiteshin kontingjente të veçanta për mësues për mbarë vendin. Kjo paskësh qenë edhe ëndrra e skraparasit Izet Hysi, i cili të qenit mësues e konsideronte si majën më të lartë, jo që që bashkëfshatarët e tij të shikonin lartësinë nga ai i shikonte si një pinjoll i Hysajve, por si një “kullë vrojtimi” për të parë të ardhmen e tyre, pasi t’i shikonte të mësuar e të shkolluar.

Mjediset në shkollën e Normales, si mësuesit, si shokët e ardhur nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, por edhe kontaktet me jetën dhe zhvillimet kulturore e politike në një qytet si Elbasani, ndikuan tek Izeti që ai të piqej më shpejt, të burrërohej e të krijonte besim tek vetja. Një nga rastet, kur ky djalë ende nuk kishte vënë brisk në faqe, ishte momenti kur vendi u pushtua nga Italia fashiste. Në ato ditë të vështira për vendin normalistët treguan në mënyrën më të drejtpërdrejt se cilët ishin, ç’përfaqësonin dhe sa të forta i kishin ndjenjat kombëtare. Ata që të gjithë, pa përjashtim, ku midis asaj turme të revoltuar ishte edhe Izet Hysi, kërkuan të komandoheshin dhe u nisën drejt Durrësit për ta pritur pushtuesin me armë. Sigurisht që në këtë valë urrejtjeje të masave popullore dhe të rinisë shkollore në veçanti, autoritet që ishin bërë urë kalimi për pushtuesit, kishin nën kontroll të gjithë ata elemente, të cilët paraqesnin rrezikshmëri dhe mund të shërbenin për t’i hedhur benzinë zjarrit të revoltave popullore. Studenti Izet Hysi ishte një ndër këta “zjarrvënës”. Ai, bashkë me 13 shokë të tjerë si Xhorxhi Robo, Vaskë Koleci, Genc Xhuvani, Andrea Malo, Dhimitër Pando etj., u vunë në listën e nxënësve të rrezikshëm ndaj edhe u përjashtuan nga shkolla. Në 8 shkurt të vitit 1942 atë e burgosën, por që nuk do të qëndronte gjatë për të shkuar përsëri në shkollë për të vijuar mësimet e vitit të fundit e për t’u diplomuar si mësues.

Izet Hysi nuk e mendoi asnjëherë se ishte i vogël për të pasur ndikim tek të tjerët, sidomos tek shtresat e pashkolluara dhe të painformuara për zhvillimet e vrullshme të atyre viteve. Ai kishte mësuar dhe nuk harroni, qoftë edhe për një çast, se ajo që ndodhte e përjetonte në shkollë nuk kish as ngjashmërinë më të vogël me jetën reale, që do të thoshte se shanset për të arritur atë që synoje donin lodhje e mundim të pazakontë.
Vjeshta e vitit 1942 atë e gjeti mësues në fshatin e tij të lindjes, në Vërzhezhë. Por do të ishte po kaq “mësues” si njeri me shikim të largët për çka ndodhte në Skrapar dhe rrotull tij për të luftuar dhemb për dhemb me pushtuesin. Janë muajt dhe ditët kur ai e rriti ndjeshëm aktivitetin e tij revolucionar, duke u bërë njëkohësisht edhe agjitator i flaktë për çuarjen tek të gjithë të rinjtë që kontaktonte idetë progresiste, ato ide që ishin në mbështetje të luftës të sapofilluar ndaj pushtuesve. Në këtë veprimtari të përditshme, nga njëri vend në tjetrin, nga një grupim të rinjsh tek disa të tjerë, në pritje për t’u sqaruar për veprimet në proces, Izet Hysi udhëhiqte me shembullin e tij dhe jo me fjalë boshe që do të mundnin të krijonin neveri tek ata që e konsideronin mësues për të gjitha gjërat, për çdo këshillim e mendim që jepte për të shkuar mbarë e gjithë ajo lëvizje e padëgjuar deri atëherë në ato anë. Izet Hysi nuk ishte “strateg” ushtarak, por qysh në fillimet e lëvizjes, dhe që ai ishte pjesë e saj, pati aftësinë për t’u treguar i tillë dhe që për fat të mirë, nuk gaboi asnjëherë. E di pse? Sepse ai nuk e preferonte heshtjen kur mësonte dhe ndjente se njerëzit që e rrethonin i meritonin fjalët që thoshte dhe veprimet që bënte.

