Sot, më 20 gusht 2026, nis pelegrinazhi tradicional në Malin e Shenjtë të Tomorrit. Festa e Shenjtë e Bektashinjve zhvillohet deri më 25 gusht dhe mbledh çdo vit në Teqenë e Kulmakut rreth 400–600 mijë pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, diaspora dhe bota.
Ditët kulmore të pelegrinazhit janë 21, 22 dhe 23 gushti. Teqeja e Kulmakut është përgatitur dhe i ka hapur dyert prej disa ditësh për të pritur pelegrinët që do të bëhen pjesë e festës.
Gjithashtu, janë marrë të gjitha masat që në Malin e Tomorrit të mos mungojnë çadrat për pelegrinët, banjat, ndriçimi dhe uji i pijshëm.
Besimtarët ngrenë çadrat në këtë vend të shenjtë, kryejnë kurbanin e festës dhe ngjiten në këmbë deri në majën e Malit të Tomorrit, e cila ndodhet 2 416 metra mbi nivelin e detit.
Në Teqenë e Kulmakut dhe pranë Mekamit të Abaz Aliut kryhen ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin lutet për shëndet, mirësi dhe paqe në familje.






