Izet Hysi, si një skraparli me sedër dhe shumë i gatshëm e i vëmendshëm për të dëgjuar e mësuar nga më të diturit e më përvojë në luftë, ishte me fat se qysh në fillimet e tij ra në kontakt me korifenj të vërtet të luftës Nacionalçlirimtare si Gjin Marku, Kahreman Ylli, Zylyftar Veleshnja e shumë të tjerë që e zhvilluan veprimtarinë e tyre në krahinën e Skraparit, të Beratit e zonat e tjera për rreth. Duke parë në sy veprimet e tyre, mençurinë në trajtimin e problemeve taktike e të bashkëpunimit me njerëzit, Izet Hysi arriti të bëhej dikush, madje të krijonte bindjen tek eprorët se ishte i aftë të përballonte detyra që kërkonin njerëz të përgatitur e me shkollë, kuadro që të kishin në gjen drejtësinë dhe korrektësinë. Nuk është rastësi që ky njeri, edhe pse në moshë të re, iu ngarkua detyra e intendentit për të gjithë qarkun e Beratit. Të dilje garant e të kujdeseshe për furnizimin e trupave dhe për anën ekonomike e financiare në përgjithësi, do të thoshte se për nga përgjegjësia vije menjëherë par kuadrove kryesorë komandues të kujtdo formacioni ushtarak. Po sjellim vetëm këtë fakt për të argumentuar se sa i besueshëm dhe i rëndësishëm ka qenë Izet Hysi për të siguruar mbarëvajtjen dhe sukseset e formacionit partizan ku ai shërbeu gjatë Luftës. Tre ishin intendentët më të aftë e më kompetentë në ato vite lufte. Për qarkun e Korçës ishte Raqi Qirinxhi, i cili u vra edhe për shkak të kësaj detyre shumë delikate (Hero i Popullit); për qarkun e Vlorës ishte Aleks Verdhi, i cili pas çlirimit u caktua në detyrën e lartë të Ministrit të Financave dhe për qarkun e Beratit ishte Izet Hysi. Vetëm pse Izet Hysi radhitet tek kjo treshe, do të thotë se ai ishte njeri i vlerave, pra ishte kuadër i besueshëm dhe i virtytshëm, por në mënyrë të veçantë ai ishte i shkolluar dhe ishte i aftë që shpatullat e tij të mbanin pasha të tilla të rënda. Jeta, kujtdo qoftë, i jep njeriut mundësinë që të ngrihet e të rrëzohet, të përjetojë suksesin, por pse jo edhe humbjen të cilat, nëse mblidhen moment pas momenti të japin atë që quhet përvojë, eksperiencë. Por vetë eksperienca është një mësues shumë i mirë, një mësues korrekt dhe i pa djallëzuar. Izet Hysi në shkallët që ngjiti si luftëtar dhe menaxhues i të gjitha detyrave që iu besuan, tregoi kujdes dhe aftësi se punët e mira nuk i shikonte vetëm në sy, por i ndjente edhe në zemër. Ishte ndoshta kjo kthjelltësi e vlerësimit të detyrave që mbuloi, që veprimtaria e tij luftarake të ngjitej shkallë-shkallë, nga më e vogla deri tek e madhja. Në fillim ai u inkuadrua në Çetën “Riza Cerova” e vetëm pas disa muajsh në batalionin partizan më të njëjtin emër. Duke e parë partizanin Izet Hysi, i cili kishte formim të mjaftueshëm si intelektual, dhe duke e pikëzuar nga bashkëluftëtarët si “ai i mençmi i Normales”, nuk vonoi që ai të ngarkohej me detyra edhe më të rëndësishme, më të “rrezikshme” nëse e shikonim “ngritjen në përgjegjësi” si të lidhur me aksionet luftarake dhe goditjet që do t’i jepej armikut gjatë përleshjes për ta zmbrapsur si pushtues. Është koha kur atë e caktojnë në detyrën e komisarit të batalionit territorial të zonës së Potomit. Nuk duhet të harrojmë se Izeti, komisari që do të frymëzonte luftëtarët për t’u bërë më luftëtarë seç ishin, ishte vetëm 21 vjeç. Shumë i ri për t’u bërë “plak i urtë” në situata të vështira e që kërkonin jetë njerëzish. Sidoqoftë ai nuk ishte pa përvojë, dinte të jepte këshilla nga përvoja e tij për çka kishte kaluar deri atëherë. Dhe përvoja më e mirë ishte pjesëmarrja në disa për përpjekje me forcat pushtuese, por sidomos ajo në luftën për çlirimin e Çorovodës në shtator të vitit 1942. Të jesh luftëtar nuk do të thotë që të jesh vetëm ballë për ballë armikut. Ka të tillë që janë në kushte të tjera dhe që kontribuojnë jo më pak se ata që janë në front. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe me luftëtarin Izet Hysi. Në prill të vitit 1943, me urdhër të Qarkorit, ai u hodh në ilegalitet me pseudonimin “Luftëtari”. Gjatë kësaj periudhe veprimtaria e tij ka qenë shumë e madhe dhe me vlera që e kapërcejnë rezultatin e një pune normale. Jeta bëhej ilegale, mbledhjet bëheshin ilegalisht, baza ku ngrysej e gdhihej ishin ilegale, etj. Ajo çka la gjurmë dhe e bëri të njohur si njeri të fjalës së zgjedhur, të një kuadri të arsimuar e me ndikim të madh tek njerëzit e thjeshtë, ishte ndihmesa e tij për ngritjen dhe funksionimin e këshillave Nacionalçlirimtare. Malësia e qarkut të Beratit, por veçanërisht fshatrat e Skraparit e ndjenë shumë ndikimin e Izet Hysit, të njeriut që e njihnin më shumësi mësues sesa si i dërguari i komandës së Qarkut të Beratit. Meqë jemi në këtë kohë të punës së tij në krah të forcave partizane, të udhëhequra nga Partia Komuniste, është kuptimplotë një bashkëbisedim i tij me Komandantin e Ballit Kombëtar, Abas Ermenjin. Madje ai nuk ka qenë bashkëbisedim, por polemikë me përmbajtje të thellë politike e ideologjike. Duhet të ketë qenë fundi i muajit korrik i vitit 1943, sepse pas disa ditësh, konkretisht nga data 1-3 gusht u mbajt Konferenca e Mukjes. Debati midis Abas Ermenjit dhe Izet Hysit ishte ky. Abas Ermenji i kish shtruar pyetjen:

-Ç’do me forcat patizane ti Izet, ç’të lidh ty me komunistët? Izeti i është përgjigjur aty për aty, pa iu dridhur qerpiku:

-Profesor, unë kam marrë këtë krah, sepse shikoj që i shërbehet më mirë Shqipërisë, sepse me Partinë Komuniste është rreshtuar i gjithë populli, e gjithë rinia. Por Abas Ermenji e dinte nga ç’familje vinte Izet Hysi, e njihte me rrënjë e me degë, ndaj nuk vonoi t’i drejtohej me mllef:

-Më vjen keq që po ta them, sepse qenke djalë i zgjuar, me shkollë, por ti qenke një renegat e asaj familjeje me emër, i fisit të dëgjuar në tërë Skraparin, të Hysajve të Vërzhezhës.

Duke ndjekur hap pas hapi zhvillimet e Luftës Nacionalçlirimtare Izet Hysit i erdhi dita që të ndjehej i lumturuar kur u radhit në rreshtat partizane të Brigadës së 7-të Sulmuese, e cila u formua në 17 mars të vitit 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit. Aty ai u caktua të merrte detyrën të rëndësishme, atë të intendentit të Brigadës. Në këtë pozicion e konsideronte veten me fat, sepse për përvojën që kish dhe shtabi me të cilin do të punonte ishin garant se ai do të dilte faqebardhe. Komandantin e Brigadës, Gjin Markun, ai e konsideronte si një nga bashkëluftëtarët e tij më të ngushte. Ishte kohë e gjatë që punonte e luftonte bashkë me të. Por edhe komisari Kadri Hoxha, kuadrot luftëtarë si Adil Çarçani e Qazim Kapisyzi, përgjegjësi i rinisë së Brigadës, Ramiz Alia, emrat me kontribute të veçanta si Sadik Bocaj, Mihal Bisha, Zihni Sakon, Behar Shtylla e Foto Çami e bënin të riun Izet Hysi besimplotë dhe të vendosur për qenë ashtu si gjithnjë, “peng” i të qenit besnik për detyrën që i ish ngarkuar të kryente. Aty, në radhët e asaj Brigade, ishin edhe dy përfaqësues të tjerë nga fisi i tij, Neshat dhe Musa Hysi.

Partizani Izet Hysi e ndoqi brigadën nga njëri luftim në tjetrin me bindjen se një ditë Shqipëria do të çlirohej. Ai mori pjesë në të gjitha betejat, madje në ato më të zjarrtat e heroiket si e Qafës së Shkozës, e Tendës së Qypit, në Zhitom të Beratit, duke përfunduar në çlirimin e qytetit të Beratit, Mirditës, Lezhës e Shkodrës më 29 Nëntor të vitit 1944. Kur u krijua Divizioni i 6-të Sulmues, Izet Hysi u ngarkua përsëri me detyrën e intendentit. Ai i ndoqi të gjitha luftimet që u zhvilluan jashtë kufijve të Shqipërisë, nga Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinë e deri në Veshegrad. Çlirimin e vendit nga pushtuesit nazifashistë ai e festoi jashtë kufijve të Atdheut, sepse Divizioni i 6-të Sulmues gjatë gjithë vitit 1945 qëndroi në Kosovë e Maqedoni. Vetëm në Janar të vitit 1946 ai mundi që të mbërrinte në qytetin e Korçës ku iu komunikua një detyrë tjetër e re, ajo komandantit të prapavijës të Divizionit të 8-të.

Si çdo njeri edhe Izet Hysi do të mbetej gjatë gjithë jetës produkt i mendimeve dhe veprimeve të tij. Ai në të gjitha detyrat që kreu bënte atë që mendonte. Por mendimet dhe veprimet e tij ishin të përparuara, progresiste. E veçanta e karrierës së tij, gjatë gjithë kohës që shërbeu në ushtri, ishte se ai nuk iu nda prapavijës, atij shërbimi pa të cilën formacionet ushtarake, sido që të ishin, nuk do të mundnin të arrinin objektivin, në luftë apo në paqe. Është vetëm një rast kur Izet Hysi ka patur rastin të ndryshonte “vendin e punës”. Ishte viti 1959. Nga udhëheqja e lartë ishte projektuar që Izet Hysi, njeri me përvojë dhe shumë korrekt në punët e ushtrisë, të shkonte atashe ushtarak në Moskë si përfaqësues i Republikës së Shqipërisë. U bë rekomandimi, u përpilua karakteristika sipas rregullave të kohës dhe gjithçka u paraqit për miratim te instanca më e lartë e udhëheqjes së kohës. Mirëpo, për fat të keq, dikush nga “miqtë” e Izetit e kish marrë vesh këtë gjë dhe dy ditë përpara miratimit dërgon një letër ku vinte në dyshim biografinë e tij, meqë gruan e kish marrë tek Butkët e Kolonjës. Kaq u desh që atë ditë në mbledhjen e udhëheqjes, përveç se u thanë fjalë të mira për ushtarakun Izet Hysi, paskësh dalë si më“e rëndësishme” që në një vend të tillë të caktohej një njeri më me autoritet, më me pozitë, të ishte të paktën anëtar i Komitetit Qendror. Dhe kishin vendosur që në vend të tij të shkonte si atashe ushtarak në Moskë Halim Ramohito. Marrëdhënia më e mire në mes njerëzve është ajo ku dashuria për njëri-tjetrin e tejkalon nevojën për njëri-tjetrin. Në jetën ushtarake kjo gjë është shumë e vlerësuar, madje është nevojë e dorës së parë, është armë që asgjëson çdo pengesë e çdo natyre qoftë. Izet Hysi nga kjo pikëpamje mbeti mik e shok me të gjithë ata që kaloi çaste të vështira, nga vitet e Luftës Nacionalçlirimtare e deri në fund të jetës së tij. Fjala vjen ai takonte me shumë mall sa herë që i binte rasti të kontaktonte bashkëluftëtarë si Ramiz Alia, Adil Çarçani, Foto Çami, Tajar Grepckën, Besim Prishtën, e deri tek ata më të thjeshtit. Për ushtarakun Izet Hysi dashuria për shokun, për vartësin apo eprorin ka qenë një ndër pasuritë më të çmuara. Në të gjitha detyrat që iu caktuan, të cilat klasifikoheshin si përgjegjësi për kuadro të rangjeve të larta, ai i mbuloi me ndershmëri të pashoqe, duke mbetur si shembull i njeriut që nuk pranonte kurrë vlerësime me notën mjaftueshëm. Nga viti 1952 dhe në vazhdim ai mbuloi pozicione të ndryshme si kryetar Dege në M.M.P, komandant prapavije në Shkollën e Oficerëve dhe Korpusin e Korçës dhe së fundmi Komandant i Bazës së Armatës në Elbasan.

Vlerësimet për kontributin në luftë dhe në punë të Izet Hysit kanë qenë të shumta. Në një deklaratë që ka lëshuar Kahreman Ylli,në 8 tetor të vitit 1951, me rastin e propozimit për ta dekoruar me “Urdhrin e Flamurit”, gjetëm të shkruar nga dora e tij këto fjalë: “…Izet Hysi ka marrë pjesë në Lëvizjen Nacionalçlirimtare qysh në qershorin e vitit 1942 dhe me Ushtrinë N.Ç. nga muaji maj i vitit 1943. Gjatë kohës me lëvizjen ka ndihmuar në organizimin e organeve të pushtetit, këshillave në fshatra e lokale si dhe ka mobilizuar dhe udhëhequr masat popullore.”

Ai, për aq sa i dha shoqërisë, vendit dhe familjes, meritoi t’i akordoheshin 11 Urdhra e Medalje ku midis të tjerave, (ato që kanë lidhje me Luftën Nacionalçlirimtare), është “Medalja e Kujtimit” dhe “Urdhri i Flamurit”. Por Izet Hysi mbeti edhe një shembull i shkëlqyer si prind, si baba. Ai, si askush tjetër, për edukimin e të gjashtë fëmijëve u orientua nga thënia se “S’është vështirë të bëhesh baba, por vështirë është të jesh baba.” Një nga provat, një nga argumentet që dëshmon për këtë, është heroizmi që bëri një nga fëmijët e tij në nëntor të vitit 1989 për shpëtimin e jetëve njerëzore, doktor Kujtim Hysi, i cili mban titullin “Dëshmor i Atdheut”.

Pasi doli në pension, Izet Hysi nuk gjeti rrugë tjetër përveçse të ndiqte atë që kish nisur që kur ishte në moshën e rinisë. Mbeti besnik i idealeve të Luftës, duke kontribuar me shpirt tek brezi i ri që ata të ishin kokëlartë dhe krenarë për veprën dhe të kaluarën e etërve të tyre.

“Izet Hysi në shkallët që ngjiti si luftëtar dhe menaxhues i të gjitha detyrave që iu besuan, tregoi kujdes dhe aftësi sepse punët e mira nuk i shikonte vetëm në sy, por i ndjente edhe në zemër. Ishte, ndoshta, kjo kthjelltësi e vlerësimit të detyrave që mbuloi, që veprimtaria e tij luftarake të ngjitej shkallë-shkallë, nga më e vogla deri tek e madhja.”